29/03/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dje në Idrizovë, sot në Çashkë. Deri kur kështu??!

Departamenti i arsimit pranë “Aleancës për Shqiptarët” më indinjatë të thellë mori lajmin e fundit për protestat e prindërve maqedonas në komunën e Çashkës, njësoj si para disa ditëve në komunën e Gazi Babës, shkollën e Njegoshit për parandalimin e nxënësve shqiptarë të mësojnë në objekt të njëjtë me ato maqedonas, që na përkujtojnë skenat e thirrjeve nacionaliste të viteve të 90-ta ku kërkohej “bonbola Gazi për shqiptarët” gjatë kërkesave për hapjen e “Fakultetit pedagogjik”.
E përkujtojmë qeverinë dhe MASH-in se jeni duke vepruar njësoj si regjimi i vjetër VMRO -BDI, duke atakuar pjesën më të pambrojtur të shoqërisë-fëmijët për pikë ditore politike, ku dhe sot na kujtohen skenat para zgjedhjeve me zënkat e nxënësve nëpër autobusët urban në Shkup. Vallë kështu e ndërtoni “shoqërinë për të gjithë”!
Paramendoni që kjo situatë të përcillet në shkollat në gjuhën Shqipe në komunat ku shqiptarët janë shumicë dhe prindërit shqiptarë nuk lejojnë që me fëmijët maqedonas të mësojnë bashkë në të njëjtin objekt. Kush do të jetë fajtor për këtë?
Para do kohe kërkuam dorëheqje nga ministri i arsimit Arbër Ademi duke numëruar dhe dhjetë shkaqe, menduam se do të reflektoj, por ky person shkon edhe më tej, dëshiron që shkollat tona t’i shndërroj në arena për konflikte nacionale dhe vetë të luaj rolin e personit të tretë-nxitësit që në teorinë e konflikteve njihet si person që i pari duhet të ndëshkohet.
Këtë e vërteton edhe situata me shkollën “25 Maj” të Hasanbegut ku kryetari i komunës së Gazi Babës, pas mbarimit të dytë të mandatit të drejtorit Fadil Murtezani emëron ushtrues detyre Ibe Mustafa. Nxitësi, gjegjësisht ministri Ademi nuk vepron si në rastet e Gostivarit dhe Zhelinës por politikisht organizon prindërit shqiptar në protestë njësoj si LSDM në Idrizovë dhe Çashkë.
Epilogu i kësaj është që kryetari i komunës si “pishman axhija” kthen vendimin, tani emëron drejtorin Fadil Murtezani si ushtrues detyre.
Sipas ligjit tre muaj para skadimit të mandatit, këshilli drejtues i shkollës fillon procedurën për shpalljen e konkursit për drejtor e jo emërim të ushtruesit të detyrës ,lojë që t’i vazhdohet ende mandati personit në fjalë që ka qenë drejtor dy mandate dhe nuk ka të drejtë të konkurroj .
Pyesim ministrin, vallë kështu do të zbatohet ligji i ri për arsim fillor? Gojën plot se e hoqëm anëtarin e MASH-it nga këshilli drejtues për depolitizim të arsimit, nga ana tjetër merreni me gjurmët e ariut ndërsa ai ua ka vendosur shputën mbi trup.

Departamenti i arsimit
Aleanca për Shqiptarët

Të fundit