23/04/2024
8.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Avancimet në Kulturë larg shqiptarëve!

Pritet që avancimet në detyrë të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim, por numri i punonjësve shqiptarë që mund të pretendojnë për të ngjitur shkallët e hierarkisë, është zero. Sidomos në postin e drejtuesit të sektorit, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk e plotësojnë kriterin – të kenë qenë drejtues në njësi, apo edhe ndihmës drejtues. Si drejtues i vetëm sektori numërohet një punonjës shqiptar, post ky që e mban prej shumë vitesh

Evis HALILI

Shkup, 17 prill – Ministra shqiptarë, sekretarë shtetërorë, zëvendësministra kanë zëvendësuar njëri-tjetrin në kolltukët brenda Ministrisë së Kulturës, kanë ndryshuar sloganet dhe strategjitë në kulturë…, por nuk kanë arritur të pozicionojnë gradualisht në poste drejtuese punonjësit shqiptarë. Një drejtues sektori dhe dy këshilltarë shtetërorë, janë ndër postet më të larta të arritura në këto vite. Nëse prej disa vitesh – Ministria e Kulturës krahasuar me institucionet e tjera dallonte për përqindjen më të lartë të punonjësve shqiptarë, kjo shifër është reduktuar me transferimin e Drejtorisë për avancimin e kulturës së pakicave në Ministrinë për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, shkruan gazeta KOHA.

Ministria e Kulturës ka publikuar këto ditë rezultate e konkursit intern për avancimet e katër punonjësve, si këshilltarë dhe tre drejtues sektori (të gjithë maqedonas), pritet që avancimet në detyrë të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim, por numri i punonjësve shqiptarëve që mund të pretendojnë për të ngjitur shkallët e hierarkisë është zero, sidomos në postin e drejtuesit të sektorit. Pjesa më e madhe e tyre nuk e plotësojnë kriterin – të kenë qenë drejtues në njësi, apo edhe ndihmës drejtues. Për momentin, numërohen tre ndihmësdrejtues sektori, një prej tyre që në 2007, dy të tjerët të avancuar rreth dy vjet më parë. Ndërsa dy drejtues të tjerë janë në postin udhëheqës njësie. Si drejtues i vetëm sektori numërohet një punonjës shqiptar, post ky që e mban prej shumë vitesh. Ndërsa po ashtu dy poste të larta mbahen edhe ato të zëvendësministrit dhe sekretarit shtetëror. Me ndryshimet më të fundit në kulturë, institucioni numëron dy “këshilltarë të posaçëm” (maqedonas), nëntë këshilltarë shtetërorë (vetëm dy prej tyre shqiptarë), tre Njësi të posaçme (asnjë drejtues shqiptar), 12 sektorë me nga dy deri në katër njësi në përbërje të tyre.

Në periudhën e viteve 2006-2008, atë të PDSH-së, u rrit me mbi 30 për qind numri i punonjësve shqiptarë, të cilët ndër vite u avancuan nga referentë e deri në bashkëpunëtorë të kategorive të ndryshme. Ndryshimet e para dy vitesh, me dy ministra shqiptarë – e rritën në dy numrin e udhëheqësve të njësisë dhe po ashtu në dy avancime në ndihmës-udhëheqës. Ndërsa pjesa tjetër e punonjësve u avancuan si bashkëpunëtorë (nga njëri nivel në tjetrin). Përqindja e vogël e shqiptarëve është prezente dhe e pandryshueshme për shumë vite edhe në institucionet më elitare që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, te Opera dhe Baleti, Filarmonia, Biblioteka…, ku nuk bëjnë pjesë (ose janë në numër të vogël) edhe në pjesën administrative të këtyre institucioneve. (koha.mk)

Të fundit