23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ana Bjerde, nënkryetare e re e Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore

Ana Bjerde, me kombësi suedeze, më 1 maj të këtij viti u bë nënkryetarja e re e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Ajo, do t’i udhëheq aktivitetet strategjike, analitike, operative dhe hulumtuese në rajon.

Bjerde, thuhet në kumtesën e zyrës së Bankës Botërore në vend, e ndërmerr udhëheqësinë e rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore në periudhën e sfidave të jashtëzakonshme për vendet kliente të Bankës. Shumë vende përballen me pasoja serioze shëndetësore, sociale dhe ekonomike si rezultat i pandemisë Kovid-19. Në kushte të pasigurisë së vazhdueshme, shtojnë nga Banka botërore, azhurimi më i ri ekonomik i Bankës Botërore në Evropë dhe Azinë qendrore parashikon skenarë të ndryshëm për rritjen negative në rajon, duke e përfshirë edhe recesionin e madh në vitin 2020, me rritje e cila lëviz mes -4,4 dhe 2,8 për qind.

Deri tani, Banka Botërore siguroi më shumë se 1,4 miliard dollarë për t’u ndihmuar vendeve në Evropë dhe Azinë Qendrore t’i zbusin pasojat nga Kovid-19. Nga 2 prilli i vitit 2020, rreth 490 milion dollarë janë miratuar përmes projekteve të reja për përgjigje urgjente. Përveç kësaj, 925 milion dollarë shpërndahen, shfrytëzohen ose vihen në dispozicion të projekteve dhe huave të përhershme, duke e përfshirë edhe financimin shtesë për t’u ndihmuar vendeve t’i përgjigjen pandemisë Kovid-19.

Financimi mundëson furnizim të pajisjes mjekësore, duke i përfshirë edhe kompletet diagnostike, aparatet respiratore dhe ventilatore, dhe përforcimi i kapaciteteve të sistemeve shëndetësore, në çka përket edhe trajnimi i punonjësve shëndetësor, si dhe për mbështetje në mbrojtjen sociale për më të rrezikuarit të goditur nga Kovid-19.

Bjerde gjatë karrierës së saj 25 vjeçare ka qenë në shumë funksione të larta në Bankën Botërore. Ajo është një lidere e njohur në fushën e zhvillimit ekonomik, me fokus të rritjes inkluzive dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Vjen në vendin e Siril Muler, i cili ishte nënkryetar për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore nga korriku i vitit 2015.

Nga Banka Botërore paralajmërojnë se në 15 muajt e ardhshëm do të sistemojnë 160 miliard dollarë mbështetje financiare për t’u ndihmuar vendeve t’i mbrojnë të varfërit dhe kategoritë e rrezikuara, t’i mbështesin bizneset dhe ta nxisin rimëkëmbjen ekonomike, duke përfshirë edhe 50 miliard dollarë resurse të reja të IDA-së në lloj të granteve ose huave me kushte shumë të volitshme. sa/

Të fundit