28/03/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Borrell: Do të fillojmë negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk shtiret se e do Ballkanin Perëndimor në kuadër të saj, por gjithashtu se vendet e rajonit “duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë” dhe të kryejnë reforma, raporton DW, transmeton Portalb.mk.

“Unë duhet të hedh poshtë idenë se ne (BE) po shtiremi se e duam Ballkanin Perëndimor në kuadër të saj,” tha Borrell në një konferencë online të organizuar nga Këshilli Atlantik, i cili u mbajt dje.

Si reforma prioritare të shteteve të Ballkanit Perendimor, Borrell nënvizoi gjyqësorin e pavarur dhe luftën kundër korrupsionit.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, të kryejnë reforma dhe të përmbushin standardet për t’u pranuar si anëtarë”, shtoi Borrell.

Sipas fjalëve të tij, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një proces që zhvillohet “hap pas hapi”.

“Do të fillojmë negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sërish filluam negociata midis Serbisë dhe Kosovës me një të dërguar special (Mirosllav Lajcak) dhe mendoj se e kemi vendosur atë dialog në rrugë”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Ndryshe, negociatat qasëse me BE-në kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, tashmë të kontestuar nga pala bullgare.

Prej vitit të kaluar kur Bullgaria i vuri veto Maqedonisë së Veriut, nuk është bërë ndonjë hap domethënës për rrugën eurointegruese, dhe akoma nuk dihet si do të vazhdojë. Portugalia, e cila është kryesuese e BE-së, nga ana tjetër, e ka mbështetur mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, megjithatë dy muaj pas kryesimit, asgjë nuk ka paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut.

Të fundit