14/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel pa kushte

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve. BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

Presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit. Kurti tha se fillimisht do të presë të dhënat për gjendjen e tre policëve të rrëmbyer që po mbahen peng në Serbi.

“Unë kam kërkuar takimin për javën që shkoi, mirëpo më është thënë se njëherë duhet të de-eskalohet gjendja, por më pas kishim rrëmbimin e tre policëve tanë në Leposaviç. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas unë u ftova për një takim të radhës për në Bruksel, që nuk jam i sigurt nëse është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Sido që të jetë, unë fillimisht dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jashari, në burg në Kralevë dhe vetëm më pas kur t’i kem të dhënat e tre policëve tanë që po mbahen peng dhe rob, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, do të marrë vendimin dhe do të jap njoftimin për këtë”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Nga ana tjetër kryeministri shqiptar Edi Rama bëri sërish thirrje për lirimin e tre policëve të rrëmbyer në veri nga forcat serbe. Ai madje paralajmëron se nëse policët nuk do të lirohen këtë javë, do të rikthehet sërish akulli në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Ndërsa paralajmëroi për krisjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, Rama përcolli një mesazh edhe për Kurtin duke i apeluar që të reflektojë për veprimet e tij.

“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shkroi Rama.

Tensionet në veri janë rritur që prej fundit të majit, por ato janë përkeqësuar më 14 qershor pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Ndaj tre policëve, një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. /Alsat.mk  Gazetar: Shkelzen Aqifi

Të fundit