14/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Avokati i Popullit alarmon për shkeljen e të drejtave të konsumatorëve

Në procedurat për arkëtim të detyrueshëm të borxhit tatimorë të papaguar, taksës radiodifuzive, të hyrave të tjera publike dhe gjobave në para, subjektet nuk i respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve, atyre u ndalin shuma të mëdha parash në emër të borxhit. Kështu konstatohet në raportin vjetor të Avokatit të popullit për të drejtat e njeriut për vitin 2022.

Avokati i Popullit, Naser Ziberi kërkon ndryshime dhe plotësime në dispozitat e ligjit për procedurën tatimore dhe ligjit për tatimet në pronë me qëllim që të ketë kufizim në pjesën që u ndalet qytetarëve në emër të borxhit ndaj shtetit, Drejtorisë për të hyra publike, Qytetit të Shkupit apo edhe komunave.

“Konkretisht nga këto subjekte, qytetarëve u rrezikohet me vite të tëra, si jeta e tyre personale, ashtu edhe ekzistenca e familjeve të tyre, sepse arkëtimin e detyrueshëm e zbatojnë ekskluzivisht me bllokimin e llogarive të transaksioneve të tyre në banka, duke ua zbritur tërë shumën nga paga, pensioni, kompenzimet nga mbrojtja sociale, papunësia dhe të ngjashme, të cilat i marrin. Rrjedhimisht me këtë, ata mbeten pa mjete elementare për ekzistencë për një periudhë më të gjatë kohore, dhe në mënyrë plotësuese detyrohen t’u paguajnë mjete financiare bankave për zhbllokimin e llogarive të transakcionit”, deklaroi Naser Ziberi, Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit kërkon të ndryshohet edhe ligji për punën e shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta, me qëllim që qytetarët të mos dëmtohen në mënyrë të përsëritur gjatë kthimit të kredive. Ai tha se qytetarët gjatë kthimit të borxhit paguajnë deri në 8 fish më shumë se borxhi kryesor.

“Që të ketë publiku një pasqyrë të qartë për atë që po flas, do t’a ilustroj me një shembull. Kredi e marrë 9 000.00 denarë, për vonesë në pagesën e tij vërtet si në reklamat, nuk arkëtohet kamata, mirëpo arkëtohen shpenzimet e tjera të mëdha. Kështu për shembullin konkret në emër të kompensimit të llogaritur janë arkëtuar 2.026. denarë, për kompensimin për vonesë deri në 58.900 denarë, borxhi arrin shumën prej 75.772 denarë që është një shumë tetë herë më e madhe se borxhi kryesorë”, tha Naser Ziberi, Avokati i Popullit.

Numri më i madh i shkeljeve të konstatuara është në fushën e të drejtave të fëmijëve, pas kësaj vijon fusha e jurisprudencës, gjendjet civile dhe çështjet e tjera të brendshme, dhe të drejtat e konsumatorëve. Avokati i Popullit tha se në vitin 2022 janë pranuar për 20 për qind më shumë parashtresa se sa në vitin paraprak./Alsat.mk

Të fundit