14/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bytyqi: Prodhuesit janë të detyruar të rrisin çmimin e produkteve për shkak të presionit të tregtarëve

Analizat e fundit janë duke u bërë dhe ajo që dimë dhe po konstatojmë ngadalë është se nuk rritet çmimi i produkteve të qumështit nga prodhuesit, ata janë vënë në një situatë që të rrisin çmimin e produkteve me një përqindje të caktuar për shkak të presionit nga tregtarët. Sapo t’i zbulojmë të gjitha informacionet, do të veprojmë në përputhje me atë, qoftë me ngrirje të çmimeve apo me masa të tjera – do të bëhet gjithçka që është e mundur ligjërisht, tha sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me shtrenjtimin e disa produkteve ushqimore, Bytyqi përmendi se disa zinxhirë tregtarë sillen në mënyrë të padrejtë dhe joetike, pa përmendur emra konkretë.

Zëvendëskryeministri edhe njëherë theksoi se  nuk do të tolerohet askush që do të sjellë vendime të dëmshme për qytetarët.

“Praktikat e mira në tregti nuk praktikohen tek ne. Shumë lehtë me disa pyetje mund të shihni se çfarë lloj sjelljeje joetike dhe të padrejtë kanë disa zinxhirë tregtarë. Në këtë kohë nuk do të doja të them emra, pasi t’i marrim do të thuhen. Nuk mund të hesht ndaj praktikave të padrejta tregtare dhe veçanërisht ndaj praktikave që dëmtojnë bashkëqytetarët e mi dhe veten time. Për sa kohë të jem në këtë pozicion nuk do të hesht dhe besoj se praktikat që ata praktikojnë do të lihen për një herë tjetër”, tha Bytyqi.

Për shtrenjtimin e bukës, ai përkujtoi se përpunuesit tashmë kanë deklaruar.

“Një shoqatë e caktuar nga Odat Ekonomike tha se rritjet e paralajmëruara të çmimeve janë spekulime, se nuk ka kushte për rritje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, sepse të gjithë parametrat tregojnë se ka rënie të lëndëve të para të produkteve ushqimore. Do të përsëris qëndrimin tim dhe të ministrave të ekonomisë, financave dhe bujqësisë – se askush nuk do të tolerohet të marrë vendime që do të dëmtojnë qytetarët”, theksoi Bytyqi.

Të fundit