20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Editorial: Edhe pse dhurojnë lule për “8 Mars”, partitë shqiptare nuk u besojnë femrave në politikë! (VIDEO)

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut me entuziazmin më të madh ua uruan “8 Marsin”, Ditën ndërkombëtare të grave, të gjithë femrave shqiptare, por duket se sërish atyre nuk u besojnë që t’i vendosin si bartës liste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Asnjë nga partitë shqiptare nuk pati guximin që në listat e tyre, bartëse të ketë ndonjë femër të suksesshme shqiptare, duke shprehur kështu mosbesim se ata mund të kenë sukses në afrimin e votuesve shqiptarë.

Nga partitë maqedonase, duket se LSDM dhe VMRO do të kenë nga një femër bartëse liste në një nga gjashtë njësitë zgjedhore. Kryetari i LSDM-së pohoi se Radmilla Shekerinska do të jetë bartëse liste, ndërsa nga VMRO DPMNE edhe pse ende nuk kanë konfirmuar listat zgjedhore, duket se bartëse liste do të jetë Gordana Siljanoska, profesoresha që ishte kandidate për presidente.

Në Maqedoninë e Veriut ekziston ligj që garanton barazinë gjinore, ndërsa në kuvend kuotat duhet të jenë minimum 30 për qind e deputetëve të jenë gra. Barazia gjinore është avancuar edhe atë falë ligjvënësve dhe shoqatave të grave, por zbatimi i këtyre të drejtave kërkon angazhim serioz. Aktualisht gra deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë 38%.

Në pozitat e larta politike dhe vendimmarrëse gratë janë shumë pak të përfaqësuara ndërsa ka një numër të madh të problemeve që duhet kushtuar vëmendje, përfshirë edhe angazhimin e tyre në politikë e veçanërisht në funksionet ekzekutive.

Për përfaqësim në Kuvend ka kuota dhe ato detyrimisht duhet të respektohen, por në organet tjera ekzekutive, si në qeveri, pushtetin lokal, drejtimin e ndërmarrjeve shtetërore e publike, aty nuk ka kuota dhe gjendja është e palakmueshme.

Shqiptarët fatkeqësisht nuk kanë asnjë ministre shqiptare femër, ndërsa edhe numri i drejtoreshave dhe funksioneve tjera është shumë i ulët.

Aktualisht nga 81 komuna sa ka Maqedonia e Veriut, vetëm gjashtë kryetare janë gra,ndërsa tek shqiptarët vetëm Teuta Arifi, është kryetare e Tetovës. Në Kuvendin prej 120 anëtarësh, 47 deputete janë gra edhe atë falë ligjit që detyron partitë që në listat e tyre të kenë 30 për qind kandidate femra. Nga 25 anëtarët e qeverisë, 5 janë gra dhe asnjë prej tyre shqiptare.

Organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e grave, thonë se institucionet e pushtetit qendror dhe të vetëqeverisjes lokale, si dhe shoqëria në tërësi në Maqedoninë e Veriut ka shumë punë për të bërë në drejtim të respektimit të drejtave të grave.

Gjithashtu, rreth 60 për qind e grave janë joaktive në tregun e punës edhe pse një pjesë e tyre janë me arsim të lartë. Përderisa vetëm 30 përqind e gjinisë mashkullore mbeten joaktiv.

UNDP ka publikuar një raport ku flet për paragjykimet ndaj grave në botë. Në këtë hulumtim thuhet se 90 për qind e grave në botë paragjykohen, 40 për qind e njerëzve në botë mendojnë se burrat janë drejtues më të mirë të biznesit se gratë, ndërsa rreth 50% e njerëzve në botë mendojnë se burrat e kryejnë më mirë detyrën e udhëheqësit në politikë. Fatkeqësisht sipas raportit të UNDP-së, 28% e njerëzve në botë e justifikojnë dhunën e një burri ndaj gruas së tij,ndërsa 24% e ulëseve në parlamentet në të gjithë botën mbahen nga gratë, kurse vetëm 10% e grave në të gjithë botën udhëheqin me qeveritë e 193 shteteve.

Nga vendet e rajonit, më së shumti femra shkollohen në Shqipëri, ku shkollën e mesme e përfundojnë 93% të femrave dhe meshkujve, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë 42 % e femrave që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe 58% e meshkujve.

Mbetet shumë punë në drejtim të përfaqësimit të denjë të femrës shqiptare në institucionet e shtetit edhe në ato vende ku ajo është e prezantuar në realitet.

Nëse politika vendos t’i hap dyert e institucioneve për femrat duke u besuar pozitat udhëheqëse nuk do të mundësojë vetëm respektimin e barazisë gjinore, por do të krijojë mundësi për një shoqëri me më shumë perspektivë duke vënë në shfrytëzim aktiv kapacitetet dhe potencialin e gjysmës së popullatës e cila kryesisht shfrytëzohet për aktivitetet e punëve të shtëpisë.

Nëse institucionet do tu besohen femrave për t’i drejtuar do të kishte shumë më shumë produktivitet, shumë më shumë ndryshime, por edhe perspektiva të reja sepse gratë janë të prura që më lehtë t’i bëjnë ndryshimet, ndërsa edhe partitë politike do të ishin më mendjehapura dhe më inovative në programet e tyre.

https://www.facebook.com/zhurnal.mk/videos/1068886900144317/

Të fundit