ASH - AAA e quan skandaloz kundërshtimin e propozim ligjit për nënshtetësi nga ana e MPB-së - Tv Koha
Lajmi i Ditës Maqedoni

ASH – AAA e quan skandaloz kundërshtimin e propozim ligjit për nënshtetësi nga ana e MPB-së

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë reaguar pas lajmit se, Ministria e Punëve të Brendshme kundërshtoi propozimin-ligjin për shtetësi të dorëzuar nga partitë opozitare shqiptare në Kuvend. Flakron Bexheti nga ky koalicion e ka quajtur këtë skandal, duke thënë se, vendi është shumë larg ndarjes së pushteteve dhe mos ndërhyrjes tek njëra tjetra, transmeton Portalb.mk.

“Ndarja e pushteteve është në bazën e demokracive liberale, por siç duket kjo e jona as liberale është, e as demokratike, e s`do mend që është shumë larg ndarjes së pushteteve dhe mos ndërhyrjes tek njëra tjetra. Këtu në Maqedoninë e Veriut, vendin pretendent për në BE, ka vetëm Ekzekutiv (Qeveri), as Legjislativ e as Gjyqësor. Këtë na e përkujtoi Qeveria edhe njëherë dje, nëpërmjet një dokumentit të MPB-së që qarkulloi në media, e që kishte të bëjë me një mendim nga MPB në lidhje me propozim ndryshimin e ligjit për shtetësi, të propozuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. SKANDAL, skandal i barasvlerë me veprimet e sistemeve totalitare të njëherë e një kohe! Siç duket qeveria LSDM–BDI bashkë me vëllazërim-bashkimin e Jugosllavisë, të kamufluar nën sloganin “Shoqëri e përbashkët për të gjithë”, po na risjell edhe mendësinë moniste, me gjithë tiparet e saja”, deklaroi Bexheti.

Ai ka drejtuar pyetje se, sa është numri i qytetarëve që jetojnë me dekada në RMV dhe që nuk kanë shtetësi.

“Sa është numri i atyre që janë apartejd, për shkak të logjikës së sëmurë shovene të njerëzve që japin dhe nënshkruajnë mendime të tilla në kundërshtim me kartën universale për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut ? Cili është numri i saktë i qytetarëve të cilët nuk e kanë marrë shtetësinë e RMV-së, bazuar në nenin 7, pika 8 e ligjit ekzistues, duke i shpallë të rrezikshëm për sigurinë e shtetit, edhe pse gjyshër e gjyshe në moshë 70 vjeç e sipër? Për broçkullat tjera që i përmendni në mendimin tuaj, nuk meritoni përgjigje, sepse s`është punë e juaj, këto përgjigje do i japim në debatin parlamentar që do të mbahet në lidhje me këtë çështje. Në qoftë se mendimin e ka kërkuar qeveria, atëherë e pyesim publikisht BDI-në, ku jeni ju, ç ‘bëni ju, dhe a pajtoheni me mendimet e ministrit të policisë?”, deklaroi ai.

Bexheti më tej ka shtuar se, propozim ligji që kanë dorëzuar në Kuvend është në përputhje me Konventën e vitit 1954, te BE për statusin e personave për shtetësi, dhe Konventën e vitit 1961 që ka të bëjë me zvogëlimin e numrit të personave pa shtetësi, të cilat konventa përcaktojnë standardet minimale për trajtimin e personave pa shtetësi, siç janë: e drejta për edukim, punësim, strehim, ndihmë administrative dhe dokumente udhëtimi.

TV Alsat dje publikoi një dokument, ku thuhej se Ministria e Punëve të Brendshme ka kundërshtuar dispozitat kontestuese në ligjin ekzistues për të cilat opozita kërkonte zgjidhje afatgjate e që kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë.

Propozim ligji i ri për nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut parasheh lehtësim të procedurës së marrjes së këtij dokumenti, në krahasim me rregullat dhe procedurat e deritanishme. Qytetarëve që kanë jetuar në Maqedoninë e Veriut në kohën e Jugosllavisë ose janë lindur në Maqedoni, pavarësisht vendit të prejardhjes dhe kanë jetuar këtu deri më 8 shtator 1991, t’u mundësohet të marrin nënshtetësi, njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare sipas Kushtetutës, janë disa prej lehtësimeve që parasheh propozim ligji për nënshtetësi i propozuar nga grupi parlamentare ASH – AAA.

Related posts

Trump deklaroi se mbrëmë u testua nga koronavirusi , bie në kundërshtim me deklaratën që ka bërë doktori i tij

Televizioni Koha

Pesë vjet nga skenari i përgjakshëm në Kumanovë, e vërteta ende mister

Televizioni Koha

Franca në aeroporte do të testojë pasagjerë nga rajone me rrezik të lartë

Televizioni Koha

Leave a Comment