23/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Angellovska-Bezhoska: Rritet dukshëm përdorimi i bankarisë elektronike

Të dhënat fillestare tregojnë se thirrja e Bankës Popullore për pagesa pa para të gatshme dhe për përdorimin e kartave të pagesave dhe shërbimeve për bankari elektronike edhe celulare, është pritur mirë nga qytetarët. Është rritur ndjeshëm përdorimi i bankarisë elektronike nga ana e personave fizik, që në këtë periudhë është në funksion të mbrojtjes shëndetësore. Numri i pagesave të iniciuara përmes e-banking në mars është rritur për rreth 30 për qind në bazë vjetore, që është shumë më e tepër në krahasim me trendet në periudhën e kaluar, deklaroi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, në emisionin e mbrëmshëm “Top Tema” në televizionin Tellma.

Ajo me këtë rast theksoi se sipas të dhënave fillestare nga statistikat e pagesave, përpunimi i të cilave është në përpunim e sipër, është rritur përdorimi i kompjuterëve dhe telefonave celularë për të bërë pagesa. Në mars, rritja vjetore e pagesave të kryera me kompjuter ishte rreth 26.4 për qind, ndërsa më parë, vitin e kaluar në krahasim me vitin 2018, rritja ishte 5.4 për qind. Në të njëjtën kohë, sipas guvernatores, numri i pagesave përmes telefonit celular është rritur për rreth 45.5 për qind në bazë vjetore. Nga ana tjetër, ka pasur një rënie prej rreth 7 përqindëve në bazë vjetore në pagesa të inicuara në letër. Për trendet e këtilla kontribuan edhe aktivitetet e ndërmarra nga bankat pas fillimit të krizës korona, për mbrojtjen e shëndetit publik.

Në emision, theksi u vu edhe në parashikimet më të reja makroekonomike të Bankës Popullore, me ç’rast ndër të tjera u theksua se pritet që rënia e aktivitetit ekonomik për shkak të krizës së koronës të jetë më e larta në tremujorin e dytë të këtij viti, e pastaj të pasojë rimëkëmbja graduale dhe vitin e ardhshëm të ketë rritje të ekonomisë vendore prej 4.7 për qind. Siç tha guvernatorja, pritjet e tilla bazohen në supozimin se tronditja nga Kovid-19 do të jetë afatshkurte.

Në mënyrë të veçantë u diskutua edhe për bazën depozituese edhe për situatat në tregun e këmbimit valutor, me ç’rast guvernatorja theksoi se këtë herë presionet ishin dukshëm më të ulëta në krahasim me episodet e mëparshme të krizës.

“Të dhënat për marsin tregojnë se nuk ka rënie të depozitave. Më gëzon fakti që situata është stabilizuar gjatë muajit prill – baza e depozitave është e qëndrueshme dhe situatë e tillë vazhdon në fillim të këtij muaji”, tha Angellovska-Bezhoska.

Nga mesi i muajit prill, siç theksoi ajo, është stabilizuar ndjeshëm edhe situata në tregun e këmbimit valutor.

Në emision u komentua edhe për masat e marra nga Banka Popullore pas shpërthimit të krizës së koronës. Guvernatorja theksoi se situata është duke u përcjellë vazhdimisht dhe nëse është e nevojshme, Banka Popullore është e gatshme të ndërmarrë edhe masa shtesë në pajtim me kompetencat e saj, nëse kjo është e nevojshme.

Video-regjistrimi i emisionit të mbrëmshëm “Top-tema” është i aksesueshëm në linkun vijues: https://youtu.be/bhKlfYW_Kr4

Të fundit