21/05/2022
26.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Arsovska: Nëse qeveria nuk na jep para do të radikalizohemi

Nëse Qeveria nuk u jep para komunave për të paguar faturat e energjisë elektrike, do të pasojnë hapa radikalë, paralajmëroi kryetarja e Shkupit Danela Arsovska, në emër të Bashkësive të njësive të vetëqeverisjes lokale (BNJVL), ku ajo është kryetare. Ajo në emisionin Magazina ekonomike në TV Alsat tha se në seancën e BNJVL-së të mbajtur të martën është arritur konkluzion që përmes bisedimeve të gjendet zgjidhje, pasi pa ndihmën e pushtetit qendror do të kemi komuna krejtësisht jofunksionale, transmeton Portalb.mk.

“Nëse nuk ka bisedime, konkluzioni i dytë i arritur nga BNJVL është radikalizimi. Duhet të kuptojmë se kemi 81 komuna, shumica e të cilave janë të vogla, rurale, të cilat nuk kanë si të gjenerojnë më shumë fonde. Funksionimi i tyre, mënyra e funksionimit dhe ekzistencës së tyre është vënë në rrezik nga kjo situatë dhe nuk dihet se sa do të zgjasë. Nëse nuk marrim ndihmë nga pushteti qendror, do të kemi mosfunksionim të plotë të komunave të vogla. Ato tashmë e kanë harxhuar buxhetin e dhënë për energjinë elektrike me fatura për dy muaj. Situata me ndërmarrjet publike është aq alarmante saqë ndërprerja e energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt dhe mund të sjellë ndërprerje të furnizimit me ujë. Prandaj, duhet të mendohet edhe një herë se si të reagohet, sepse këto janë shërbime publike që janë me interes para së gjithash për qytetarët. Nuk po flasim vetëm për ndërmarrje publike apo komuna, po flasim për qytetarët e këtyre komunave”, tha Arsovska.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski të mërkurën gjatë vizitës në fabrikën e tekstilit, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për kërkesat e vazhdueshme të kryetarëve të komunave për ndihmë, tha se në kohë krize, të gjitha palët e interesuara duhet të kontribuojnë me punën dhe sjelljen e tyre.

“Kur përgatitej buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të parashihej një pikë për ballafaqimin me krizën. Mendoj se njësoj është dashur të bënin edhe komunat”, tha Kovaçevski, duke shtuar se Qeveria ka siguruar para për zgjidhjen e problemit të ngrohjes qendrore në kryeqytet, ndërsa qyteti i Shkupit nuk ka dashur të marrë pjesë as me 500.000 euro për të zgjidhur këtë problem.

BNJVL deri më tani nkishte një takim me ekipin ekonomik të Qeverisë të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi para një muaji, ku janë përcjellë problemet me të cilat ballafaqohen komunat. Bytyqi po ashtu të martën gjatë një paraqitjeje në TV 24 i tha Arsovskës se nuk mund që vetëm të kërkojnë ndihmë, kurse as edhe një denar të mos parashikojnë komunat për përballje me krizën.

“Ne nuk kemi thënë se nuk do të ndihmojmë, thjesht duam që të gjithë të përfshihen. Siç po luftojmë në arenën politike, edhe këtu duhet të luftojmë së bashku dhe nëse dikush thjesht heq dorë nga pushteti dhe thotë se kaq di, ka gjithmonë të drejtë demokratike ta kthejë mandatin dhe qytetarët të vendosin”, tha Bytyqi.

Arsovska iu përgjigj se edhe Qeveria mund ta kthejë mandatin nëse nuk ofron ndihmë për qytetarët dhe siç u ka dhënë para përpara disa vitesh për t’i mbuluar borxhet, duhet ta bëjë edhe tani kur ka krizë energjetike dhe ekonomike.

Të fundit