19/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Edhe BDI dhe Lëvizja Besa mbështesin anulimin e zgjedhjeve të 12 prillit

Edhe dy partitë shqiptare BDI dhe Lëvizja Besa, kërkojnë që të shtyhen zgjedhjet e planifikuara për më 12 prill.

Këto dy parti thonë se shëndeti i qytetarëve në këto momente, është më i rëndësishëm se sa mbajtja e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re.

“Prioritet absolut i gjithësecilt prej nesh, ne veçanti neve që jemi në shërbim publik, është qytetari dhe shëndeti publik. Zgjedhjet dhe fushata janë çështja e fundit në rradhën dhe agjendën e prioriteteve tona, për arsye se të gjitha kapacitetet tona njerëzore, intelektuale, institucionale i kemi vënë në shërbim të ngadhnjimit në betejën e përbashkët kundër virusit. Tash, neve na duhet fitore ndaj virusit e jo fitore në zgjedhje”, thotë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në një komunikatë për media.

Ai shton se me zgjedhjet dhe fushatën “do të merren, pasi ta mposhtin kërcënimin nga coronavirusi”.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, thotë se partia e tij i bashkangjitet thirrjes për anulimin e zgjedhjeve.

“Shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se çdo kalkulim politik, prandaj në emër të Lëvizjes BESA i bashkangjitemi thirrjes për anulim të zgjedhjeve parlamentare për një datë më të përshtatshme dhe periudhë, ku rreziku nga virusi COVID-19 do jetë i eleminuar plotësisht. Fitorja më e madhe e jona është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve. U bëj apel gjithë qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe bashkarisht të ndihmojmë në izolimin dhe eliminimin e plotë të kësaj pandemie”, thotë Kasami.

Ndryshe, që të anulohen zgjedhjet kërkuan edhe dy krerët e partive më të mëdha maqedonase Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, ndërsa për këtë çështje pritet sot të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, që do të mbahet në kabinetin e presidentit Stevo Pendarovski./Telegrafi/

Të fundit