27/09/2022
16.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Besimi: Reformë tatimore – për rritje ekonomike, luftim të ekonomisë gri dhe detyrime të drejta publike

Këtë javë zhvilluam debat publik për reformën në sistemin tatimor. Patëm diskutim me përfaqësues së komunitetit të biznesit, grup me shtrirje dhe spektër të gjerë interesash. Debati do të vazhdojë me të gjithë pjesëmarrësit shoqërorë (palët e tanguara). Nëpërmjet këtij debati do të precizohen zgjidhjet konkrete, prandaj është herët që të flitet për to. Këtë kolumnë ia dedikoj Konceptit të reformës tatimore. Koncepti orientohet drejt krijimit të sistemit tatimor optimal, i cili do të përkrahë rritjen ekonomike dhe standardin e jetesës së qytetarëve.

Para së gjithash, do të theksoj se vazhdojmë me reformë të madhe fiskale ose sistem SMART të financave publike. Ky sistem do të luajë rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë sonë nga kriza me të cilën përballemi dy vitet e fundit. Më tej, ai do të krijojë norma më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike, nëpërmjet menaxhimit strategjik, llogaridhënës dhe transparent të financave publike. Sa i përket anës së shpenzimeve, vendosim mekanizma për planifikim strategjik, buxhetim bazuar në rezultatet e arritura paraprake, përforcim të kontrollit dhe transparencë.

Lidhur me anën e të hyrave në financat SMART nevojitet përmirësim të arkëtimit, përfshirje më të madhe tatimore, për të pasur hapësirë fiskale për politikat që stimulojnë rritje më të lartë ekonomike në periudhë afatmesme. Sigurimi i të hyrave nga burime të sigurta nënkupton stabilitet dhe shmangie të politikës fiskale prociklike dhe rritjes së borxhit publik. Prandaj, përmirësimi i stabilitetit, efikasitetit dhe cilësisë së sistemit të përgjithshëm të të hyrave në vend do të sigurojë menaxhim të qëndrueshëm dhe të mirë të financave publike.

Sistem tatimor për rritje ekonomike

Norma e rritjes ekonomike të një vendi varet nga një sërë faktorësh, si inovacioni, aktiviteti investues, qasja në financim, ndërmarrësia, shkathtësitë dhe mobiliteti i fuqisë punëtore, fleksibiliteti i tregut të punës, kostot e punës, personeli i kualifikuar, procedurat administrative, infrastruktura, sundimi i ligjit etj. Sistemi tatimor luan rol të rëndësishëm nëpërmjet ndikimit të tij mbi të gjithë këta faktorë. Miksi tatimor, normat tatimore, cilësia e administratës tatimore, kompleksiteti i rregullave tatimore, parashikueshmëria, rrjeti i marrëveshjeve ndërkombëtare për shmangien e tatimimit të dyfishtë, stimujt tatimorë, baza tatimore – e gjithë kjo ndikon në rritjen ekonomike të vendit.

Koncepti i financave SMART është që të gjithë ta paguajmë, siç do të thoshin amerikanët, “pjesën tonë të drejtë” (“fear share”). Kjo vlen edhe për ata që janë pjesë e ekonomisë formale, por mbi të gjitha për formalizimin e sektorit joformal, nëpërmjet vendosjes në sistem të obliguesve tatimorë. Kjo është në fakt mënyra më korrekte për të siguruar mjete për përshpejtimin e rritjes ekonomike, por edhe për nevojat aktuale, të tilla si pakot antikrizë, pa rritur borxhin publik.

Esenca e reformës tatimore – tatimimi i drejtë, zgjerimi i bazës tatimore dhe tatimimi “i gjelbër”.

Esenca e reformës tatimore që planifikojmë bazohet në rritjen e bazës tatimore, pa rritur normat tatimore. Në mënyrë të përshpejtuar do të zbatohet edhe Plani aksional për luftimin e ekonomisë joformale, që do të thotë rritje shtesë e bazës që i nënshtrohet tatimeve.

Baza tatimore është gjithçka që tatimohet: të ardhurat ose të hyrat e përgjithshme, vlera e patundshmërive të poseduara, konsumi, transaksionet apo aktivitete të tjera ekonomike. Ajo që prej vitesh nënvizohet si vërejtje dhe rekomandim nga institucionet financiare ndërkombëtare janë kostot tatimore, resprektivisht lirimet dhe trajtimi preferencial për kategori të caktuara të të hyrave në tatimet individuale. Nëse një grup i targetuar, produkt, shërbim ka trajtim të privilegjuar, duhet të ketë argument të fuqishëm ekonomik ose social – Përse?! Trajtimi preferencial duhet të sjellë përfitim më të madh në raport me koston tatimore.

Sistemi tatimor ka gjithashtu rol korrigjues në proceset ekonomike dhe shoqërore. Sipas Gregory Mankiw, profesor me famë botërore në Universitetin e Harvardit, sistemi tatimor optimal konsiston në maksimizimin e mirëqenies sociale nëpërmjet një sërë kufizimesh (këndvështrim të ngjashëm kanë edhe ekonomistë të tjerë si Ramsey dhe Mareles). Ai është gjithashtu përkrahës i “Tatimeve – Pigou” (të ashtuquajtura sipas ekonomistit britanik të fillimit të shekullit të kaluar, Arthur Pigou), respektivisht tatimeve mbi aktivitetin që shkakton efekte negative apo kosto shtesë për personat e tretë. Shembull tipik lidhur me këtë janë tatimet për ndotësit e mjedisit jetësor. Këto tatime janë të njohura në mesin e ekonomistëve, sepse ato janë shpesh mënyra më pak invazive për të “rregulluar gjërat” dhe për të rritur gjithashtu të hyrat, të cilat qeveria mund t’i shfrytëzojë për uljen e tatimeve të tjera. Këtu arrijmë në pjesën e dytë të konceptit të reformës tatimore, resprektivisht “tatimimi i gjelbër”.

Përpara se ta shpjegoj konkretisht konceptin tonë, mbi bazën e të cilit do të zbatohet reforma tatimore, dhe në interes të transparencës dhe informimit të lexuesit, fillimisht do të përmend disa shifra krahasuese për përfshirjen tatimore në vendin tonë, rajon dhe BE.

Realizim më i ulët i të hyrave tatimore krahasuar me BE-në dhe Ballkanin Perëndimor

Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ishim vazhdimisht në nivel më të ulët për sa i përket detyrimeve të arkëtuara si pjesëmarrje e PBB-së, si në raport me BE-në ashtu edhe në raport me rajonin.

Resprektivisht, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2020, ka hendek të madh ndërmjet pjesëmarrjes së të hyrave nga tatimet dhe kontributet në PBB në BE-27 dhe në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2008, të hyrat e përgjithshme nga tatimet dhe kontributet sociale ishin 38.4% të PBB-së së BE-27, që është për 10.7 pikë përqindje mbi atë që është realizuar në Maqedoninë e Veriut (27.7%). Gjithashtu, ky hendek ka vijuar duke u thelluar ndër vite, me ç’rast në vitin 2020 shënon 13.8 pikë përqindjeje. Gjithashtu, në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, bindshëm kemi realizim më të ulët. Pjesëmarrja e të hyrave tatimore në PBB në vendin tonë është edhe më e ulët, në vitin 2020 ishte 16.1%.

Pse janë të rëndësishme këto të dhëna? – Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, pjesëmarrja e të hyrave tatimore në PBB është sinjifikative për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë, pasi siguron që vendet të kenë në dispozicion mjete të nevojshme për të investuar në të ardhmen dhe për të arritur rritje të qëndrueshme ekonomike. Vendet e zhvilluara zakonisht kanë pjesëmarrje më të lartë. Mesatarja në vendet e Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD) ishte 33.8% në vitin 2019 ose dyfishi krahasuar me rezultatin tonë.

Ky nuk është sinjal, por shenjë e dukshme se duhet të ndërmerren masa, nëse duam, së pari të konsolidohemi dhe pas krizës së gjatë dhe të thellë, të sigurojmë jetesë më të mirë për qytetarët tanë.

Koncept për sistem më të mirë tatimor dhe diskutim

Në procesin e reformës tatimore, debatin publik, si dhe më tutje në hartimin e propozimeve, do të ketë shumë “pro” dhe “kundër”, grupe lobuese, resprektivisht palë të interesuara. Pa dyshim, shumica do të mbrojnë interesat e tyre individuale. Por fillimi i jetesës më të mirë për të gjithë ne është kur fillojmë të mendojmë për efektet e përgjithshme. Do të elaboroj një shembull ilustrues: Nëse jam menaxher i një kompanie farmaceutike në kohë pandemie, nga tatimet që paguaj, logjikisht duhet t’i përkrah masat antikrizë të Qeverisë për sektorin e shërbimeve, sepse atje punojnë mijëra konsumatorë të mi – nëse atyre u shterojnë mjetet edhe kompania ime do të jetë në rrezik. Të gjithë jemi pjesë e zinxhirit dhe sa të suksesshëm do të jemi në ekonomi dhe në procese shoqërore, varet nga fakti se sa është fitimi i vogël personal që do ta vendosim në funksion të fitimit të madh të përgjithshëm, për të gjithë ne.

Draft versioni i konceptit u zhvillua përmes procesit transparent dhe inkluziv, duke filluar nga muaji shkurt 2022, me involvimin e përfaqësuesve të biznesit dhe komunitetit akademik në grupe të punës, me ç’rast janë kryer analiza të gjithanshme dhe të thella lidhur me sistemin tatimor aktual dhe praktikat më të mira evropiane. Gjithashtu, gjatë konceptimit të zgjidhjeve të propozuara, janë marrë parasysh edhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare si FMN-ja, Banka Botërore, OECD-ja dhe BE-já.

Koncepti i reformës tatimore bazohet në Strategjinë e reformës tatimore – resprektivisht, ky është proces afatgjatë, i planifikuar dhe i analizuar mirë, i miratuar nga Qeveria në muajin dhjetor të vitit 2020. Qëllimet kryesore të strategjisë janë sigurimi i sistemit tatimor të drejtë (të paanshëm), efikas, transparent dhe modern, i cili do të bazohet në teknologji moderne dixhitale dhe inovacione në tatimim, në funksion të arritjes së rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme.

Përcaktuam pesë prioritete me strategjinë: Drejtësi më të madhe në tatimim, efikasitet dhe efektivitet më të madh në sistemin tatimor për arkëtim më të mirë të të hyrave, rritje të transparencës tatimore, cilësi më të mirë të shërbimeve dhe vendosje të tatimimit ekologjik (“të gjelbër”).

Të nxitur nga këto qëllime dhe prioritete të reformave të sistemit tatimor, Ministria e Financave hartoi Draft konceptin e reformave tatimore. Ky koncept parasheh qasje në etapa në rihartimin e sistemit të tatimimit në vend, përkatësisht përcakton dinamikën e konceptualizimit dhe zbatimit të reformave në fusha të caktuara tatimore.

Për sa i përket tatimit mbi fitimin, tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar, parashihen: koncepte reformash të politikës tatimore, miratimi i propozim ndryshimeve të ligjeve, si dhe zbatimi i zgjidhjeve të reja ligjore.

Koncepti i reformave të politikës tatimore në fushën e tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale i referohet rishikimit të trajtimeve tatimore preferenciale (stimujt dhe lehtësimet tatimore ose të ashtuquajturat shpenzime tatimore) që çekuilibrojnë neutralitetin e sistemit tatimor përmes favorizimit të kategorive të obliguesve tatimorë ose aktiviteteve. Kështu, ndikojnë negativisht në drejtësinë e tij dhe kontribuojnë në rritjen e pabarazisë në shoqëri, çekuilibrojnë qëndrueshmërinë e sistemit, me ç’rast krijojnë hapësirë sinjifikative për arbitrazh tatimor ose shmangie të pagesës së tatimit dhe mund të shkaktojnë joefikasitet në ekonominë reale. Kështu, do të mundësohet krijimi i hapësirës fiskale për zbatimin e politikës tatimore aktive për stimulimin e investimeve në sektorin privat dhe publik, në teknologjitë që përkrahin tranzicionin e gjelbër dhe transformimin dixhital, për përkrahjen e prioriteteve strategjike të vendit në këto fusha.

Gjithashtu, planifikohet thjeshtësimi dhe modernizimi i teksteve ligjore me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe efikasitetit në zbatimin e rregulloreve nga obliguesit tatimorë dhe administrata tatimore.

Tek tatimi mbi vlerën e shtuar nevojitet përforcimi i mëtejshëm i parimeve themelore të sistemit, resprektivisht parimeve të neutralitetit dhe konkurrencës, përmes reduktimit të listës së të mirave dhe shërbimeve për të cilat zbatohet norma preferenciale e tatimit, si dhe tatimimi i qarkullimit të caktuar (sipas shembullit të vendeve të BE-së). Gjithashtu, nevojitet precizimi i mëtejshëm i të drejtave dhe detyrimeve të obliguesve tatimorë në aspekt të të drejtës së zbritjes (heqjes) së tatimit paraprak, që do të mundësojë siguri më të madhe juridike për obliguesit tatimorë, efikasitet më të madh në zbatimin e kontrollit dhe në arkëtimin e të hyrave tatimore nga administrata tatimore.

Zbatimi i zgjidhjeve të reja ligjore në masë më të madhe pritet të fillojë nga viti 2023.

E njëjta gjë vlen edhe për politikën tatimore në fushën e akcizave dhe tatimimit të gjelbër. Tatimimi i gjelbër i referohet stimulimit të obliguesve tatimorë për ta reduktuar sjelljen e tyre me të cilën kontribuon në ndotjen e mjedisit jetësor. Qëllimi kryesor është ballafaqimi me ndotjen dhe mbrojtja e burimeve natyrore për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Me planet vjetore aksionale në Strategjinë e reformës së sistemit satimor parashihet avancimi i punës së administratës tatimore dhe doganore nëpërmjet dixhitalizimit të mëtejshëm të proceseve dhe përforcimit të transparencës dhe efikasitetit në sistemin tatimor dhe luftimin e ekonomisë joformale.

Gjithashtu, nëpërmjet Planit aksional për luftimin e ekonomisë gri përmes 6 prioriteteve të mëposhtme do të veprojmë në drejtim të uljes së ekonomisë gri dhe vendosjes së këtyre subjekteve në ekonominë formale, me ç’rast përfshihen masa dhe aktivitete për: 1. Avancim të procesit të matjes, monitorim dhe detektim të ekonomisë gri; 2. Shërbime efikase inspektuese; 3. Mjedis më të mirë afarist për themelim, rritje dhe zhvillim të kompanive; 4. Ngritje të ndërgjegjësimit për ekonominë gri dhe forcim të moralit tatimor; 5. Adresim të ekonomisë gri në e-tregti; 6. Masa të Drejtorisë Doganore në luftimin kundër ekonomisë joformale.

Sistemi tatimor si tërësi dhe konsensus

Në fund, do të theksoj se çdo reformë tatimore duhet të balancojë ndërmjet qëllimeve të shumta dhe kompromiseve. Sistemi tatimor duhet parë si tërësi. Rëndësi ka që t’i qasemi të gjithë procesit me vizion dhe analizë të qartë. Por edhe me diskutim dhe konsensus. Rëndësi ka që të gjithë të dimë arsyen se pse bëhet diçka, për çfarë qëllimi dhe sigurisht të merret mendimi dhe të kuptohet qëndrimi i pjesëmarrësve shoqërorë. Hyjmë në një proces i cili nëse zbatohet me sukses, do të prosperojmë ne dhe ekonomia jonë.

Kjo bëhet edhe më domethënëse nëse merret parasysh fakti se reforma zbatohet në një kohë kur përballemi me disa kriza të njëpasnjëshme ekonomike – Covidi, kriza energjitike dhe inflacioni, që u bënë edhe më komplekse me invazionin e Rusisë në Ukrainë.

Potencoj se ndryshimi në legjislacionin tatimor duhet të bëhet njëkohësisht me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe me luftimin e korrupsionit. Krahas trajtimit të barabartë të obliguesve tatimorë, resprektivisht parimit të neutralitetit tatimor, duhet të respektohen edhe parimet e buxhetit të efikasitetit dhe efektivitetit. Si obligues tatimorë, kemi të drejtë të dimë se si shpenzohen paratë publike, në cilat fusha prioritare investohen ato, si është cilësia e shërbimeve publike, a sanksionohen kostot e paligjshme dhe të padestinuara buxhetore dhe si politika dhe praktika tatimore ndikon në cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë. Nga kjo do të varet edhe morali tatimor (shkalla e përmbushjes së detyrimeve tatimore) dhe qëndrimi ndaj reformave tatimore në përgjithësi. Prandaj, përgjigja institucionale duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e paanshme, mbipartiake dhe me ndikim të gjerë. Kemi për detyrë të ndërtojmë të ardhme të begatë për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme, që do të bazohet, ndër të tjera, në sistem tatimor optimal dhe politikë tatimore smart.

Në vijim…

Politika tatimore është temë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe sensitive në shoqëri, e cila zakonisht paraqet temë të nxehtë politike, veçanërisht në kohë krize ekonomike. Tatimet me efektin e tyre ridistributiv kanë implikime të gjera dhe të thella ekonomike dhe sociale, ndërsa politika tatimore është temë e vazhdueshme edhe në ekonominë politike për implikimet e saj mbi rritjen ekonomike dhe mirëqenien shoqërore.

Duke marrë parasysh gjerësinë e temës, do të përpiqem t’i rikthehem kësaj teme në kolumnat e vijuese, ku do të fokusohem në disa aspekte, të tilla si: Sistemi tatimor optimal, drejtësia e sistemit tatimor, morali tatimor dhe ekonomia joformale, krahasimi me sistemet tatimore të vendeve të zhvilluara dhe vendeve të rajonit, përpjestimi (proporcioni) i barrës tatimore dhe struktura e tatimeve në raport me tatimet indirekte, përpjestimi i tatimeve mbi të ardhurat, konsumin dhe pronën (pasurinë), progresioni tatimor në lidhje me tatimin e sheshtë, efikasiteti dhe thjeshtësia e sistemeve tatimore, si dhe dixhitalizimi dhe transparenca, eksternalitetet dhe tatimet të tilla si tatimimi “i gjelbër” dhe tema të tjera të lidhura me tatimet dhe më e rëndësishmja, mënyra se si këto të hyra shpenzohen në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, sigurimin e rrugëve më të mira, shëndetësisë dhe arsimit më cilësor, mjedisit më të pastër jetësor dhe si rezultat i kësaj të arrijmë konkurrencë më të madhe ekonomike, rritje ekonomike më të lartë dhe të qëndrueshme dhe cilësi më të mirë të jetesës së qytetarëve tanë

Kolumnë e ministrit të Financave, Fatmir Besimi

Të fundit