29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Çmimi i energjisë elektrike në Maqedoni i ngjashëm me atë në Serbi dhe Kosovë, ndërsa shumë më i ulët se në Kroaci

Maqedonia ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike dhe çmimet pothuajse të barabarta në tarifën e shtrenjtë me Serbinë dhe Kosovën, ndërsa Kroacia ka çmime dukshëm më të larta si në tarifën e ulët ashtu edhe në atë të lartë. Gjatë vitit të kaluar, të gjitha shtetet e rajonit korrigjuan të paktën një herë çmimet që qytetarët paguajnë për energjinë e konsumuar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Vendi në fillim të korrikut filloi me sistem të ri përllogaritjeje, ndaj përveç çmimeve të reja dhe tarifave më të larta të energjisë elektrike, për qytetarët janë risi edhe 4 bllok tarifat në të cilat ndahet rryma e shtrenjtë, ndërsa secila prej tyre është me çmim të ndryshëm. Më pak do të paguhet në bllokun e parë, i cili është i kufizuar në 210 kilovat/orë të konsumuar. Blloku i dytë është për konsum nga 210 deri në 630 kilovat-orë, i treti për 630 deri në 1050 kilovat-orë dhe blloku i katërt tarifor më i shtrenjtë, është i destinuar për konsumatorët më të mëdhenj dhe energjia elektrike e konsumuar do të llogaritet për mbi 1050 kilovat- orë.

Futja e blloqeve tarifore, të cilat nga autoritetet në vend u justifikuan për shkak të krizës energjetike dhe pasigurisë që na pret këtë dimër, nuk janë të reja në vendet e rajonit. Në Kroaci ka modele tarifore të kaltra, të bardha, të kuqe dhe të zeza.

Çmimet variojnë si në tarifën e lartë ashtu edhe në atë të ulët dhe lëvizin nga 2,12 deri në 3,7 në tarifën e ulët dhe nga 6,40 deri në 7,70 denarë në tarifën e lartë. Këto çmime janë pa TVSH dhe kosto të tjera.

Serbia gjithashtu ka sistem me tarifa të shumëfishta që ndahen në zona jeshile, kaltër dhe të kuqe, ndërsa çmimet për rrymë të lirë variojnë nga 0,8 deri në 2,5 denarë dhe nga 3,3 deri në 10,3 denarë, pa TVSH për tarifën e shtrenjtë.

Në Kosovë çmimet e rrymës në tarifën e lirë variojnë nga 1,8 deri në 3,6 denarë, ndërsa në energjinë e konsumuar të shtrenjtë, paguhet nga 4,2 deri në 7,3 denarë për kilovat orë.

Për krahasim, çmimet pa TVSH dhe kosto të tjera në Maqedoninë e Veriut për tarifën e ulët është 0,61 denarë, për bllokun e parë në atë të shtrenjtë është 4,3, në të dytin 4,7, në të tretin 5,2 dhe në të katërtin 14,1 denarë për kilovat/orë.

Në Kroaci, konsumatorët mund të zgjedhin orëmatës me një tarifë dhe me shumë tarifa, ndërsa në bazë të kësaj edhe një model tarifor. Me orëmatës një tarifor, energjia elektrike llogaritet gjithmonë sipas të njëjtës tarifë ditore, gjegjësisht çmimi për kilovat është i njëjtë gjatë gjithë ditës. Me orëmatës me shumë tarifa, në varësi të modelit tarifor të zgjedhur, energjia elektrike mund të llogaritet sipas të njëjtës tarifë ditore në modelin tarifor të kaltër ose sipas një tarife ditore gjithnjë e më të ulët në atë të bardhë.

Edhe në Kroaci ka energji elektrike të shtrenjtë dhe të lirë, e cila ndryshon nga ora shtatë ose tetë në 21 ose 22 dhe anasjelltas. Çmimet që vlejnë nga prilli i këtij viti në modelin tarifor të kaltër janë 0,84 HRK, ose 6,90 denarë për kilovat/orë, pa TVSH dhe shpenzime të tjera për transmetim dhe shfrytëzim të rrjetit, që është çmimi i vetëm për ata që kanë orëmatës me një tarifë .

Çmimi i energjisë elektrike në modelin tarifor të bardhë është 0,95 kuna, për tarifën e lartë dhe 0,45 kuna për tarifën e ulët, ndërsa në të kuqe 0,78 kuna për kilovat orë për tarifën e lartë dhe 0,38 kuna për tarifën e ulët. Modeli i tarifës së zezë konsiderohet si shtesë dhe është i destinuar për të ashtuquajturat konsumi i menaxhuar, pra energjia nuk është në dispozicion të konsumatorit 24 orë në ditë. Furnizuesi e përcakton kohën e përdorimit me telekomandë dhe çmimi i energjisë elektrike është 0,48 HRK si tarifë e vetme.

Në Serbi, në të gjelbërtën hyjnë konsumatorët që konsumojnë më së paku, deri në 350 kWh, ndërsa çmimet e energjisë elektrike sipas vendimit të shkurtit të vitit 2021 variojnë nga 5,6 dinarë për kilovat nëse orëmatësi është një tarifor dhe 6,4 dinarë për rrymën e shtrenjtë dhe 1. 6 dinarë për kilovat nëse orëmatësi është me tarifë të dyfishtë. Në tarifën kaltër përfshihen konsumatorët që konsumojnë nga 350 deri në 1600 kWh. Çmimet për kilovat orë në këtë model janë 8.4 dinarë për matje me një tarifë dhe 9.6 dhe 2.4 dinarë për rrymën e shtrenjtë, përkatësisht të lirë. Familjet që konsumojnë më shumë se 1600 kWh hyjnë në zonën e kuqe të konsumit dhe paguajnë energjinë elektrike me çmim prej 19.2 dhe 4.8 dinarë për kilovat/orë.

Në Kosovë, konsumatorët e energjisë elektrike janë të ndarë në dy blloqe, ata që konsumojnë deri në 800 kWh dhe mbi 800 kWh në muaj. Në shkurt të këtij viti, në përgjigje të krizës energjetike, Organi Rregullator i Energjetikës mori vendim për rritjen e çmimit të kilovatit, por vetëm për konsumatorët që konsumojnë më shumë se 800 kilovat orë në muaj.

Amvisëritë që janë më kursyese do të vazhdojnë të paguajnë të njëjtat fatura, për energjinë elektrike të lirë rreth tre cent dhe për energjinë elektrike të shtrenjtë për rreth shtatë cent për kilovat-orë, ndërsa ata që shpenzojnë më shumë do të paguajnë rreth gjashtë cent në më të ultën dhe rreth 12 cent për kilovat -orë në tarifën më të lartë. Kjo do të thotë se çmimet në tarifën e lirë variojnë nga 1,8 deri në 3,6 denarë, ndërsa në energjinë e shtrenjtë të konsumuar, paguajnë nga 4,2 deri në 7,3 denarë për kilovat/orë.

Të fundit