16/04/2024
19.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Borisllavova pas këshillit të jashtëzakonshëm të koalicionit për marrëdhëniet me RMV-në: Kjo temë domosdoshmërisht të kalojë përmes Kuvendit kombëtar

Partnerët e koalicionit qeveritar në Bullgari sonte më shumë se tre orë mbajtën mbledhje të këshillit të jashtëzakonshëm me fokus marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shefja e kabinetit politik të kryeministrit Kirill Petkov, Lena Borisllavova pas përfundimit të këshillit të koalicionit, deklaroi se koalicioni ka pasur dialog konstruktiv lidhur me këtë temë, e cila, sipas saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme për shoqërinë bullgare, shkruajnë mediat bullgare, njofton Portalb.

“U dakorduam se për ne është më e rëndësishme që të kemi marrëveshje të gjerë për temën Republika e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast e konfirmuam premtimin që ia dhamë gjithë koalicionit se kjo temë domosdoshmërisht do të kalojë përmes Kuvendit kombëtar. Deri atëherë do t’i lëmë diplomatët në MPJ ta vazhdojnë punën. Ata aktivisht punojnë dhe po përpiqen ta mbrojnë interesin bullgar”, deklaroi Borisllavova.

Takimi në Këshillin e ministrave sonte u mbajt pas thirrjes së kryeministrit Kirill Petkov për konvokim të Këshillit këshilldhënës për siguri kombëtare për gjendjen me negociatat me Shkupin.

Paraprakisht, presidenti i Bullgarisë- Rumen Radev pret që Këshilli i Koalicionit sonte të përcjellë vendimet e Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare në janar për Maqedoninë e Veriut, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

Radev tha se takimet nuk janë aq të rëndësishme se sa rezultatet.

“Pres që Këshilli i Koalicionit sonte të ndjekë konsensusin dhe opinionin e arritur nga Këshilli Kombëtar Këshillimor i Sigurisë në janar, për të mbrojtur interesin bullgar dhe kriteret e anëtarësimit të Kopenhagës, të cilat bazohen shumë saktësisht në të drejtat e njeriut dhe mos-diskriminimin. Nëse e gjithë kjo ndodh, ne do ta ndihmojmë Maqedoninë e Veriut që vazhdimisht të ndjekë këtë rrugë”, tha Radev.

I pyetur se cili ishte qëndrimi i qeverisë për Maqedoninë e Veriut, Radev para takimit tha se fokusi i qeverisë në politikën e jashtme nuk mund të zgjidhë problemet e brendshme të vendit.

“Unë pres që kjo aspiratë dhe energji, e cila është investuar në zgjidhjen e problemeve me RMV-së në rrugën e saj drejt BE-së, të zbatohet”, tha Radev.

Qëndrimi i Radevit mbetet i pandryshuar – fillimi i negociatave nuk duhet të lidhet me afate, por me rezultate, veçanërisht për të drejtat e bullgarëve në RMV.

Me kërkesë të kryeministrit bullgar Kirill Petkov, partnerët e koalicionit në qeverinë bullgare sonte do të mbajnë një këshill të jashtëzakonshëm, temë kryesore e të cilit janë marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

Pritet që Petkov t’u shpjegojë partnerëve të tij se përse kërkoi nga presidenti bullgar Rumen Radev që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të prezantojë atë që është arritur deri më tani në dialogun me Shkupin.

Gjatë një vizite në Romë dhe Vatikan më 24 maj, Petkov njoftoi se do të thërriste një mbledhje të këshillit të koalicionit.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Të fundit