Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, po vazhdon dhënien e dëshmisë dëshmitari Bardhyl Mahmuti.
Mahmuti është dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Shalës kurse dëshmitari i 13-të me radhë në këtë çështje, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Në këtë seancë, dëshmitari ka filluar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së), konkretisht prokurorit Filippo De Minicis.
Paraprakisht, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka vendosur lidhur me kërkesën e ZPS-së për lejimin e përdorimit edhe të një dokumenti që përfshin komunikatën 42 dhe 43 të lëshuar nga UÇK-ja.
Sipas saj, pretendimet e ZPS-së përmbushin standardin përkatës kjo duke pas parasysh se në përputhje me ligjin çështja e besueshmërisë për dëshmitarin duhet të ngritën në nivel më të lartë.
Ajo tha se rregulla 143 e Rregullores së Procedurave dhe Provave përcakton se çështja e kredibilitetit të dëshmitarit nuk kufizohen në temën e palëve thirrëse.
Seanca po vazhdon në sesion publik.
© SYRI.net