25/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dialogu Kosovë – Serbi – Kjo ka qenë thikë pas shpine për bashkësinë

Deklarata e Josep Borell ka nxitur reagime të shumta.

Ai ka thënë se mund të bëhet korrigjimi i kufijve në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Serbi, nëse pajtohen të dyja palët.

Lidhur me këtë ka reaguar raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, e cila është shprehur befasuese për këtë.

“Njëmend befasuese. Nuk jam e vetëdijshme rreth ndonjë debati dhe posaçërisht rreth ndonjë qëndrimi të BE-së, sa i përket shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi”, shkruan Von Cramon në “Twitter”, duke kërkuar në të njëjtën kohë “debat në Parlamentin Evropian rreth kufijve, sa më shpejt të jetë e mundur”.

Lidhur me këtë deklaratë dhe mundësinë e korrigjimit të kufijve, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se këto gjepura janë landuar në Kosovë dhe ndërkombëtarët kanë qenë kundër por që këto kanë vazhduar me fushatë.


“Çështja e ndryshimit të kufijve, e këmbimit të pjesëve të territorit, bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe gjepura të këtilla janë landuar brenda Kosovës ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka qenë e prerë kundër çdo lloj ndryshimi të kufijve! Mirëpo, ideja e mundësisë së ndryshimit ka vazhduar më fushata patriotike “pro et contra!” që janë bërë për qëllime përfitimesh politike”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, Serbia e shfrytëzuar rastin duke ndërprerë dialogun dhe ishte thikë pas shpine për ndërkombëtarët, pasi duhej ta bënin marrëveshjen përfundimtare.

“Institucionet kanë fjetur! Serbia e ka parë shansin përfitues prandaj e ka shfrytëzuar rastin për t’i ndërprerë përkohësisht bisedimet Kosovë – Serbi! Kjo ka qenë thikë pas shpinë për bashkësinë ndërkombëtare, e cila më 2018 është dashur ta realizojë marrëveshjen përfundimtare, por që nuk ndodhi sepse Kosova nuk deshi”, ka vlerësuar ai.

Zogaj thotë se ndërkombëtarët tani e kanë kuptuar se shqiptarët janë konfuz dhe janë në hall me ne, që i ndryshojmë qëndrimet.

“Tash kur afatet janë stërshkelur partnerët ndërkombëtar po e shohin se shqiptarët janë konfuz dhe ndryshe mendojnë, ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë! Kjo nuk është e re! Kështu, krejt kështu ka ndodhur edhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë! Kjo po përsëritet prapë edhe në Kosovë! Prandaj, ndërkombëtarët janë në hall me ne, që i ndryshojmë ore çast qëndrimet! Pse u dashka kërkuar që të mos e bëjnë?!”, ka vazhduar tutje analisti politik.

Sipas tij, Borell thotë se nëse duan shqiptarët ndryshim kufijve edhe BE e pranon, duke shtuar se institucionet duhet të kenë përcaktim të saktë dhe definitiv.

“Josep Borelli po thotë nëse shqiptarët duan ndryshimin e kufijve dhe gjejnë pajtimin me Serbinë, le ta bëjnë, dhe BE e pranon! Unë mendoj se, kjo çështje duhet të merr përcaktim të saktë dhe definitiv institucional. Debatet me thashethemaxhinj dhe trajtime ordinere mediale, janë ogur i zi”, ka përfunduar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Të fundit