19/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

AUV në Kopshtin Zoologjik: Mishi i kuajve të therur do të shkatërrohet

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), dje pasdite kanë zbatuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme kontrolluese në Kopshtin Zoologjik të Qytetit të Shkupit, pas informacionit të marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MBP) dhe mediat se aty ilegalisht janë therur dhjetëra kuaj, mishi i të cilëve do të shfrytëzohet për ushqimin e kafshëve të egra.

“Me kontrollin, është konfirmuar se në një objekt të thertores me odë në kopshtin zoologjik, i cili nuk është miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka therur dhjetë kuaj, pa dokumentacion adekuat, gjegjësisht me status të panjohur shëndetësor, të paidentifikuar dhe të paregjistruar dhe pa dokument adekuat për lëvizje, edhe pse të njëjtit në kopshtin zoologjik janë ruajtur në kushte adekuate nga ana e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve pranë INP-SHNP Idrizovë”, njoftuan sot nga AUV.

Në depon, ishin gjetur edhe dy kafshë të egra, ndërsa në frigoriferët në afërsi të objektit të thertores janë gjetur mbetje të kafshëve të therura në sasi të përgjithshme prej 1.286 kilogramë dhe 100 zogj të ngrirë.

“Pasi mishi nga kuajt e therur ka origjinë nga kafshë të paidentifikuara dhe të paregjistruara me status të panjohur shëndetësor të cilët janë therur në objekt të paautorizuar, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dhënë Vendim dhe ka urdhëruar shkatërrimin jo të dëmshëm të mishit të pasiguruar në deponinë Drislla”, informojnë nga AUV.

Përndryshe, dje në orën 18, policia ka arrestuar pesë persona, dhe atë D.M (25), A.M (43), M.H (45), B.G (46), të punësuar në Kopshtin Zoologjik në Shkup dhe Z.R (44), bashkëpunëtor i jashtëm.

Gјatë kontrollit në Kopshtin Zoologjik, pas informacioneve të marra paraprakisht, njoftoi sot MPB-ja, janë hasur në ambientet ndihmëse të Kopshtit (kuzhina për përgatitjen e ushqimit për kafshët) duke përgatitur ushqim nga kuaj (12 kuaj dhe një mushkë), të cilët ata i kanë therrë, që mishi të përdorej si ushqim për kafshët e egra në Kopshtin Zoologjik.

“Personat janë arrestuar dhe janë dërguar në stacionin policor, ku është thirrur edhe K.S (35), drejtor i Kopshtit Zoologjik, me të cilin është bërë intervistë zyrtare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe inspektorati nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, të cilët kanë konstatuar parregullsi në procedurë dhe e kanë marrë mishin. Nga ana e SBP-së Shkup kundër të gjithë gjashtë personave do të ngritet kallëzim penal në PTHP Shkup”, thuhet në kumtesën e MPB-së.

Për kundërvajtjet e bëra, kundër Kopshtit Zoologjik të Qytetit të Shkupit dhe personit përgjegjës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të shqiptojë gjoba adekuate sipas Ligjit të Shëndetësisë Publike Veterinare, Ligji për Siguri të Ushqimit, Ligjit për Mbrojtje dhe Mirëqenie të kafshëve dhe Ligjit për Identifikim dhe regjistrim të Kafshëve.

Të fundit