25/04/2024
7.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Boban Iliçit i prolongohet dënimi, babai i Almirit refuzohet

“S’di çfarë të them. Jam jashtëzakonisht shumë i nervozuar. Boban Iliçi shëtitet nëpër Kumanovë, ndërsa babai i Almirit duhet të shkon në burg. Dhe për këtë askush nga partitë nuk flet, mbizotëron heshtje. Tash thonë që nuk duan të përzihen në gjyqësorë. Tmerr i paparë”, thotë për KOHA, avokati Asmir Alispahiç

Xhenur ISENI

Shkup, 1 mars – E hëna ishte dita që dënuari për vrasjen ndaj Almirit të vogël, Boban Iliç duhej të paraqitej në burgun e Kumanovës për të vuajtur dënimin, por e njëjta nuk ndodhi. Gjykata Themelore e Kumanovës ka sjellë vendim për prolongimin e mbajtjes së dënimit edhe për tre muaj për të dënuarin Boban Iliç. Vendimi i gjykatës, siç merr vesh gazeta KOHA, është sjellë pas kërkesës së avokatit të familjes Iliç, për të prolonguar mbajtjen e burgut për arsye familjare. Nga Prokuroria e Kumanovës janë ankuar ndaj këtij vendimi duke kërkuar që i dënuari në rastin “Almiri” të dërgohet prapa grilave që nga dje – 1 mars në burgun e Kumanovës.

Në ndërkohë, e njëjta gjykatë nuk ka marrë parasysh kërkesën e avokatit të familjes Aliu, Asmir Alispahiç. Për gazetën KOHA, Alispahiç shprehet i indinjuar lidhur me prolongimin e dënimit me burg të Boban Iliç, ndërsa shton se kërkesa për prolongim të vuajtjes së dënimit për babain dhe xhaxhain e Almirit – është refuzuar. “S’di çfarë të them. Jam jashtëzakonisht shumë i nervozuar. Boban Iliçi shëtitet nëpër Kumanovë, ndërsa babai i Almirit duhet të shkojë në burg. Dhe për këtë askush nga partitë nuk flet, mbizotëron heshtje. Tash thonë që nuk duan të përzihen në gjyqësorë. Tmerr i paparë”, thotë avokati Alispahiç. Edhe nga burgu i Kumanovës e konfirmojnë vendimin për prolongimin e vuajtjes së dënimit të Boban Iliçit. “Nuk është paraqitur në burg, sepse gjykata ia ka prolonguar vuajtjen e dënimit”, thonë shkurt për gazetën KOHA nga burgu i Kumanovës.

Boban Iliç, do të duhej të mbaj burg efektiv më pak se 3 vjet, sepse i është llogaritur paraburgimi dhe burgu shtëpiak. Apeli i uli dënimin fillestar të Gjykatës Themelore prej 6 vjetësh në katër. Ai do të vuaj dënimin me një burg të llojit gjysmë të hapur, ku në hapësirat e njëjta do të mbajnë dënimin edhe familjarët e Almirit, konkretisht babai dhe xhaxhai i tij. Gjithashtu, dje sipas kërkesës së prokurorisë, në burgun e njëjtë duhet të paraqitet edhe Sedat Aliu për të mbajtur 6 muaj burg dhe Sami Demiri dhe Abdulla Aliu nga 9 muaj të dënuar për dhunë. (koha.mk)

Të fundit