Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si pjesë e aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes publike për çështje të cilat i prekin grupet më të lëndueshme gjatë krizës së shkaktuar nga korona-virusi, bëri një video-mesazh me bashkëshorten e presidentit, Elizabeta Gjorgievska, me temë dhuna familjare dhe gjinore.
Qëllimi, siç theksohet është të bëjë apel për solidaritet dhe mbështetje të të gjithëve për të cilët shtëpia në këto momente nuk është vendi më i sigurt dhe të inkurajohen viktimat që ta paraqesin dhunën.
Ky video-mesazh është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Zyrën e Fondit për Popullatën e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut.
Në mesazh, siç komunikoi Kabineti i presidentit Gjorgievska thekson se për shkak të pandemisë, po kalojmë më shumë kohë në shtëpitë tona, por, shtëpia nuk është gjithmonë vendi më i sigurt për shumë veta.
“Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat qytetare po alarmojnë mbi zmadhimin e rrezikut të dhunës familjare në bazë të gjinisë në kushtet e kësaj pandemie. Viktimat e dhunës familjare ballafaqohen me një rrezik të jashtëzakonshëm, kur duhet të rrinë me patjetër në shtëpi me ushtruesit e dhunës, me qasje të kufizuar në rrjetin për mbështetje dhe mbrojtje”, thotë Gjeorgjievska.
Ajo thekson se shoqëria jonë nuk bën përjashtim nga trendet globale. Prandaj është e rëndësishme që viktimat të dinë se ekziston dalje, pa marrë parasysh pandeminë.
“Paraqiteni dhunën në polici, në qendrat e punës sociale, në linjat SOS, tek organizatat qytetare, te mjekët amë. Informojini miqtë dhe të afërmit tuaj te të cilët keni besim. Viktimat e dhunës mund të dalin nga shtëpia gjatë periudhës së ndalimit të lëvizjes që të kërkojnë ndihmë në institucionet shëndetësore, stacionin më të afër policor apo nga punonjësi i parë zyrtar me të cilin do të takohen. Që t’i tejkalojmë këto ditë të vështira na nevojiten solidariteti, empatia dhe mbështetja e përbashkët. Dhe mos harroni, nuk jeni vetë”, porositi bashkëshortja e presidentit, Elizabeta Gjorgievska. mb/