20/04/2024
3.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

BANKAT PA MËSHIRË NDAJ KLIENTËVE: RADHË TË PAFUNDME NJERËZISH TË EKSPOZUAR NDAJ KORONAVIRUSIT

Nga falimentimi i bankës “Eurostandard” mbetet e goditur edhe Posta e Maqedonisë së Veriut dhe bashkë me këtë edhe një numër i madh i qytetarëve, të cilët i kanë kryer shërbimet e tyre nëpërmjet postës. Pikërisht bllokimi i punës së postës tash po krijon radhë të pafundme përpara bankave, të cilat funksionojnë me shërbime të kufizuara. Duket një kaos në gjithë sistemin që pasqyrohet nëpërmjet tollovive përpara bankave në kohë pandemie. Përderisa kompanitë që ofrojnë shërbime tashmë kanë filluar me presionin e pagesës së faturave të prapambetura, bllokimi i punës së postës ka krijuar tashmë një kaos të vërtetë.

ANALIZË E KDP-së

Radhë të pafundme të qytetarëve para bankave, të cilat rrezikojnë të bëhen vatra të reja të përhapjes së koronavirusit. Këtyre ditëve, sidomos pas falimentimit të bankës “Eurostandard” me të cilën lidheshin pagesat në Postën e Maqedonisë së Veriut, një numër i madh e qytetarëve kanë vërshuar bankat tjera për të bërë pagesat e domosdoshme të faturave, ose për të hapur llogari rrjedhëse në mungesë të funksionimit të llogarive rrjedhëse paraprake.

Duket se situatën akoma më tepër e vështirëson edhe ngarkesa e faturave të prapambetura të qytetarëve, të cilat tashmë vijnë pa ndonjë gradacion pagese dhe pa ndonjë plan që nënkupton një riformatim të faturave dhe shtrirje në kohë. Shumë qytetarë janë ankuar se kompanitë që ofrojnë shërbime të ndryshme për qytetarët, tashmë pas përfundimit të periudhës lehtësuese për shkak të pandemisë, kërkojnë me ngulm që të paguhen faturat e prapambetura.

Përveç shpërndarjes së kartelave nga qeveria për blerejen e prodhimeve vendore që krijuan tollovi përpara bankave, mosfunskionimi i pagesave në postë, tashmë është bërë një problem më vete për qytetarët. Gjithë qytetarët, të cilët kanë paguar nëpërmjet postës tashmë drejtohen te bankat tjera. Shumica e bankave për shkak të pandemisë funskionojnë me personel të kufizuar dhe kjo ka krijuar rende të pafundme përpara tyre.

Javë më parë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, kishte sjellë vendim për falimentimin e bankës “Eurostandard”. Brenda kohës janë zhvilluar polemika njërit ndër aksionerët e kësaj banke, Trifun Kostovskit dhe BP-së.

Lidhur me falimentimin e bankës, në një konferencë për shtyp, Kostovski ka theksuar se drejtësinë për rastin do ta kërkojë jashtë vendit, duke shtuar se për atë ka të drejtë legjitime, sepse objektivisht bëhet fjalë për investim të huaj.

Ai ka theksuar se vetë do ta shpëtonin bankën, por “dikush ka shpejtuar”.

“Edhe për ne edhe për klientët do të ishte më lehtë që Banka popullore të na likuidonte para një viti. Sepse objektivisht kushtet të cilat sot zonja Bezhoska i cekë, ekzistonin edhe para një viti. për cilat shkaqe nuk e ndërmorën atë hap, nuk e di, megjithatë ne si familje u angazhuam se do të sigurojmë mjete të reja të freskëta për derikapitalizimin e bankës dhe deri në fund të vitit 10 milionë euro të freskëta hynë për sanimin e plasmaneve të këqija të cilat tashmë banka i kishte bërë”, ka shpjeguar Kostovski.

Banka Popullore ka reaguar ndaj Trifun Kostovskit pasi e përmendi si fajtorin kryesor për falimentimin e saj.

Banka Popullore ka njoftuar se vendimi për heqjen e lejes për themelimin dhe funksionimin e bankës kishte për qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe kompanive- deponuese në bankën Eurostandard. BP-ja ka bërë të ditur se pronarët e saj nuk e kanë siguruar kapitalin e nevojshëm për gjysmën e parë të këtij viti, dhe as nuk kanë nxjerrë vendim të qëndrueshëm dhe real për transferimin e pronësisë tek një investitor, i cili do të rikapitalizonte bankën për qëndrueshmërinë e saj.

“Në komunikimin intensiv me pronarët, Banka Popullore vazhdimisht tregonte qartë seriozitetin e situatës në të cilën ishte Banka dhe këmbëngulte për rikapitalizim të menjëhershëm, duke theksuar se nëse nuk ndodh rikapitalizimi, Banka Popullore nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç të marrë masën më të rreptë – heqjen e lejes për themelimin dhe funksionimin e Bankës”, janë shprehur nga BP-ja.

“Postat e Maqedonisë” është prekur nga vendimi i Bankës Popullore që t’ia marrë licencën për punë Eurostandard Bankës. Procedura e falimentimit të bankës e ndezi alarmin në këtë ndërmarrje shtetërore, sepse i gjithë operacioni i pagesave zhvillohej përmes kësaj banke.

Ndërkohë, Drejtori gjeneral i SHA Posta e Maqedonisë së Veriut, Ejup Rustemi, ka shprehur keqardhje për sjelljen e një vendimi të këtillë jo të pëlqyeshëm nga ana e BPRMV, për arsyen se do të ketë pasoja negative edhe në punën rrjedhëse të Postës.

“Shprehi keqardhjen time për situatën e paraqitur deri te të gjithë qytetarët dhe kompanitë, shfrytëzues të shërbimeve tona, me të cilët kishim bashkëpunim të shkëlqyeshëm në pjesën e pagesave të faturave të tyre.

“Posta është në komunikime intensive me Qeverinë e RMV-së si themelues i Postës, me BPRMV si rregullator me qëllim të gjetjes të një zgjidhje të shpejtë dhe të pranueshme për të gjithë, por para së gjithash në interes të qytetarëve dhe kompanive të cilët deri sot i kanë shfrytëzuar këto shërbime në sportelet e postës”, ka theksuar Rustemi.

Sidoqoftë, duket se nga falimentimi i bankës “Eurostandard” mbetet e goditur edhe Posta e Maqedonisë së Veriut dhe bashkë me këtë edhe një numër i madh i qytetarëve, të cilët i kanë kryer shërbimet e tyre nëpërmjet postës. Pikërisht bllokimi i punës së postës tash po krijon radhë të pafundme përpara bankave, të cilat funksionojnë me shërbime të kufizuara. Duket një kaos në gjithë sistemin që pasqyrohet nëpërmjet tollovive përpara bankave në kohë pandemie. Përderisa kompanitë që ofrojnë shërbime tashmë kanë filluar me presionin e pagesës së faturave të prapambetura, bllokimi i punës së postës ka krijuar tashmë një kaos të vërtetë që kërkon një zgjidhje të shpejtë. Kjo zgjidhje tashmë pritet nga qeveria në formim e sipër. Një zgjidhje urgjente që do të lehtësonte qytetarët nga pritjet e pafundme.

Të fundit