15 persona të dyshuar për bashkëpunim kriminal, evazion fiskal dhe pastrim i parave. Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka njoftuar për nisjen e hetimit kundër 15 personave fizikë dhe 3 kompanive mbi dyshimet për dëmtim të buxhetit shtetëror për 840 mijë euro. Në mesin e të arrestuarve është ish funksionari i BDI-së, Ismet Guri, inspektor të DAP dhe drejtues të kompanive. Sipas organit të akuzës, personat e dyshuar kanë krijuar kompani përmes të cilave kanë bërë qarkullime të parave me fatura të rrejshme dhe mbi bazën e tyre kanë kërkuar kthimin e tatimit nga DAP-i.
“Tre të dyshuar përmes njohjes nga miqtë e përbashkët kanë formuar grup për bashkëpunim kriminal. Janë ndarë rolet dhe secili ka shfrytëzuar lidhjet e veta, njëri duke shfrytëzuar lidhjet me një kompani, tjetri duke u angazhuar për të gjetur kompani fiktive dhe i dyshuari i tretë si i punësuar në DAP edhe pse nuk ka pasur kompetencë është njoftuar rregullisht nga DAP dhe ka qenë në njohur për kthimin fiktiv të tatimit”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Prokuroria pretendon se të dyshuarve i janë bashkuar edhe persona të tjerë me angazhime konkrete si përgatitja e dokumentacionit për formimin e kompanive përgatitjen e dokumentacionit për paraqitje tatimi. E përfshirë ka qenë edhe një kontabiliste e cila ka pasur për obligim të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për DAP, ndërsa dy të punësuar në këtë institucion kanë qenë të obliguar t’i aprovojnë kërkesat e kthimin e tatimit.
“Me qëllim fshehjen e origjinës së parave, të dyshuarit kanë lëshuar në përdorim mbi 24 milionë denarë. I dyshuari i tretë një pjesë të parave i ka lëshuar në qarkullim mbi emrin e djalit tij dhe në interes të tij. Me pas në emër të djalit tij është blerë një banesë me vlerë 150 mijë euro, ndërsa në disa raste për qëllime shit-blerjeje të patundshmërive në llogari e të dyshuarve janë lëshuar para në cilësi të huamarrjeve”, thonë nga Prokuroria Publike.
Të dyshuarit në këtë mënyrë janë pasuruar me vetura luksoze, mallra, derivate dhe patundshmëri, përkatësisht banesa të cilat i kanë shitur mes vete. Gjatë aksionit janë arrestuar 3 persona, ndërsa janë bastisur 7 lokacione. Policia ka njoftuar se gjatë bastisjeve ka konfiskuar dhe municion. /Alsat.mk