11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

“BE për komunat”, 8 komuna të RMV-së do të marrin grante nga 300.000 deri në 800.000 euro

Të mërkurën, më 23 mars 2022 në orën 11:00 në hotelin “Limak” në Shkup, ambasadori David Geer, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian do të paraqesë zyrtarisht konferencën “BE për komunat” dhe do të konfirmojë përsëri mbështetjen e BE-së për komunat e Maqedonisë së Veriut. Konferenca organizohet bashkërisht nga dy programe që financohen kryesisht nga Bashkimi Evropian – ‘BE për komunat’ dhe programi për bashkëpunimin ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Goran Mileski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale do të nënshkruajë marrëveshjet e granteve të bashkëfinancimit me komunat përkatëse që përfitojnë nga të dyja këto programe të financuara nga BE.

Programi “BE për Komunat” është një skemë grantesh me vlerë prej 5 milion euro që u mundësoi 8 komunave të marrin grante të financuara nga BE-ja prej 300,000 – 800,000 euro secila. Përveç kësaj, 11 grante të financuara nga BE u dhanë në kuadër të programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe bashkëpunimi zviceran bashkëfinancojnë deri në 15% të kostove totale të pranueshme të këtyre granteve. Në total, 19 marrëveshje të bashkëfinancimit të granteve pritet të nënshkruhen gjatë konferencës ‘BE për Komunat’.

Qëllimi i dytë i konferencës “BE për komunat” është të lansojë platforma tematike për rrjetëzim në sektorët prioritarë për komunat e Maqedonisë së Veriut, d.m.th. digjitalizimi, menaxhimi i mbeturinave dhe mobiliteti urban. Këta sektorë janë të përfshirë në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe komunat Aerodrom, Ohër, Radovish, Strumicë, Tetovë, Veles, Vrapçishte dhe Qyteti i Shkupit do të zhvillojnë dhe zbatojnë zgjidhje përkatëse inovative me mbështetje nga grantet e financuara nga BE.

Në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, komunave do t’u përkujtohet edhe mundësia për të marrë pjesë në thirrjen e hapur të nisur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian për Çmimin për Komunë të Gjelbër. Komunat kanë shansin të shfaqin aktivitetet me të cilat kanë kontribuar drejt mbrojtjes së mjedisit. Thirrja është për të promovuar praktikat e mira të vendosura në vitin 2021 në nivel komunal në lidhje me menaxhimin e mbeturinave. Me që do të jetë Dita Botërore e Mjedisit, komuna ‘më e gjelbër’ do të shpërblehet më 05 qershor 2022.

Të fundit