29/11/2023
4.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dy president, tre kryeministra, tre kryetar kuvendesh, 42 ministra dhe 276 deputetë shqiptarë në Ballkanin Perëndimor!

Muaji i nëntorit ndryshe njihet edhe si muaji i festave dhe datave më të rëndësishme për shqiptarët. Prandaj, pikërisht në ditët e para të këtij muaji po bëhet edhe një analizë dhe pasqyrim real të gjendjes së shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Duke u bazuar në të dhëna faktike dhe empirike një gjë është e qartë dhe është për të ardhur mirë që populli shqiptarë si një ndër popujt më të shtypur ka arritur të shënojë progres pozitiv në aspektin e faktorizimit në rajon. Sot, pjesë e Ballkanit Perëndimor janë gjashtë shtete: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Populli shqiptarë është i ndarë në gjashtë shtete të ndryshme që në total janë më shumë se 6 milionë qytetarë shqiptarë. Kjo i bie që shqiptarët tani në këtë dekadë kanë arritur pozitën më favorizuese që kanë pasur ndonjëherë në histori. Nga më shumë se 6 milionë popull të shpërndarë në shtete të ndryshme shqiptarët sot gëzojnë një faktorizim mbarë kombëtarë dhe progres tejet pozitiv. Sot shqiptarët kanë 2 president, 3 kryeministra, 3 kryetarë kuvendesh, 42 ministra dhe 276 deputetë të shpërndarë në shtete të ndryshme, shkruan Zhurnal.

Ku janë shqiptarët sot?

Nëse parashtrohet pyetja gjeneralizuese se ku ndodhen sot shqiptarët, përgjigja gjithashtu mund të jetë gjithëpërfshirëse. Por, nëse flasim për nga aspakëti i faktorizimit dhe ndikimit në rajon si dhe gjendjes reale se sa janë të përfaqësuar shqiptarë në vendet e tyre ku jetojnë duhet të marrim për bazë shifra numerike. Që në situatën në fjalë numrat nuk janë vetëm numra pasi shpërfaqin një realitet faktik.

Shqiptarët sot janë të shpërndarë në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe gjithkund në botë. Por, kur flasim vetëm për këtë rajon sado që janë të shpërndarë sërish janë treguar vigjilent dhe mendjethellë duke arritur të përfaqësojnë popullin shqiptarë aty ku duhet dhe pikërisht ashtu si duhet. Kujtojmë që, retrospektivat historike janë tema me të cilat merren historianët, ndërkaq, Agjencia e Lajmeve Zhurnal në këtë temë ka analizuar në mënyrë të detajuar numrin e përfaqësuesve më të lartë shtetëror në këto vende të Ballkanit Perëndimor.

Dhe, duke u bazuar në të dhënat e siguruara kemi përmbledhje të kësaj natyre që krijon ndjenjë krenarie për progresin pozitiv të arritur ndër vite nga shqiptarët të shpërndarë kudo në shtete të ndryshme. Sot, shqiptarët kanë dy presidentë, Vjosa Osmanin, presidente e Kosovës, dhe Bajram Begaj, president i Shqipërisë. Tre kryeministra, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Edi Rama, i Shqipërisë, dhe Dritan Abazoviç, kryeministër i Malit të Zi. Nuk përfundon me kaq, pasi shqiptarët kanë edhe tre kryetarë Kuvendesh, Glauk Konjufca, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, dhe Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Shqiptarët gëzojnë 42 ministra dhe 276 deputetë –

Përpos pozitave udhëheqëse dhe të rëndësisë parësore në vende të ndryshme që shqiptarët janë të përfaqësuar dhe gëzojnë postet më të larta të mundshme. Nuk qëndron keq gjendja edhe nëse shohim edhe numrin e ministrave dhe deputetëve shqiptarë të shpërndarë që funksionojnë në kuadër të Qeverive dhe Kuvendeve në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Numrin më të madh të ministrave shqiptarë e ka Shqipëria që numëron16 ministra, Kosova me 13 ministra shqiptarë, e më pas radhitet edhe Maqedonia e Veriut me 10 ministra shqiptarë. Këtu vlen të theksohet se në Maqedoninë e Veriut edhe zëvendës kryeministri i parë është shqiptarë. Më pas radhitet Mali i Zi me 3 ministra shqiptarë. Që në total bëjnë gjithsej 42 ministra shqiptarë që udhëheqin dhe menaxhojnë 42 Ministri të ndryshme që janë jetike për funksionimin e Qeverive në vendet ku ata veprojnë.

Kur flitet për numrin e deputetëve apo ndryshe përfaqësuesve të popullit në Kuvende, nuk do mend që numri më i madh i deputetëve shqiptarë është në Kuvendin e Shqipërisë, 136 deputetë. Më pas, vjen Kuvendi i Kosovës që numëron 100 deputetë shqiptarë, pastaj vjen Kuvendi i Maqedonisë së Veriut që numëron 32 deputetë shqiptarë. Me numër më të ulët shqiptarët janë të përfaqësuar në Kuvendin e Malit të Zi ku janë vetëm 6 deputetë shqiptarë, në Kuvendin e Kroacisë me 1 deputetë, ngjashëm edhe në Kuvendin e Serbisë shqiptarët përfaqësohet vetëm nga 1 deputetë.

Kur shikohet mozaiku apo fotografia e madhe krijohet një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie që populli shqiptarë po dëshmon aftësi në lidership duke udhëhequr dhe bartur pozitat më të rëndësishme nëpër shtete të ndryshme. Shqiptarët tani më nuk paragjykohen si popull i paarsimuar por si popull tek i cili bazohet ardhmëria e shumë vendeve.

Megjithatë, këto shifra dhe numra të lartpërmendur nuk janë vetëm simbolike apo vetëm numra janë pasqyrues të realitet faktik që ekziston sot. Por, ajo që duhet të theksohet është fakti që këto numra nuk duhet të merren si garancë që shqiptarët nuk kanë probleme, nuk diskriminohen apo jetojnë në planet tjetër. Ndryshe, edhe përkundër gjendjes tejmase të përmirësuar dhe gjithë këtij progresi pozitiv shqiptarët sërish përballen edhe me diskriminim, me viktimizim, me burgosje, dhunim dhe padrejtësi të natyrave të ndryshme. /Zhurnal.mk

Të fundit