19/04/2024
7.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Drilon Iseni, drejtor në OEMVP: Zgjerimi në tregjet e huaja, “ilaç” për kompanitë tona nga pasojat e pandemisë

Pandemia globale e COVID-19 tronditi botën dhe kriza shëndetësore u përhap në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Mijëra kompani humbën tregjet dhe klientët e tyreç u përballën me humbje të mëdha dhe një përqindje e konsiderueshme e tyre pushuan së funksionuari. Përshtatja në “normalen e re”, ridrejtimi i resurseve dhe zgjerimi i fushës së veprimit në kushte të tilla të vështira janë domosdoshmëri për të mbijetuar dhe për të vazhduar më tej. Shumë prej tyre kanë një vizion, por gjithashtu kanë nevojë për mbështetje dhe udhëzim. Për këtë qëllim, më 28 korrik, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore – OEMVP në kuadër të Projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit të biznesit, realizoi Panairin e parë Virtual Rajonal me pjesëmarrjen e mbi 60 ndërmarrjeve nga rajoni dhe Europa Perëndimore. Për qëllimet dhe pritshmëritë e kompanive dhe vetë Odës, sot flasim me Drilon Isenin, Drejtor Ekzekutiv i OEMVP.

Z. Iseni, para ca kohësh u realizua Panairi i parë Rajonal Virtual. Cili ishte interesi i kompanive?
Pandemia globale e shkaktuar nga COVID-19 ndryshoi mënyrën se si zhvillohet çdo proces shoqëror, ekonomik dhe madje politik. Me kalimin e kohës, kriza ekonomike preku të gjitha vendet në botë, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i detyruar ato të gjejnë zgjidhje për këtë problem dhe duke e transformuar perspektivën tradicionale të të bërit biznes.
Themelimi i Odës Ekonomike të Maqedonisë-Veriperëndimore – OEMVP erdhi si rezultat i shumë problemeve të pazgjidhura të komunitetit të biznesit dhe nevojës për të eleminuar dhe gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht, në vend dhe më gjerë. Dhe pikërisht në këtë situatë krize të krijuar nga COVID-19, OEMVP përmes Projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit të biznesit, me një ide origjinale dhe unike realizoi me sukses Panairin e parë Virtual Rajonal me pjesëmarrjen e mbi 60 ndërmarrjeve nga rajoni dhe Europa Perëndimore.

Cili ishte qëllimi i panairit?
Nisur nga rënia drastike e performancës së kompanive nga rajoni në këtë periudhë, ne vlerësuam se është koha për t’u zgjeruar në tregjet e huaja, dhe pikërisht ky ishte qëllimi i panairit virtual, i cili do t’u mundësojë kompanive që kanë prirje të zgjerohen, të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre dhe kështu potencialisht të realizojnë partneritet dhe bashkëpunim me kompani të tjera nga vendet që morën pjesë në këtë ngjarje.
Kur bëhet fjalë për transformimin, OEMVP është një pionier i provuar në të gjitha vitet e saj të ekzistencës, dhe nën udhëheqjen tonë ne kemi arritur t’i bindim bizneset në rajon se është një kohë ideale, në rrethana që na detyrojnë të përshtatemi me realitetin e ri, të dixhitalizohemi, duke filluar me Panairin Virtual Rajonal, i cili u realizua përmes platformës dixhitale ZOOM. Panairi në parim synoi sektorët që janë prioritet për projektin e USAID-it që ne po udhëheqim. Në të morën pjesë kompani nga fusha të ndryshme, ku mbizotëruan industria ushqimore, ndërtimtaria, TIK, industria krijuese etj. Vlen të përmendet fakti se në mesin e kompanive ishin shpërndarësit më të mëdhenj në industrinë e ushqimit, të cilët janë udhëheqës në rajon.

Përveç lidhjes virtuale me partnerët e huaj, kompanitë duhet të realizojnë bashkëpunim dhe plasman të vërtetë në tregjet e reja. Si mund të realizohet kjo në kushtet aktuale?
Ne ishim të befasuar pozitivisht nga kreativiteti i kompanive me të cilin ato prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre, përshtatjen e tyre në platformat dixhitale, si dhe gatishmërinë e tyre për t’u integruar në tregjet e reja, rajonale dhe më gjerë. Siç OEMVP gjeti zgjidhje gjatë pandemisë, me rrugë dhe kufij të mbyllur, për të afruar kompanitë sa më afër, me frymën e njejtë, qeveritë e rajonit duhet të marrin masa për të eleminuar të gjitha pengesat tregtare midis vendeve, dhe të mbështesin mendimin e OEMVP-së se ekonomia duhet të udhëheq dhe përcaktojë politika, veçanërisht në këtë fazë të pandemisë, e cila ka treguar se ndërvarësia e vendeve në rajon është thelbësore.

Rrethanat e reja kërkojnë praktika të reja, një mentalitet të ri të kompanive në mënyrë që të përshtaten me sfidat e reja. Panairi virtual i organizuar nga OEMVP dhe i mbështetur nga USAID, tregoi se kompanitë tona janë të gatshme t’i përshtaten situatave të reja. Kjo është arsyeja pse adaptimi imponohet si një aftësi me të cilën mbijetohet në realitetin e ri të të bërit biznes. Vetëm të mençurit dhe të guximshmit do ta zotërojnë këtë aftësi dhe vetëm ata do të jenë në gjendje të vazhdojnë udhëtimin e tyre të biznesit./Lajm/

Të fundit