20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Aggeler: Në RMV çdo ditë po ndodhë korrupsion, një ose dy emra do t’i shtohen listës së zezë shumë shpejt

Në një deklaratë për mediat, ambasadorja e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, mes tjerash ka folur edhe për praninë e korrupsionit në vend, ajo potencoi se po bën gjithçka në drejtim të përmirësimit të kësaj situate.

“Unë kam ardhur këtu nga muaji nëntor, siç e dini të gjithë ndërsa korrupsioni ka qenë në këtë shtet shumë më herët, nuk është një problem që mund të zgjidhet për disa muaj, ekzistojnë sisteme në vend që kërkojnë ekzaminime, është shumë e rëndësishme që jam sot këtu dhe të shoh se si ndiqet krimi. Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për krime financiare, korrupsion apo tjera. Kështu që ne dëshirojmë të jemi partnerë me këtë shtet, në një formë që do t’ua bënte të qartë qytetarëve, që ky sistem është këtu për ata, kjo do të merr kohë, nuk është diçka që një kompjuter mund ta zgjidhë menjëherë, por është prioritet dhe siç e shpjegova më herët, nëse unë kam një qëllim gjatë kohës time këtu si ambasadore, është të sigurojë që unë bëj gjithçka që mundem, edhe ekipi im bën gjithçka që mundet, të rrisim besimin e qytetarëve të RMV-së në gjyqësorin e tyre, dhe nëse ka mënyra që ne mund ta bëjmë këtë, unë do të bëj gjithçka që kam mundësi që kjo të ndodhë”, tha Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

Ajo shtoi se ekipi i hetuesve nga Uashingtoni çdo ditë po punojnë në drejtim të hetimit të rasteve të korrupsionit të lartë në Maqedoninë e Veriut, ajo tha se kjo bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që në atë listë, të mos gjenden emra të cilët nuk e meritojnë të jenë aty.

“Së pari siç ju kam shpjeguar, nuk ka vetëm një listë, ka një sërë listash dhe të njëjtat janë krijuar dhe zhvilluar në Uashington, këto lista gjithashtu janë dinamike. Kështu që ju lutem mos prisni që një ditë, ne do të vijmë dhe do të themi, ja, urdhëroni listën dhe u kryer. Pra është një proces i vazhdueshëm, sepse siç e pamë sot, duke shikuar sistemin, korrupsioni në disa forma të tij, po ndodhë çdo ditë, kështu që ka njerëz të cilët ja vlen të konsiderohen, ndërsa për shkak se sistemi në Uashington është shumë i kujdesshëm në këtë pjesë, nevojitet kohë dhe hetime të krimit, në mënyrë që të sigurohemi se nuk e vendosim në listë dikë që nuk i takon asaj liste, kështu që është diçka e ndryshueshme dhe e lëvizshme, por mendoj që në muajt e ardhshëm do të shohim një emër apo dy, dhe ky do të jetë një proces që do të vazhdojë, pra nuk ndalon, është diçka e vazhdueshme në Uashington”, deklaroi Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-ve në Shkup. (Alsat)

Të fundit