Kodra e Diellit, konkretisht lagja e vikend shtëpizave është e mbushur me ndërtime pa leje. Sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës numri i ndërtimeve pa leje në këtë lokacion është 116. Inspektorati Komunal akuzon organet e pushtetit qendror se u bëjnë pengesa në këtë drejtim, por këta të fundit mohojnë, shkruan Portalb.mk.
Kodra e Diellit assesi të gjejë rehati nga ndërtimet pa leje të cilat e shoqërojnë atë me vite e vite të tëra.
Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit në Kodrën e Diellit janë evidentuar 116 ndërtime pa leje. Ky problem sipas tij pritet të zbutet me miratimin e planit urbanistik për lagjen e vikend shtëpizave, procedura për të cilin është nga fundi.
Akuza nga Inspektorati Komunal i Tetovës
Në lidhje me ndërtimet pa leje për udhëheqësin e Inspektoratit Komunal të Tetovës, Sedat Sulejmanin aq sa janë problematikë qytetarët e pandërgjegjshëm, sipas tyre problem kanë edhe me institucionet e nivelit qendror.
“Kemi raste konkrete ku Ndërmarrja Publike për Kullota jep leje për domethënë ata leje që i japin për stane edhe pastaj ata keqpërdoren, qytetarët ndërtojnë vikend shtëpiza, kemi problem edhe me Elem Tursin ku në mënyrë të paligjshme jep leje për të ndërtuar baraka nëpër Kodër të Diellit. Realisht ne e japim maksimumin edhe qytetarët kanë filluar të ndërgjegjësohen në këtë drejtim. I bëj apel drejtorit të Parkut Nacional të mos merret shumë me Komunën e Tetovës por le të merret pak me drejtoritë që i udhëheqin ata vetë edhe le t’i fusin pak në rend sepse ne kemi probleme me drejtoritë me të cilat udhëheq BDI”, tha Sulejmani.
Demantojnë nga institucionet qendrore
Ndërmarrja Publike për Kullosa për Portalb.mk thonë se poseduesve të bagëtive u japin në shfrytëzim kullosa në pronësi shtetërore, me të drejt kullotjen e bagëtive, kullosat që janë lëndë e dhënies në shfrytëzim janë me sipërfaqe më të mëdha dhe se të njëjtat nuk gjenden dhe nuk mund të jenë pjesë e vikend lagjes në Kodrën e Diellit.
“NP për Kullosa nuk ka miratuar leje për shfrytëzimin e kullosës apo vënien e stallave në vikend lagjen Kodra e Diellit, në rast se ka indikacione për aktivitete të tilla, Inspektorët e ndërtimit duhet të veprojnë dhe ne si institucion të jemi të lajmëruar, ku në përputhje me ingerencat ligjore njoftohet Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë për marrjen e veprimeve adekuate ligjore”, thanë nga NP Kullosat.
Ndërkaq, nga Elem Tursi, Adem Avziu për Portalb.mk tha se nuk kanë bërë ndërtime të reja.
“Ndërtimet që i kam bërë unë kanë qenë prej më herët, domethënë ata janë bërë me leje në kohën e ishkryetares Teuta Arifi. Ata ekzistojnë dhe janë po të njëjtat që kanë qenë, nuk është bërë asgjë e re. Përveç që pat vërshime, është bërë një mur i vogël mbajtës 50 cm për tu mbrojtur mos të hyjë uji teposhtë”, tha Avziu.
Nga ana tjetër, drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, Ibraim Deari për Portalb.mk theksoi se ata si institucion nuk japin leje.
“Ne nuk jemi organ që japim leje , leje ndërtimi jep secila komunë për komunën e vetë, përfshirë edhe Sharrin, sigurisht se ne jemi pjesë e dhënies së lejes, japim mendim për secilin ndërtim brenda Sharrit se çfarë ndikimi mund të ketë në planin hapësinor, apo brenda komponentëve biodiversitet apo gjeodiversitet dhe sendeve të tjera, dhe ne japim mendimin për dhënien ose mosdhënien e lejes. Ne nuk jemi organ që japim leje, në asnjë mënyrë askujt deri më sot nuk i kemi dhënë kurrfarë leje. Sigurisht që trajtojmë disa nga lëndët që na mbërrijnë nga institucionet si komunat për të dhënë mendim për ndonjë objekt të caktuar apo ndonjë plan të paraparë nga komunat. Parku Nacional nuk menaxhon me kullotat, me kullotat menaxhon Ndërmarrja për Menaxhim me Kullotat që është ndërmarrje e veçantë dhe ato japin pëlqim për shfrytëzim të kullotave”, tha Deari i cili shtoi se në të gjithë territorin e parkut kombëtar janë evidentuar 769 objekte pa leje.
Përndryshe, Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, infrastruktura e dobët, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera. Së fundmi filloi rikonstruimi i rrugës te lagja e vikend shtëpizave.