Gazeta “Bota sot”, nga burime ndërkombëtare ka siguruar ekskluzivisht bisedën e plotë telefonike, pa asnjë ndërhyrje nga ana jonë, të shefit për Kosovë të Agjencisë serbe të Inteligjencës së Sigurisë (BIA), Bojan Dimiq, i cili flet me një shqiptar të Kosovës për krerët e UÇK-së, tashmë të arrestuar, e të cilët gjenden në Hagë.
Ekskluziviteti i kësaj video është shqiptari i cili flet, e ai është Halit Sahitaj, një biznesmen nga Kosova i dyshuar nga AKI-ja për lidhje me Shërbimin Sekret të Rusisë.
Burimet ndërkombëtare kanë thënë për gazetën “Bota sot”, se Sahitaj është ish-anëtar i SHIK-ut, madje i arrestuar për krime të rënda, zhvatje, kërcënim e trafikim në Spanjë.
Një përgjim i njëjtë, është publikuar në mediat në Kosovë, ditë më parë, e që pati reagime të shumta për këtë, duke akuzuar njerëzit e pushtetit dhe vet kryeministrin Albin Kurti se dikush prej tyre është duke biseduar me Bojan Dimiqin.
Madje dikush e akuzoi deputetin e LVV-së, Mefail Bajqinovcin se është zëri i tij, mirëpo doli Milaim Zeka pastaj i cili e akuzoi vëllain e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit, Faikun se ai është në përgjimin në fjalë.
Por, Gazeta “Bota sot”, ua heq dyshimet! Personi në fjalë është Halit Sahitaj.
Kush është Halit Sahitaj, i dyshuari për lidhje me Shërbimin Sekret të Rusisë?
Halit Sahitaj është një biznesmen nga Kosova me aktivitete biznesore në Rusi dhe Kinë. Ai posedon pasaportë të Republikës së Serbisë dhe i dyshuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) si spiun i Rusisë në Kosovë. Disa kohë më parë, Halitaj ka qenë nën vëzhgimin e AKI-së mbi dyshimet për aktivitete kriminale si spiunazhi dhe pastrimi i parave.
Njeriu i dyshuar për lidhjet me Shërbimin Sekret të Rusisë, ishte shfaqur papritur në një fotografi në shoqërinë e dy njerëzve të Partisë Demokratike të Kosovës: Kadri Veselit dhe Sami Lushtakut.
Fotografia kishte marrë vëmendje të madhe mediatike kur ishte publikuar para dy vitesh.
Halitaj kishte komentuar mbi dyshimet e ngritura të AKI-së ndaj tij për spiunazh dhe aktivitete të tjera të dyshuara kriminale të tij.
Halitaj kishte zbuluar se fotografia ishte shkrepur diku në Mitrovicë, dhe ishte aty me një familjar të tij që i tha se po “dalim në fotografi me disa njerëz të rëndësishëm”.
Veprimtaria biznesore e Halitaj ndërlidhet shumë pak me Kosovën.
Ai është një sipërmarrës me ndikim në Rusi, ku merret me biznesin e produkteve të naftës. Me disa karburante që përdoren në aeroplanë.
Ai e ka pranuar që vjen nga një familje e varfër, por në botën e biznesit e kishte futur gruaja e tij ruse./“Bota sot”