19/04/2024
2.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Brukseli ka vullnet por nuk premton datë për Maqedoninë e Veriut

Shkupi pret sa më shpejtë të caktohet datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe fillimin e negociatave qasëse me BE-në. Ky është interes gjeostrategjik për BE-në, marrë parasysh rrethanat e krijuara nga invazioni rus në Ukrainë. Brukseli siguron se ka vullnet, se bën gjithçka që mundet të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por nuk ka mundur të premtojë datë.

Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe nënkryetar i KE-së, Zhozep Borel, madje deklaroi se ka vullnet dhe mënyrë, por siç shtoi, “nuk mund të premtojë datë për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE”.

“Ky është momenti kur duhet të jetësohet procesi i zgjerimit me vendet nga Ballkani Perëndimor. E di se keni pritje të caktuara dhe me të drejtë. Duhet të fillojmë negociim formal për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa më parë dhe shpresoj se kjo do të jetë e mundur në konferencën e ardhshme ndërqeveritare”, porositi nga Shkupi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhozep Borel.

Ai shtoi se e kupton dëshpërimin që shumë persona e ndjejnë në Maqedoninë e Veriut dhe përsëriti se fillimi i bisedimeve për anëtarësim të shtetit dhe të Shqipërisë është prioritet i lartë për BE-në.

“Vazhdimisht vlerësojmë se vendi është i gatshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe kjo nuk është deklaratë retorike, ky është vlerësim i fortë dhe angazhim dhe deklaratë për qëllim”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së Borel.

Ai e përshëndeti impulsin e ri mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke nënvizuar se i nxitë të dyja palët të gjejnë zgjidhje të ndërsjella të pranueshme dhe t’i zgjidhin çështjet bilaterale sepse “zgjerimi nuk mund të vazhdojë nëse pengohet nga çështjet bilaterale”.

“Paralelisht, reformat e Maqedonisë së Veriut në sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, transformimin digjital dhe agjendën e gjelbër do të mundësojnë progres të shpejtë drejt negociatave. Të gjithë aktorët duhet të bashkëpunojnë për avancim të agjendës reformuese evropiane si mënyrë më e shpejtë që vendi të përparojë në rrugën evropiane”, theksoi përfaqësuesi i lartë evropian.

Gjendja aktuale e status-kuos nuk i shkon askujt për shtati. Bllokada e negociatave inkuadruese për vendin ndjehet në mbarë rajonin. Është e domosdoshme Maqedonia e Veriut të ketë perspektivë të fuqishme dhe të qartë evropiane, tha nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me Borelin.

Sipas Kovaçevskit, vetëm Evropa tërësisht e bashkuar mund të jetë e fuqishme.

“Në periudhë jostabiliteti, si asnjëherë deri më tani paraqitet nevoja Evropa të jetë e bashkuar dhe e fuqishme. Lufta e cila ndodh është rrezik për ndikimin e rritur të palëve të treta në rajon për çka të gjithë duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të gatshëm. Lënia e zbrazëtirës gjeostrategjike në pjesën tonë të Evropës nuk është opsion, integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut dhe i rajonit në BE do të sigurojë stabilitet në Evropë. Janë të nevojshme procese të përshpejtuara dhe të përforcuara të integrimit në BE”, potencoi kryeministri.

Lidhur me kontestin ruso-ukrainas, ai rikujtoi se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dhe vend-kandidat e vendosi pozitën e vet në një linjë me aleatët e vet, SHBA-në dhe NATO-n.

Me homologun nga Bullgaria, shtoi, është vendosur parim i ri i bashkëpunimit i cili sipas Kovaçevskit është rruga e duhur nëpër të cilën do të vijmë drejt zgjidhjes së kontestit.

“Me rëndësi të madhe është BE-ja dhe vendet anëtare të kyçen, pasi zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë është çështje strategjike dhe e sigurisë. Integrimi do të thotë përkushtim për një Evropë stabile dhe të bashkuar. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë – kur ka progres tek një vend, ndërsa ky është stimul për progresin tek fqinjët e tjerë”, theksoi Kovaçevski, duke shtuar se kjo Qeveri mbetet e përkushtuar në reformat dhe proceset reformuese, në qeverisjen e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit si edhe në çështjet ekonomike, ndërsa mbështetja financiare nga BE-ja do të japë kontribut të madh në këtë drejtim.

Ndërkohë, zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq beson se politika e zgjerimit këtë vit ndaj tërë Ballkanit Perëndimor do të rivitalizohet, sepse kjo është në interes të të gjithëve.

“Jashtëzakonisht e rëndësishme është që të kuptohet mesazhi të cilin e dërgoi agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, se procesi i zgjerimit duhet të kuptohet si politikë e përbashkët e cila mund dukshëm të ndihmojë në politikën, sigurinë dhe atmosferën ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Union”, ka shkruar Mariçiqi pas përfundimit të takimit me Borelin.

Duke e komentuar deklaratën e Borelit se “nuk mund të premtojë datë për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut”, Mariçiqi tha se çelësi për zgjidhje është ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, ndërsa Brukseli mundet vetëm të ndihmojë dhe të japë mbështetje në atë proces. Sipas tij, shumë me rëndësi është që të arrihet zgjidhje për problemin me Bullgarinë.

“Mësimin se askush nuk mund të na premtojë datë e kemi mësuar shumë herë më parë në periudhën e kaluar. Kjo nuk është asgjë e re. Çelësi për zgjidhjen e kësaj është marrëdhënia Shkup-Sofje dhe Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së vetëm mund ta ndihmojnë dhe mbështesin atë proces. Prandaj që nga formimi i Qeverisë së re ne kemi qenë në komunikim intensiv me Bullgarinë dhe prandaj asnjëherë nuk kemi thënë një datë në publik dhe nuk kemi qenë të lidhur për një periudhë kohore, sepse e dimë se sa mosmirënjohëse është dhe sepse ne e dimë se dy-tre vitet e fundit nuk ka ndihmuar. Prandaj mendoj se përkushtimi ynë ndaj procesit thelbësor dhe se si të arrihet një zgjidhje sa më shpejt është shumë më e rëndësishme sesa lidhja e një date dhe do të ishte në interesin tonë që kjo të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur, tha Mariçiqi.

Presidenti Stevo Pendarovski dje ka takuar ambasadorët e katër vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit të akredituar në vend, ambasadorin e Polonisë, Vojcieh Ticinjski, ambasadorin e Çekisë, Jarosllav Ludva, ambasadorin e Sllovakisë, Henrik Markush dhe ambasadorin e Hungarisë, Llasllo Ishtvan Duks.

Në takim, siç kumtoi kabineti i Pendarovskit është përshëndetur bashkëpunimi i vazhdueshëm me vendet e Grupit të Vishegradit, duke theksuar mbështetjen e tyre parimore për procesin e integrimeve evropiane të vendit tonë, si dhe solidaritetin dhe gatishmërinë e tyre për ndihmë praktike dhe shkëmbimin e përvojave eksperte në këtë proces.

Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski theksoi se duke pasur parasysh rrethanat aktuale gjeopolitike, zhbllokimi i integrimeve evropiane për Maqedoninë e Veriut dhe fillimi i menjëhershëm i negociatave për anëtarësim në BE është jashtëzakonisht i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon.

Të fundit