28/03/2024
14.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Biseda telefonike me Kurtin, Chollet kërkon shtyrjen e gjobave për targat dhe fokusimin në dialog

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka bërë të ditur se të premten ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin kanë biseduar për shmangien edhe përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.

Chollet në një postim në Twitter shkruan se shtyrja e gjobave për targa, mbajtja e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fokusimi në dialog janë rruga më e mirë për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm: shtyrja e gjobave për targa, mbajtja e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fokusimi në dialogun me Serbinë janë rruga më e mirë për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, shkruan Chollet.

Ndryshe, për bisedën me nënsekretarin amerikan ka njoftuar mbrëmë edhe Albin Kurti.

Me Chollet, kreu i ekzekutivit tha se kanë biseduar për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, e cila në qendër ka njohjen reciproke si dhe situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit.

“Një bisedë telefonike e sinqertë dhe e rëndësishme me nënsekretarin e Shtetit Derek Chollet për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë me Serbinë me qendër njohjen reciproke, me fokus situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”, ka njoftuar Kurti në Twitter.

Biseda telefonike është zhvilluar vetëm tri ditë para se të fillojë së zbatuari masa e gjobitjes për të gjithë shoferët që vozisin makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia brenda territorit të Kosovës.

Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.

Ndryshe, Kurti pritet të takohet të dielën ose të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Bruksel. Çështja e targave pritet të jetë diskutimi kryesor, por parashihet të diskutohen edhe çështje të tjera.

As Qeveria e Kosovës, as Presidenca e Serbisë, nuk kanë konfirmuar nëse do të jenë pjesë e takimit. /Telegrafi/

Të fundit