25/04/2024
8.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Besimi: Në Buxhetin e propozuar për vitin 2023 shpenzimet kapitale janë më të larta se deficiti i buxhetit

Buxheti i propozuar për vitin 2023 është në pajtim me rregullën e artë në financat publike – shpenzimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor, përkatësisht do të merret hua vetëm për financim të projekteve investuese. Realizimi i buxhetit do të udhëhiqet sipas parimit vlerë për paratë e investuara, me ç’rast do të kihet kujdes që paratë e qytetarëve të shfrytëzohen atje ku japin efekte më të mëdha në realizimin e qëllimeve për cilësi më të madhe të jetës, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi duke e arsyetuar Propozim-buxhetin e plotësuar të Republikës së Maqedonisë së veriut për vitin 2023 në fillim të mbledhjes së sotme të Kuvendit.

Propozim-buxheti për vitin 2023, thekson ministri, është real, i locon prioritetet dhe alokon në mënyrë adekuate mjete të qytetarëve dhe ndërmarrjeve. Gjatë vitit 2023 është planifikuar përmirësim i vazhdueshëm i sistemit për planifikim të Buxhetit, përmes kontrollit më të mirë të shpenzimeve dhe ndërmarrjes së propozim masave të caktuara në anën e shpenzimeve dhe anën e të ardhurave.

“Të ardhurat e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2023 janë planifikuar në nivel prej 282,1 miliardë denarë dhe të njejtat janë për 14,8 për qind më të larta në raport me vitin 2022, përderisa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 324,8 miliardë denarëve apo për 12,6 më të larta në krahasim me vitin 2022. Deficiti buxhetor është planifikuar në nivel prej 4,6 për qind të BPV-së së planifikuar apo 42,7 miliardë denarë”, sqaroi Besimi.

Projeksionet për të ardhurat e Buxhetit për vitin 2023 bazohen në zërat e ardhshëm – realizim i të ardhurave në vitin rrjedhës 2022, pritjet për rritjen ekonomike dhe përmirësim të efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit për pagesë të të ardhurave publike.

“për realizim të projeksioneve të të ardhurave janë planifikuar masa dhe aktivitete në drejtim të përmirësimit të rregullativës tatimore ekzistuese; uljes së evazionit tatimor; vendosje e teknologjive avancuese; modernizim dhe automatizim i proceseve të punës; përforcim i kapaciteteve të institucioneve për grumbullim të të ardhurave; pagesë e rritur dhe më efikase e të ardhurave tatimore; si dhe përforcim i koordinimit institucional”, theksoi Besimi.

Të ardhurat e përgjithshme tatimore, të cilat i përfshijnë të ardhurat në bazë të tatimit të fitimit, tatimit të të ardhurave personale, tatimit të vlerës së shtuar, akcizave, të dhënave importuese dhe të ardhurave të tjera tatimore dhe të ardhurave individuale të shfrytëzuesve buxhetorë, në Buxhetin për vitin 2023 janë projektuar në shumë prej 162,6 miliardë denarë, që, siç tha, është për 13,6 për qind mbi shumën e të ardhurave të planifikuara me Buxhetin për vitin 2022. Të njejtat marrin pjesë me 17,7 për qind në BPV-në për vitin 2023, që është përafërsisht njejtë me pjesëmarrjen në vitin e kaluar.

Shtoi se shpenzimet e përgjithshme në Buxhetin për vitin 2023, janë planifikuar në shumë prej 324,8 miliardë denarë, apo për 36,3 miliardë denarë më të larta në raport me Buxhetin për vitin 2022.

Shpenzimet rrjedhëse për vitin 2023 janë planifikuar në shumë prej 276,1 miliardë denarë apo për 7,7 për qind më shumë në raport me vitin 2022, janë dedikuar për pagesë të rregullt të rrogave për të punësuarit në sektorin publik, pagesë të rregullt dhe me kohë të pensioneve, të ardhura të garantuara minimale dhe të drejta të tjera sociale, pagesë të subvencioneve në bujqësi, mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe mesme, mbështetje dhe subvencionim i aktiviteteve inovative, si dhe mbështetje të sektorit energjetik.

“Qëllimi i Propozim – Buxhetit për vitin 2023 është të ndihmojë në zbutjen e pasojave nga kriza energjetike, të sigurojë financim të papengueshëm të integrimeve euroatlantike, përmbushje të standardeve të NATO-s, por edhe të vendosë bazë për rikuperim ekonomik dhe të sigurojë përshpejtim të rritjes ekonomike. Ky Propozim-Buxhet është dizajnuar për përmbushje të përcaktimit për konsolidim fiskal dhe sigurim të qëndrueshmërisë fiskale”, shtoi Besimi.

Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej rreth 48,8 miliardë denarë apo për rreth 51,8 për qind më lartë në raport me planin për vitin 2022, me ç’rast për financim të investimeve është planifikuar të sigurohen mjete nga disa burime dhe atë: mjete buxhetore, IPA fonde dhe kredi. Niveli i planifikuar i shpenzimeve kapitale për vitin 2023 merr pjesë me 5,3 për qind të BPV-së.

Deficiti i projektuar për vitin 2023 në shumë prej 42,7 miliardë denarëve si dhe pagesa e borxhit në shumë prej 52,1 miliardë denarë, prej të cilave borxhi i jashtëm në shumë prej 36,5 miliardë denarëve dhe borxhi vendor në shumë prej 15,6 miliardë denarëve, do të financohen përmes detyrimit vendor dhe të huaj.

Të fundit