11/10/2024
19.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dëshmitarët nuk erdhën, edhe sot u anulua seanca gjyqësore për rastin e Muhamed Zekirit

Dëshmitari Goran Anastasieviq dhe Bisera Zekiri nuk erdhën sot për të dëshmuar në procesin gjyqësor ku ish sekretari i Qeverisë, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”. Kjo është seanca e dytë me radhë që anulohet, njofton Portalb.mk.

Ashtu siç njoftoi gjykatësja e lëndës,  Fanka Jançuleva Mihailovska, dëshmitari Anastasieviq, nëpërmjet një letrës dërguar gjykatës, ka shkruar se ai është njoftuar prej mediave se është ftuar si dëshmitar në këtë proces.

“Nuk shoh ndonjë arsye që të dëshmoj pasi që me të akuzuarin nuk njihem dhe nuk kam fakte relevante”, ka shkruar mes tjerash Anastasieviq, në letrën që para të pranishmëve e citoi gjykatësja.

Në bisedë joformale me gazetarin e Portalb.mk, gjykatësja tha se pavarësisht nëse dëshmitari ka ose s’ka fakte relevante, kur e thërret gjykata, ai patjetër duhet të vijë të dëshmojë.

Avokatët e Zekirit thanë se nuk është kontestuese se nuk njihet me Zekirin, megjithatë ai duhet të paraqitet për të dëshmuar.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e Muhamed ZekiriBisera Zekiri, ndodhet jashtë vendit për mjekim dhe për këtë nuk ka mundur të vijë.

Seanca e radhës është caktuar për më 11 korrik në ora 11.30.

Me propozim të mbrojtjes, paraprakisht dëshmuan zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe ish drejtori i Postës, Jani Makraduli.

Ata folën për atë se si ka qenë gjendja në Postën e Maqedonisë dhe Hekurudhat e Maqedonisë, pse është porositur studim fizibiliteti dhe çfarë do të bëhej më të në lidhje me këto dy institucione, të cilat ndër vite kanë punuar me humbje.

Prokuroria e akuzon Zekirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.

Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zekiri para gjykatës ka deklaruar se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.

Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila më pas, për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Gjykimi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska dhe gjyqtari Osman Shabani.

Të fundit