25/04/2024
6.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bekteshi: Kemi çmime më të lira për derivatet në rajon

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi doli për të parë nga afër nëse po paguhen më shumë ata që po punojnë edhe të dielën, sipas ligjit “E diela ditë jo pune”. Këtë zgjodhi ta bëj në njërën nga qendrat tregtare në Shkup, të cilat mund të punojnë të dielave.

Pasi vizitoi disa dyqane, u fut edhe në supermarket.

Duke kaluar nga raftet e bukës, për të cilat ditë më parë nxori llogari fiskale se një bukë është 25 denarë, TV21 e pyeti se si po duken çmimet?

Gazetarja: Ministër si po ju duken çmimet e bukëve?
Përgjigje nga Ministri nuk morëm, e as në këtë market nuk gjetëm bukë për 25 denarë.

Pas kontrollit, ku konstatuan se nuk ka shkelje për respektimin e ligjit “E diela ditë jo pune”, Bekteshi pohoi se do të ketë rritje të çmimeve në produkte ushqimore dhe derivatet e naftës, por sipas tij Ministria e Ekonomisë nuk i përcakton ato dhe nuk e di se si do të jenë. Që rritjet e çmimeve të mos jenë në dëm të qytetarëve, premtoi pako me masa lehtësuese.

“Për produkte të caktuara sipas vendimit kishte ulje të çmimit, në disa kishte rritje. Inspektorati i tregut nesër dorëzon raportin dhe për ato që është konstatuar se ka rritje e që nuk varen nga tregtarët me pakicë dhe shumicë, ne do të sjellim masa shtesë lehtësuese, me qëllim që qytetarët të mos paguajnë çmime më të larta”, tha Bekteshi.

Nesër pritet që Komisioni rregullator t’i kumtojë çmimet e reja të derivateve të naftës. Bekteshi premton se vendi ynë do të ketë çmim më të ulët të karburantëve në rajon.

“Çmimet i përcakton Komisioni rregullator, unë mund të sigurojë qytetarët se Maqedonia e Veriut siç ka qenë lider në rajon edhe këtë radhë do të ketë çmimet më të lira duke krahasuar me shtetet fqinje”, shton Bekteshi.

Bekteshi deklaroi se nuk ka vërejtur se ka rafte të zbrazëta. Shton se nëse qytetarët shohin diçka të tillë në shitore të tjera, le të paraqiten në numrin 191, pasi përveç Inspektoratit Shtetëror të Tregut, në terren janë edhe Drejtoria për të Ardhura Publike dhe Policia Financiare.

Të fundit