19/04/2024
5 C
Tetovo

Të tjera lajme

E thotë edhe ambasadorja amerikane të rinjtë ikin si pasojë e korrupsionit!

Lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut zhvillohet që pas pavarësimit të shtetit, e 30 vite më vonë ende është aktuale kjo luftë, e që nuk po përfundon asnjëherë. Madje, lirshëm mund të konstatojmë se nga këto thirrje të vazhdueshme për luftë kundër korrupsionit po ndryshon vetëm mënyra apo forma e korrupsionit, e asesi çrrënjosja e tërësishme. Korrupsioni është problemi kryesor por nuk është i vetmi, sipas ambasadores paraprake problem të madh vendi kishte edhe me gjyqësinë. Por, ambasadorja e re e SHBA-së, Prajs Aggeler, ka deklaruar se patjetër duhet të ndryshojë kultura, e për këtë duhet edhe vullnet politik, lufta kundër korrupsionit është në interes të të gjithëve, por më së shumti për të rinjtë të cilët për shkak të korrupsionit po e braktisin shtetin, shkruan Zhurnal.

Ambasadorja e re me kërkesa të vjetra, luftoni korrupsionin dhe ndryshoni kulturën-

Angela Price Aggeler është konfirmuar si ambasadorja e re e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, ajo zëvendëson Kate Marie Byrnes, e cila ka shërbyer si ambasadore e SHBA në Shkup që nga viti 2019. Edhe pse ambasadore e re në vendin tonë, në paraqitjen e saj të parë është shprehur në atë formë që bëri të qartë që e njeh mirë vendin, i dinë arsyet e regresit dhe problematikat kryesore të vendit. Ajo tha se patjetër duhet të ndryshojë kultura, e për këtë duhet edhe vullnet politik, lufta kundër korrupsionit është në interes të të gjithëve, por më së shumti për të rinjtë të cilët për shkak të korrupsionit po e braktisin shtetin.

Nga kjo deklaratë nënkuptohet qartazi se vendi po përballet me një krizë jo të panjohur por të pritur e të ditur, sepse kemi të bëjmë me një indiferencë të politibërësve në vend, që si duket nuk po e shohin ende si shqetësuese ikjen e të rinjve nga vendi.

Ndryshe, për dallim prej politikanëve injorant e indiferent, ambasadorja e re, Prajs Aggeler, shprehet se shteti duhet të vlerësojë suksesin e të rinjve në bazë të talentit dhe punës. Por, një gjë e tillë vështirë të ndodhë në vendin tonë, sepse të rinjtë përpos që nuk vlerësohen atyre edhe u vështirësohet jeta rinore e studentore.

Çfarë mendon për të rinjtë ambasadorja e re amerikane në Shkup?

Të rinjtë e Maqedonisë së Veriut janë kategoria më e cenuar në këtë shtet sepse kjo kategori është mes dy vendimeve jo të lehta për të ardhmen e tyre, të qëndrojnë në vend e të mundohen të mbijetojnë apo të ikin jashtë vendit dhe të jetojnë sipas standardit që e meritojnë.

“Të rinjtë kanë nevojë që shteti i tyre t’ua vlerësoj suksesin, talentin dhe mundin, dhe jo të vlerësohen në bazë të politikës dhe të njohurve. Ndryshimi i kësaj trajektore kërkon ndryshim në kulturë. Ajo nuk është askund më e rëndësishme nga ndryshimi në kulturën politike dhe vullnetin politik. Ata duhet të angazhohen për sistem i cili është transparent nga fillimi deri në fund dhe i cili ndërton ambiente afatgjate të qeverisjes së mirë dhe do të mbijetojë pa dallim kush është në pushtet. Ishte e transmetuar, ashtu siç unë dëgjova, se unë luftën kundër korrupsionit në shtet do ta bëj prioritet të ambasadës së SHBA-ve në Shkup. Kjo është e vërtetë”, tha Aggeler.

Por, sa në të vërtetë është e mundshme që të rinjtë të jetojnë sipas asaj që ata mundohen, pa qenë të implikuar nga pushtetet, si dhe punësimi i të rinjve mos të varet në mënyrë direkte nga partitë politike. Sepse, është krijuar katrahurë në aspektin e punësimit dhe mirëqenies për të rinjtë, është krijuar një ambient tërësisht i kontaminuar me korrupsion gjithandej, padrejtësi në raste të shumta, e meritokraci askund.

Të rinjtë po ikin nga RMV-ja me një hov të jashtëzakonshëm-

Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia për Rini dhe Sport në RMV, e realizuar nga periudha janar-mars 2022, çdo i treti i ri do që ta lëshojë vendin pas mbarimit të shkollimit. Si arsye kryesore llogariten, mos pasja e mundësive të barabarta, mungesa e drejtësisë, nepotizimi, si dhe mungesa e arsimit cilësorë në të gjitha nivelet etj.

Rinia nuk po largohet vetëm për shkak të papunësisë dhe kushteve ekonomike, arsye të tjera për largimin e rinisë nga vendi janë edhe shumë të tjera duke filluar nga mungesa e një arsyeje të vetme pse të qëndrojnë. Në vendin që rastet montohen, persona të pafajshëm viktimizohen, padrejtësi në organet e drejtësisë, institucione arsimore të mbushura me njerëz të pa arsimuar, spitale që edhe vizitorët e pacientëve sëmuren e lëre më të sëmurit që shpresat e shërimit i kanë te lutjet lartë në qiell…!

Këto dhe shumë faktorë të tjerë dëshmojnë se rinia nuk po largohet por po dëbohet nga mungesa e funksionimit normal të një shteti ashtu si duhet, dhe personave të dëbuar nuk u kërkohet llogari për mos qëndrimin e tyre në vendin e dëbimit.

Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë e vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pa mohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtetet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale.

Por, si duket të rinjtë po preferojnë më mirë të presin para ambasadës gjermane se sa të presin që do të bëhet mirë në këtë vend, fundja kjo pritja para ambasadës është pritje afat shkurtër që pastaj ofron zgjidhje afatgjate e ndryshim drastik në mënyrën e jetesës dhe funksionimit. /Zhurnal.mk

Të fundit