25/04/2024
7.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bekteshi: Gjatë ditës, apo më së voni nesër do të sillet dekreti për kartelat pagesore

 

Më së voni deri të premten, para përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, të shtunën, do të sillen të gjitha dekretet nga pakoja e tretë e masave antikrizë. Përgatitja e tyre është nga fundi, kumtoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi tha se në fillim të javës së ardhshme të gjithë qytetarët do të informohen se si do të marrin ndihmë shtetërore.

“Gjatë ditës, apo më së voni nesër, do të sillet dekreti për kartelat pagesore, ndërkaq po përgatitet edhe dekreti për editimin e vauçerëve i cili deri në fund të javës, më së voni deri në fillim të javës së ardhshme, do t’ia propozojmë edhe Qeverisë. Jemi të gatshëm t’i sjellim para përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme të shtunën, më së voni deri të premten, duke pasur parasysh se institucionet ishin ekspeditive”, theksoi ministri, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në të cilën informoi se janë marrë koncesione për lëndë të para minerale në fshatin e Strugës Labënishtë.

Lidhur me protokollet për të cilat objektet hotelierike ankohen se nuk kanë marrë akoma, ndërkaq prej nesër disa prej tyre duhet të fillojnë me punë, Bekteshi përsëriti se vendimi qeveritar i sjellur dje vlen dhe ka të bëjë vetëm me ata që kanë veranda.

Hotelierët do të mund të punojnë deri në orën 20:00, me nga maksimum katër persona në një tavolinë. Siç sqaroi Bekteshi, protokollet janë përgatitur derisa ka zgjatur gjendja e jashtëzakonshme. Është paraparë se në faza do të hapen dhe këtu nuk ka ndryshime të konsiderueshme.

Protokollet u janë parashtruar odave ekonomike.

“Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë tashmë morën vërejtje nga odat për protokollet e parashtruara tek ata. Ne tashmë sollëm vendim për hapje të objekteve hotelierike prej nesër, por kjo vlen vetëm për ata të cilët kanë veranda dhe në pajtim me protokollet për hapësirë, dezinfektim dhe sjellje të klientëve dhe të hotelierëve. Vendimi është vetëm të punojnë objektet të cilat kanë veranda dhe ta respektojnë distancën. Patëm protokoll të përgatitur nga ana e Komisionit për sëmundje ngjitëse i cili duhej të zhvillohej në tre faza. Për sjelljen e vendimit të djeshëm e respektuam propozimin e Komisionit për fazën e dytë ku është paraparë vetëm hapja e atyre objekteve që kanë veranda në pajtim me protokollet. Pothuajse 99 për qind e të gjitha propozimeve të Komisionit të dhëna prej se filloi gjendja e jashtëzakonshme janë pranuar nga Qeveria, kështu vendosëm edhe kësaj radhe, ta respektojmë vendimin e Komisionit. Do ta ndjekim situatën, si po respektohen protokollet dhe rekomandimet e miratuara në mbledhjen e jashtëzakonshme, nëse respektohen, do t’i hapim edhe ato të mbyllurat”, theksoi ministri.

Për vajin ekstra të lehtë ende nuk është sjellë vendimi. “Është shumë me rëndësi të ceket fakti se Ministria e Ekonomisë i bëri ndryshimet më të rëndësishme në pjesën e energjetikës, naftës dhe derivateve të naftës, të gjitha palët e involvuara janë kyçur në përgatitjen e rregulloreve, edhe kompanitë e mëdha, edhe ato të vogla. Ata i dhanë propozimet e veta, ndërkaq morën pjesë edhe në debatin publik, në pajtim me propozimet e tyre dhe analizat e drejtorisë së doganës dhe byrosë për metrologji do të sillen vendime adekuate. Atëherë do të kumtojmë edhe çka kanë treguar analizat. Një pjesë e madhe e kompanive e dinë atë. ab/

Të fundit