03/02/2023
1.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

A diskriminohen shqiptarët në buxhetin 2023?

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, përmes një konference të përbashkët për shtyp e prezantuan Propozim buxhetin për vitin 2023, duke e vlerësuar atë si buxhet për siguri, stabilitet, i cili do të reagojë ndaj krizës dhe do të vendosë bazat për rritjen e mëtejshme ekonomike. Kryeministri Kovaçevski theksoi se me Buxhetin në vitin 2023 parashihet të sigurohen 250 milionë euro mjete për masat antikrizë, 120 milionë euro më shumë për pensionistët, 57.5 milionë euro më shumë për komunat, 63 milionë euro më shumë për shërbimet shëndetësore dhe karakteristikë kryesore është se për shpenzimet kapitale janë projektuar 800 milionë euro. Por, nga ky buxhet shuma e cila është ndarë për komunat është shumë diskriminuese ndaj Komunave që janë të banuara me shqiptarë, shkruan Zhurnal.

Sa ma shumë shqiptarë në Komuna aq më pak buxhet i planifikuar për këto Komuna-

“Më shumë para për Komunën e Shtipit se sa për Tetovën”

Buxheti për vitin 2023 është diskriminues ndaj shqiptarëve, gjegjësisht komunat që kanë përqindje më të madhe të shqiptarëve kanë buxhet më të vogël. Kështu është shprehë profesori Universitar Petrit Pollozhani. Komuna e Shtipit do të merr më shumë para se Tetova shtoi ai.

“Në rajonet tona ka vetëm ndërtim të rrugës Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, ka një lentë Gostivar –Tetovë dhe është bërë buxheti për rrugën Kërçovë – Ohër. Nuk ka sasi të mjaftueshme të buxhetit sa i përket sistemit të ujitjes, pra përmirësimit të bujqësisë në rajonet tona”, deklaroi ekonomisti, Petrit Pollozhanim, për KlanMacedonia.

Pra, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut edhe pse kanë një shqiptarë në krye të Ministrisë së Financave, Fatmir Besimi, si dhe një shqiptarë tjetër në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sërish ka hapësirë dhe mundësi që shqiptarët të diskriminohen si dhe zonat e banuara me shqiptarë të jenë çdoherë zona me investime të pakta si dhe me sasi më të ulët të buxhetit të dedikuar për këto zona.

LSDM: 800 milionë euro investime kapitale në buxhetin e vitit 2023-

LSDM ka njoftuar se investimet kapitale në Buxhetin për vitin 2023 janë parashikuar në 800 milionë euro. Siç njoftuan nga LSDM buxheti për vitin e ardhshëm është i zhvilluar, prandaj parashihen 52,3 për qind më shumë investime kapitale në krahasim me këtë vit.

Por, Pollozhani për investimet kapitale thotë që kanë ngecur nga viti i kaluar, ndërsa buxheti është i fokusuar për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe kompanive të cilët janë prekur nga kriza ekonomike dhe energjetike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

“Investimet kapitale në Maqedoni nuk realizohen as gjysma e tyre, për shembull, në vitin e kaluar deri në fund të shtatorit 2020 ishin realizuar vetëm 41.2 % të investimeve kapitale të përgjithshme”.

Kjo nënkupton që edhe përkundër faktit se tani ka fryrje dhe marketing politik që kemi një shumë të madhe të ndarë për buxhetin 2023 që është e dedikuar posaçërisht për investime kapitale, 800 milionë euro. Shumë e madhe por që nuk dihet sa nga kjo shumë do të shpenzohen e shfrytëzohen për atë që edhe janë dedikuar, investime kapitale, e projekte që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Projekte që do të gjallërojnë të gjithë zonat, qofshin edhe ato të banuara me shqiptarë, që janë lënë në harresë.

Por, duke u bazuar nga përvojat e viteve paraprake nuk është se duhet t’i gëzohemi shumë kësaj shume të ndarë për investime kapitale, sepse nuk dihet se sa përqind do të shfrytëzohen. Përndryshe, viteve të kaluara as gjysma e shumave që janë ndarë nuk janë shfrytëzuar.

Çfarë parashihet në Buxhetin për vitin 2023?

Infrastrukturë: zgjerimi i autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimi i autostradës së re Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, ndërtimi i pjesës Gostivar-Bukojçan dhe pjesës Prilep-Manastir. Gjithashtu, Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore do të përgatisë studim fizibiliteti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Do të vazhdojë edhe ndërtimi i pjesës lindore të Korridorit rrugor 8 nëpërmjet pjesës Rankovcë-Kriva Pallankë, pjesës Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe ndërtimi i pjesës perëndimore të Korridorit rrugor 8, ndërtimi i autostradës Kërçovë-Bukojçan dhe Kërçovë-Ohër. Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të financohet me hua nga BERZH-i.

Rikonstruimi i linjës hekurudhore të Korridorit 10, si dhe parashihen mjete për vazhdimin e realizimit të fazës së parë dhe të dytë të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e pjesës lindore të linjës hekurudhore – Korridori 8 – pjesa Kumanovë – Beljakovcë-Kriva Pallankë.

Mjedis: nga aspekti i mjedisit jetësor ka një numër të madh të projekteve kapitale. Vazhdon edhe Projekti për përkrahjen e përmirësimit të shërbimeve komunale, me të cilin financohen projekte kapitale në komuna.

Shëndetësi: për sektorin shëndetësor janë planifikuar investime për ndërtimin dhe rikonstruimin e institucioneve shëndetësore publike, prokurimin me pajisje mjekësore.

Arsim: mbrojtjen e fëmijëve dhe sportin janë planifikuar investime kapitale, të cilat janë destinuar për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, kopshteve të fëmijëve, ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive, rikonstruimin e konvikteve të nxënësve, prokurimin me pajisje dhe rikonstruimin e universiteteve dhe investime në infrastrukturën e sportit.

Megjithatë, është paraparë që të zvogëlohen kostot joproduktive si mëditjet për udhëtime pune, për automjete dhe kostot e tjera joproduktive. Gjithashtu parashihet rritje prej 5% për pagat, ku përfshihet efekti i rritjes së pagës minimale. /Zhurnal.mk

Të fundit