20/04/2024
3.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

BERZH: Pas rënies së BPV-së prej 3,5 për qind sivjet, rritje e ekonomisë në Maqedoninë e Veriut prej 5,5 për qind vitin e ardhshëm

Gjatë vitit 2020 Maqedonia e Veriut do të shënojë rënie të BPV-së prej 3,5 për qind, si rezultat i pasojave ekonomike nga pandemia e virusit korona, pas çka vitin e ardhshëm pritet që vendi të shënojë rritje ekonomike prej 5,5 për qind, bëhet e ditur në parashikimet më të reja makroekonomike të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në raportin e BERZH-it, me titull “Perspektiva rajonale ekonomike”, bëhet e ditur se me supozimin e efektit afatshkurtër nga pandemia e Kovid-19, pasojat mbi ekonominë e Maqedonisë do të jenë “të matura”.

Banka bën të ditur se pritet në aspektin global ekonomitë në mesatare sivjet të kenë rënie prej 3,5 për qind, pas çka në vitin 2021 pritet rritje prej 4,8 për qind, me përkujtimin se këto parashikime nuk janë të sigurta për shkak të pasigurisë me zhvillimin e krizës së koronës.

Sipas ekonomistit kryesor të BERZH-it, Beata Javorçik për rrugëdalje nga kriza në nivel global, kyçe janë bashkëpunimi më i madh dhe fleksibiliteti ekonomik.

“Kriza paraqiste goditje të madhe dhe dalja prej saj do të paraqesë një sfidë po aq të madhe. Kjo nuk është kohë për nacionalizëm ekonomik dhe proteksionizëm, por është kohë që të ndërtohet ardhmëri më e mirë përmes përkushtimit ndërkombëtar drejt tregtisë së lirë, zbutjes së ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunimit ekonomik”, thekson Javorçik.

Në raportin parashikohet se në periudhë afatgjate kriza e koronës do të ketë ndikim të matur mbi ekonominë, me ç’rast pritet që rritja ekonomike të vazhdojë nga fundi i tremujorit të tretë të këtij viti, por theksohet se potencialisht edhe më tutje janë të mundshme efekte të rëndësishme afatgjate ekonomike, politike dhe sociale nga pandemia.

Nëse masat e izolimit mbeten në praktikë shumë më gjatë se ajo që është parashikuar, recesioni mund të jetë shumë më i madh, ndaj niveli i rritjes ekonomike prej vitit 2019 nuk do të mund të arrihet në disa vitet e ardhshme, bëhet e ditur në raportin.

Në nivel global masat e ndërmarra për përballje me pandeminë ka ndikuar në kërkesën dhe ofertën vendore, gjë që rezultoi me rënie të përnjëhershme të çmimeve të mallrave, probleme në punën e eksportuesve, shkelje të vlerave globale, kolaps të turizmit dhe rënie të nivelit të remitencave devizore nga bota e jashtme.

Thuajse të gjitha ekonomitë në zhvillim nga Evropa Qendrore dhe Lindore, Azia Qendrore, Lindja e Afërt dhe Afrika e Veriut, sipas BERZH-it, me siguri do të kenë pasoja ekonomike gjatë këtij viti, vetëm me një numër të vogël të përjashtimeve, si Turkmenistani, Uzbekistani dhe Egjipti.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, goditje e madhe pritet mbi ekonomitë e Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të cilat, siç bëhet e ditur, mbështeten në prodhimtarinë industriale, për Shqipërinë dhe Malin e Zi vlerësohet se do të preken për shkak të goditjes mbi turizmin, përderisa Kosova, por deri në njëfarë niveli edhe ekonomitë tjera të Ballkanit Perëndimor, do të kenë konsum të zvogëluar vendor si rezultat i remitencave të zvogëluara nga bota e jashtme.

Rritje reale e BPV-së në përqindje

Real

Parashikimi maj 2020

Dallimi në raport me parashikimin e nëntorit të vitit 2019
2018 2019 2020 2021 2020
Ballkani Perëndimor 4,0 3,5 -4,8 7,1 -8,1
Shqipëri 4,1 2,2 -9,0 12,0 -12,5
Bosnjë e Hercegovinë 3,7 2,6 -4,5 6,0 -7,5
Kosovë 3,8 4,2 -5,0 7,5 -9,0
Maqedoni e Veriut 2,7 3,6 -3,5 5,5 -6,7
Serbi 4,4 4,2 -3,5 6,0 -7,0
Mali i Zi 5,1 3,5 -8,0 10,5 -10,6
BE vende nga EJL-ja 3,4 3,3 -4,8 4,6 -7,7
Bullgari 3,1 3,4 -5,0 4,0 -8,0
Greqi 1,9 1,9 -6,0 6,0 -8,4
Qipro 4,1 3.2 -6,0 5,0 -8,8
Rumani 4,4 4,1 -4,0 4,0 -7,2

Anëtaret e BE-së nga Evropa Juglindore, gjithashtu, me siguri do të jenë seriozisht të prekura nga kriza e koronës, para së gjithash për shkak të rënies në turizmin, gjë që veçanërisht do të reflektohet mbi Qipron, Greqinë dhe Bullgarinë.

Për Turqinë parashikohet rënie e BPV-së për 3,5 për qind në vitin 2020, pas çka do të vijojë një forcim i fuqishëm ekonomik me rritje prej 6,0 për qind të vitit të ardhshëm.

Në Evropën Qendrore dhe vendet baltike, masat restriktive që përfshinin kufizime të konsiderueshme, do të kenë pasoja para së gjithash mbi industrinë automobilistike, në të cilën për shembull bën pjesë thuajse gjysma e prodhimtarisë industriale të Sllovakisë. Kërkesa e dobët e jashtme me siguri do të prolongojë përmirësimin e ekonomive në këtë rajon, të cilat pritet që në mesatare sivjet të kenë rënie prej 4,3 për qind, por do të kenë rritje të fuqishme prej 4,5 për qind në vitin 2021.

Në raportin veçanërisht përmendet Polonia, si ekonomi më e madhe në këtë rajon, e cila nuk përjetoi goditje më të madhe gjatë krizës globale financiare në vitin 2008 dhe 2009 dhe për të cilën parashikohet rënie të ekonomisë prej 3,5 për qind gjatë këtij viti dhe rritje prej 4,0 për qind gjatë vitit të ardhshëm.

epa08296720 A man walks by shops on the world-wide famous Shenzhen Electronics Market in Shenzhen, Guangdong province, China, 13 March 2020 (issued 16 March 2020). China’s value-added industrial output, an important economic indicator, fell 13.5 percent year-on-year in the first two months of 2020 as the coronavirus outbreak hurt activities, according to a report issued by the National Bureau of Statistics on 16 March 2020. EPA-EFE/ALEX PLAVEVSKI

Ekonomitë në Azinë Qendrore, të cilat u gjetën nën presionin e rënies së çmimeve të mallrave dhe reminitencave, në mesatare do të shënojnë rënies prej 1,2 për qind sivjet, pas çka në vitin 2021 do të kenë rritje prej 5,8 për qind. Kazakistani dhe Uzbekistani kanë potencial të sigurojnë stimulim të konsiderueshëm për ekonomitë e tyre, por vendet më të vogla, si Kirgistani, Mongolia dhe Taxhikistani, të cilat kanë hapësirë të kufizuar fiskale, do të shënojnë rritje të konsiderueshme të borxhit, presion të fuqishëm mbi tregjet vendore devizore dhe kërkesë të zvogëluar të huaj.

Çmimet më të ulëta të mallrave kanë ushtruar presion plotësues mbi eksportuesit e karburanteve dhe metaleve, siç është Azerbajxhani, Ukraina dhe Armenia, derisa rënia e pritur e reminitencave nga bota e jashtme do të ketë ndikim të veçantë mbi Moldavinë, Armeninë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, ekonomia e të cilave do të preket në mënyrë plotësuese edhe nga humbja e të ardhurave nga turizmi.

Për Ukrainën pritet që ekonomia të shënojë rënie prej 4,5 për qind në vitin 2020 dhe rritje prej 5,0 për qind vitin e ardhshëm. Rusia, ekonomia e së cilës është prekur konsiderueshëm nga rënia globale e kërkesës dhe çmimeve të naftës, pritet rënie ekonomike prej 4,5 për qind sivjet dhe rritje prej 4,0 për qind në vitin 2021.

Në rajonin jugor dhe lindore të Mesdheut, pritet ndikim i veçantë negativ nga kriza e koronës mbi turizmin, që ishte boshti kryesor lëvizës i rritjes së të gjitha ekonomive në këtë rajon në vitin 2019, me çka do të ndërlidhet edhe rënia e kërkesës nga partnerët kryesore tregtarë dhe zvogëlim të derdhjeve të investimeve të drejtpërdrejta të huaja.

BERZH-i në fund thekson se këto parashikime në masë të madhe megjithatë do të varen nga kohëzgjatja dhe vëllimi i masave për përballje me virusin korona. em/shk/

Të fundit