14/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bullgaria rrezikon të bie në izolim në BE me veton ndaj negociatave me Maqedoninë e Veriut

Një veto e mundshme nga Sofja për negociatat e Republikës së Maqedonisë do të ishte absurde sepse është në kundërshtim me politikën e deklaruar zyrtarisht të Bullgarisë në mbështetje të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, vlerësim i ekspertëve bullgarë, ndërsa nga Parlamenti mesazh se në tejkalimin e keqkuptimeve midis dy vendeve mund të ndihmojnë edhe legjislaturat.

Analisti politik bullgar, Ivan Krastev në deklaratë për mediat bullgare dje tha se ai nuk pret që Bullgaria ta bllokojë fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së sepse integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është strategjikisht i rëndësishëm për Bullgarinë dhe se me një hap të tillë Sofja rrezikon të gjendet në izolim total në BE.

“Për më tepër, brenda presidencës bullgare, kjo është bërë përparësi për Brukselin. Në këtë kuptim, vetoja bullgare do të ishte absurde. Thjesht do të dukemi qesharakë. Deri dje kemi luftuar për hapjen e BE-së për Maqedoninë e Veriut, sot duam t’i ndalojmë. Jo se gjëra absurde nuk po ndodhin, por unë jam i bindur se as Qeveria dhe as Presidenti nuk do ta lejonin Bullgarinë të gjendej në një situatë izolimi total brenda BE-së”, tha politologu Krastev në një intervistë për gazetën bullgare “Dnevnik”.

Lidhur me letrën e hapur nga tridhjetë intelektualë, historianë, shkencëtarë dhe figura publike bullgare kundër memorandumit shpjegues që Sofja e dërgoi në KE dhe vendet anëtare, në të cilën u bënë akuza serioze dhe vija të kuqe në rrugën e Shkupit për në BE, Krastev vlerëson se kjo është me rëndësi, sepse midis nënshkruesve të saj janë disa nga historianët më autoritativë bullgarë.

“Unë nuk jam historian, por mendoj se fjalimi është i rëndësishëm sepse midis nënshkruesve ka disa nga emrat më autoritativë në shkencën tonë historike, sepse tregon qartë se mosmarrëveshjet historike nuk janë dhe nuk duhet të jenë mosmarrëveshje midis vendeve, ato janë mosmarrëveshje midis historianëve. Dhe për shkak se Evropa nuk mund të na kuptojë nëse pozicioni ynë është që të gjithë kombet në Evropë janë “natyrore” dhe vetëm kombi “maqedonas” është artificial dhe se vetëm maqedonasit në Evropë nuk dinë se çfarë gjuhe flasin”, thotë një analist i shquar bullgar.

Sipas tij, fillimi i negociatave midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut nuk do të thotë se Bullgaria i pranon tezat e Shkupit. “Brukseli thjesht nuk mund ta zëvendësojë nevojën për shkencë serioze historike”, porosit analisti Krastev.

Kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit bullgar, admiral Plamen Manushev, përsëri tregon besimin e Kryeministrave të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev, se në ditët në vijim do të gjendet zgjidhje për mosmarrëveshjet midis dy vendeve, si dhe se parlamentet e dy vendeve mund të ndihmojnë gjithashtu në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje.

Admirali Manushev gjithashtu shprehu habi për deklaratën e Kryeministrit Zaev, i cili pretendon se kërkesat e Bullgarisë janë armiqësore dhe joevropiane dhe nuk janë në frymën e fqinjësisë së mirë. Duke vepruar kështu, ai i referohet memorandumit shpjegues bullgar, ku janë theksuar kërkesat bullgare dhe vijat e kuqe, të cilat, siç thotë ai, nuk guxojnë të braktisen dhe se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi nga të dy palët.

Ai pajtohet me atë që Kryeministri Bojko Borisov i ka thënë Ministrit Osmani se ne jemi të detyruar të gjejmë një opsion kompromisi dhe t’i zgjedhim çështjet e diskutueshme.

Kryeministri, Zoran Zaev deklaroi këtë fundjavë se gjatë vizitës në Sofje javën e kaluar, Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmanit iu paraqitën propozime në bisedime me Ministren, Ekaterina Zaharieva, për të cilat ai tha se nuk ishin as në frymën e fqinjësisë së mirë dhe as evropiane.

Ndërkohë, pas një pushimi prej gati një viti, një takim i ri i Komisionit të përbashkët të ekspertëve maqedonas-bullgarë për çështje historike është planifikuar për të enjten dhe të premten në Shkup.

Nga takimi i javës së kaluar në Sofje, Osmani dhe Zaharieva shfaqën shpresë se Komisioni do ta shpejtojë punën e tij dhe se do të jetë në gjendje të japë rezultate përpara 10 nëntorit, kur në Sofje duhet të mbahet samit i Procesit të Berlinit, me të cilin bashkë-kryesojnë të dy vendet. Vizita e Osmanit në Sofje, u paralajmërua si pararendëse e takimit të Kryeministrave të dy vendeve Zaev dhe Borisov, për të cilin ende nuk është caktuar ndonjë datë, por duhet të zhvillohet përpara 10 nëntorit.

Të fundit