29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Beogradi kërkon kufi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, tha të martën se propozimi zyrtar i Beogradit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është kufiri ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ai i barti këto komente në Beograd gjatë punimeve të një konference mbi të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit, duke theksuar se “çështja se ku do të shtrihej vija ndarëse nuk është përcaktuar” dhe se kjo ide e hedhur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nuk është përpunuar gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Kur ai (Aleksandër Vuçiç) filloi të fliste për këtë, për vënien e kufirit, të gjithë u hodhën në sulm kundër tij. Deri tash kanë ekzistuar vetëm dy mundësi; ose Kosova është krahinë, ose është e pavarur. Për asgjë tjetër nuk është folur”, tha ai, duke nënvizuar se kjo është mundësia më e mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

I pyetur më pas gjatë ditës për këtë qëndrim të ministrit të Jashtëm, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, theksoi se një ide të tillë e kishte dhënë para dy vjetësh.

Mundësia që kufijtë e Kosovës dhe Serbisë të bëhen pjesë e një procesi bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, është hedhur në verën e vitit të kaluar nga presidenti serb, Alëksandër Vuçic dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa presidenti serb flet për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohet për “korrigjimin e kufijve”.

Në fillim të muajit shkurt ai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se “do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës, duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën dhe as hapësirat e tjera”.

Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur kundërshtime në Kosovë ku ndër më të zëshmit është kryeministri Ramush Haradinaj, i cili hedh poshtë çdo mundësi të tillë.

Idetë kanë nxitur reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Gjermania prin si kundërshtare e ideve të tilla që sipas saj mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.

Por, procesi i bisedimeve që do të çonin tek një marrëveshje është pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.

Të fundit