20/08/2022
24.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

BDI synon kapitull të ri me kryeministrin e parë shqiptar, Koalicioni Aleanca-Alternativa do të angazhohet për më shumë kompetenca dhe lehtëlsime për pushtetin lokal, LSDM u obligua për ndihmë më të lartë sociale, VMRO-DPMNE për ligj të prejardhjes së pronës për të gjithë politikanët

Karvani “Realizo Ëndrrën”, gjatë ditës së djeshme ka vizituar fshatrat e Komunës së Strugës ndërkaq në tubimin qendror para qytetarëve të Strugës i prezantuan me fjalimet e tyre, duke filluar nga nikoqiri i këtij tubimi, kryetari i Komunës, Ramiz Merko, kandidati për deputet njëherit bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 5-të, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, Kandidati i parë shqiptar për Kryeministër në Maqedoninë e Veriut Naser Ziberi si dhe Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Kandidati i parë shqiptar për Kryeministër në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi potencoi në fillim të fjalimit të tij se sot ka qëndruar në shumë fshatra të Komunës së Strugës, ku para banorëve janë zotuar se premtimeve do ti dalin zot dhe se nga ana e tyre kanë marrë përgjigje se do ti mbështesin me 15 korrik duke rrethuar numrin 9-të, pasi idetë e BDI-së gjithmonë janë bërë realitet.

“Gjithë andej ku kemi qenë ju besojnë fjalëve tuaja Ahmeti, sepse në Llabunishtë me sinqeritetin më të madh e thanë PO njëzëri do ta mbështesim Ahmeti, pasi ai asnjëherë nuk na ka tradhtuar, çdo herë na ka mbështetur dhe çdo gjë që e ka thënë e ka bërë realitet. Të dashur qytetar të Strugës e pranoj se kam mbetur pa tekst, pasi me këtë më shtohet përgjegjësia ndaj detyrës që më ka ngarkuar Ahmeti për ti dal zot e me dinjitet. Zotohem se si kandidati i juaj për Kryeministër do të jap atomin e fundit që të qeverisim, me llogaridhënie që të qeverisim me dinjitet, transparencë dhe profesionalizëm. Me këto parime të ushtrimit të pushteti e kthejmë besimin te populli. Zotohem që besimin e juaj ta shndërroj në vepra që nga përcaktimi i shenjtë për barazi duke demontuar edhe çerdhet e fundit që dëshirojnë të na pengojnë në këtë aspiratë sa Kushtetuese ligjore ashtu edhe madhore”, është shprehur Ziberi.

Ziberi, ju bëri me dije qytetarëve të Strugës se kërkohet hisja që ju takon dhe nuk dëshirohet hisja e askujt tjetër.

“Ne duam atë që mund ta dëshirojë çdo aspirues liridashës në të gjithë rruzullin tokësor. I lus të gjithë votuesit shqiptarë, të gjitha partitë politike që janë legjitime në garën elektorale të dalin nga kornizat e ngushta partiake dhe të mbështesin këtë ide të këtij kolosi Ahmeti dhe ta ngremë zërin me kryeministër shqiptar. Të dashur vëllezër votoni siç ua donë zemra, por një gjë ta dini, rrethimi i çdo numri tjetër, bënë kryeministër o Zoranin ose Hristijanin, prandaj rrethoni numrin 9-të dhe ngrijeni dinjitetin shqiptarë” përfundoi Ziberi.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, dje nga Struga tha se çdo kapitull i ri dëshiron energji të reja dhe se tani më mbyllur një kapitull me plotë sukses për shqiptarët por edhe për vetë shtetin.

“Duke mos dashur të elaboroj të bërat që janë bërë, pasi të gjithë i prekin dhe i shohin por edhe më tutje kemi shumë punë për të bërë, duhet të shkrimë energjitë tona për ditë më të mira se këta që i kemi lënë pas. Populli thotë se e keqja që nuk ka fund edhe të mirat nuk kanë fund. Jemi përpjekur që të bëjmë punë të mira duke mos zhgënjyer votuesit tanë e në përgjithësi shqiptarët duke i përfaqësuar me dinjiteti si kombëtarisht ashtu edhe në arenën ndërkombëtare dhe për këtë jam mirënjohës për përkrahjen që keni dhënë prej 2 dekadave me radhë. Sot jemi anëtar të NATO-s kemi hapur negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ky është kapitull i ri që hapet dhe kërkon energji për ti zbatuar e jetësuar standardet që përshpejtojnë rrugën drejt anëtarësimit të plotë drejt BE-së”, u shpreh Ahmeti.

“Të gjithë ju e dini se shqiptarët kanë ëndërruar për një Skënderbe që të jetë në një cep të vogël të këtij vendi dhe po të pyesnim ndokënd para 30 viteve se heroi kombëtar do të vendosej në mes të Shkupit do të na përgjigjeshin se na ka lëndë mendja. Sot kemi shtatoret e Isa Boletinit dhe Hasan Prishtinës dhe po të thoshte para do kohe dikush se Talat Xhaferi kryetari i parlamentit do të ngrit flamurin e NATO-s, kush do e besonte një komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Kryeministri shqiptar nuk bëhet? Pse nuk bëhet? Askush nuk ma jep përgjigje, ndërkaq këmbët ju dridhen nga kjo ide,” përfundoi fjalimin kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.

Ai u shpreh optimist se me kuadrot që posedojnë brenda 5 viti do të realizohet qëllimi për anëtarësim në BE dhe se kthim prapa nuk ka.

“Do të ketë vija të kuqe për çdo kënd që dëshiron të cenoj ose mohoj Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarin andaj kthim pas nuk ka me çka partner në këtë vend nuk ka. Bashkimi Demokratik për Integrim respekton themelet e çelikta që janë vendosur për ti çuar përpara çështjet. Pa kompromis do të jemi për standardet që duhet të vendosen si për vetting, rritjen e cilësisë dhe kualiteti në arsim, shëndetësi, pushtet vendor, infrastrukturë pasi duke mos punuar në këtë drejtim nuk mund të jemi anëtarë të denjë të BE-së”, potencoi Ahmeti.

BDI dje ka mbajtur tubim qendror edhe në fshatin Jabollçisht të Epërm të komunës së Velesit.

Aktiviteti zgjedhor ka filluar me intonimin e himnit kombëtar, ndërsa pritja nga banorët ka qenë madhështore. Në tubim fjalim rasti ka mbajtur kandidati i BDI-së për Njësinë zgjedhore 3, Bekim Neziri, pastaj Arbër Ademi, kandidat në Njësinë zgjedhore 2, derisa aktivitetin e këtillë e kanë pasuruar me fjalimet e tyre edhe Elgefar Jusufi, Abdulselam Selami, Nefruz Çeliku, si dhe kandidati me nr 2 nga Jabollçishta, Sedat Ademi.

Ata kanë kërkuar mbështetje nga banorët për platformën e BDI-së që si moto ka kryeministrin shqiptar si dhe përkrahjen për kandidatin shqiptar për deputet, Bekim Neziri.

Para kësaj, kandidati i integristëve për deputet, Neziri, ka realizuar takim me banorët e Buzallakovës, ndërsa ka vizituar edhe shkollën e fshatit Kllukovec të Velesit.

“E veçanta e kësaj fushate është se edhe shqiptarët së bashku me nacionalitetet tjera nga viset qendrore dhe lindore, si Velesi, Çashka, Jabollçishta e Shtipi çdo ditë e më tepër po rreshtohen pas BDI-së dhe idesë për kryeministër shqiptar”, ka thënë Neziri në takimet e deritashme me banorët e kësaj ane.

“Qytetarëve u duhen shërbime në gjuhën amtare dhe ky është synimi ynë pas marrjes së mandatit”, shton mes tjerash Neziri.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela bashkë me kandidatët tjerë për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore, gjatë ditës së djeshme realizuan takime të frytshme me disa nga kompanitë më të suksesshme në vend e që veprojnë në rajonin e Tetovës.

Delegacioni i Koalicionit “Tash është Koha” u pritën nga pronari dhe drejtuesit e kompanisë gjigande, Renova. Sela vlerësoi lartë punën e kësaj kompanie, ndërsa me drejtuesit bisedoi rreth ofertës ekonomike që koalicioni ASH-AAA e ofron.

Pas Renovës në Xhepçisht, kandidatët për deputetë u pritën në ambientet e kompanisë tjetër tetovare e me renome ndërkombëtare, Vezë Sharri në Trebosh. Në kuadër të kësaj kompanie veprojnë edhe disa kompani tjera me partneritet evropian. Në Trebosh u vizituan edhe ambientet e kompanisë Tre Prom nga fusha e industrisë së drurit, ndërsa për fund, delegacioni i koalicionit fitues ishin mysafirë në Poroj, tek kompania e suksesshme për prodhimin e miellit, Kokrra e Artë.

Sela dhe kandidatët tjerë ua bënë me dije drejtuesve të këtyre kompanive se tek ato shohin partnerë në të ardhmen. Parashihen lehtësime në veprimtarinë e tyre, sidomos në pjesët burokratike dhe në koncesionet me tokat shtetërore. Dhënia e kompetencave më të mëdha tek pushteti lokal, me qëllim të shmangies së pengesave të vazhdueshme që shfaqen në veprimtarinë e disa prej këtyre kompanive, do të jenë prioritet i qeverisjes së ardhshme.

“Zhvillimi dhe lehtësimi i punës së kompanive tona do të sjellë në mënyrë të veçantë shtimin vendeve të reja të punës dhe parandalimin e ikjes së të rinjve. Programi ekonomik i koalicionit që do të sjellë “shtet për të gjithë”, parasheh rritje ekonomike prej 4-5%, ulje të papunësisë në 10% në mandatin e parë, hapjen e 25 mijë vendeve të punës në sektorin publik dhe privat, rritje të rrogës mesatare për të paktën 20 përqind e shumë prioritete tjera.

Përfaqësuesit e LSDM-së në takimet e djeshme në kuadër të fushatës parazgjedhore, folën për konceptin “Një shoqëri për të gjithë”, perspektivat evropiane të vendit, demokracinë, të drejtën dhe shtetin juridik. I cekën reformat e bëra në shëndetësinë publike edhe për mandatin tjetër, nëse korrin fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, premtuan ndihmë më të lartë sociale për personat e kategorive të ndjeshme.

Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, siç është cekur në manifestin e tyre me premtimet parazgjedhore, u obliguan për së paku 25 për qind rrogë më të madhe mesatare në vend, 20 për qind pensione më të mëdha dhe së paku dy herë në vit rritje të pensioneve, katër miliardë euro investime, vendore dhe të huaja, papunësi nën 10 për qind, tatim të sheshtë më të ulët në Evropë prej 8 për qind, tatim prej zero për qind për person të ri deri 29 vjeç të punësuar, subvencion deri 50 për qind për secilin që do të vendosë ta ndërrojë fasadën, për shtëpi të ngrohtë, për më pak shpenzime, si dhe për ligj të prejardhjes së pronës për të gjithë politikanët.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në Gostivar porositi se ai qytet çdoherë ka qenë shembull për multietnicitetin, shembull i unitetit dhe bashkimit.

“Kjo është e ardhmja, ky është uniteti dhe bashkimi është rruga e vetme e drejtë, model i cili mund ta përforcojë edhe në planin ekonomik, edhe si popull edhe si shtet edhe si njerëz. Ky është modeli i vetëm i cili mund t’u garantojë të ardhme më të mirë fëmijëve tanë. Ju falënderoj që besoni në këtë koncept edhe kur shumë të tjerë nuk besonin”, porositi Zaev.

Ai shtoi se me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, askush nuk humbi asgjë, ndërsa me të u fitua vetëm më shumë unitet dhe mirëkuptim i ndërsjelltë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për opsionin evropian dhe demokratik më 15 korrik.

Ai shtoi se si pushtet treguan se kujdesen për të gjithë, më së shumti për të varfërit.

“Për 30 vite askush nuk sillte vendime, por ne patëm guxim dhe sollëm vendime. Jo vetëm për marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, por edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, për rritje të ndihmës sociale, për pensione më të mëdha, për rrogë më të madhe mesatare, për 12 000 të falimentuar, për rrogë më të lartë mesatare, për pensionin e vendosur social shtetëror”, tha Zaev.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski theksoi se po vijnë katër vite fitimtare, po largohet e kaluara e turpshme.

“Programi ynë Ripërtëritja është krijuar me shumë kujdes, në të cilin morën pjesë ekspertë politikë dhe jopolitikë, në manifestin prej 360 faqeve, tekstualisht do të gjeni për secilin nga diçka”, porositi Mickoski.

Ai theksoi se për katër vitet e ardhshme janë paraparë mbi 600 milionë euro për bujqit, në mënyrë inovative të paguhet mundi, e jo siç tha, fushat të mbeten të pa punuara. Ofrojnë reforma për kthim të shtetit juridik, si dhe kthim të dinjitetin nacional dhe drejtim të të gjitha politikave të gabuara. Shëndetësia e cila do të bazohet në preventivë, e jo në tulla dhe tenderë, si dhe ndërtim dhe rikonstruim të 1.000 kilometrave rrugë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së porositi se do të sjellin edhe ligj për kontroll të pronës së politikanëve, ndërkaq që ai do të jetë i pari i cili do t’i nënshtrohet vetingut.

Mickoski porositi se qytetarët nëse votojnë për VMRO-DPMNE-në, tashmë në Maqedoni nuk do të sundojë krimi, ndërkaq pushteti ta fshehë kriminelin siç ishte zakon i LSDM-së.

Ai qytetarëve u premtoi se të gjitha projektet e parapara në program do të realizohen gjatë mandatit katërvjeçar.

“Ato projekte do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por edhe do ta ndihmojnë Republikën e Maqedonisë”, theksoi Mickoski. ab/

Të fundit