25/04/2024
6.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Diabetikët në Tetovë tre javë pa insulinë, Ministria e Shëndetësisë thotë se ka zëvendësime

Për javën e tretë, në farmacitë spitalore në vend nuk ka dy lloje insuline. Gjithashtu nuk ka shirita, me të cilët pacientët monitorojnë gjendjen e sheqerit në gjak. Nga Shoqata e qytetarëve me diabet thonë se shumë pacientë janë të prekur nga kjo situatë.

Dushko Ignevski, kryetar i Shoqatës së qytetarëve me diabet në Tetovë, thotë se problemi nuk është i ri, se pothuajse çdo muaj ka vonesë, por në muajin aktual ai personalisht nuk ka marrë terapi fare.

“Unë duhet ta marr me datë 6 të çdo muaji, dy herë nuk kam marrë, madje as nuk ka njoftime se do të marrim. Mundohemi të huazojmë insulinë nga ata që kanë dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Në krahasim me vitet tjera, mendoj se ky është viti më i vështirë”, tha Ignevski.

Nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve, kërkojnë nga autoritetet ndryshimin e procedurave burokratike, për të marrë në kohë insulinën që do të thotë jetë për ta.
Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë megjithatë, thonë se pacientët me terapi të insulinës janë të mbuluar.
“Bëhet fjalë vetëm për një lloj të insulinës, që tani një kohë janë harxhuar sasitë, për për të njëjtën ka analog të asaj, kështu që pacientët me insulinë janë të mbuluar. Gjithashtu tashmë është shpallur thirrje publike për sigurimin e sasive të reja të insulinës”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të fundit, në RMV ka 44.500 persona me terapi të insulinës. Ndërsa 600 janë fëmijë deri 18 vjeç.

Të fundit