19/04/2024
2.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Editorial: Karnevali i provokimeve duhet të marr fund!

Zhurnal.mk – “Karnevali i Vevçanit” sërish ka nxitur tensione politike në Maqedoninë e Veriut. Kësaj radhe pjesëmarrësit e këtij karnavali kanë djegur flamurin bullgar, duke i hedhur edhe më shumë “benzinë zjarrit” në relacionet e tensionuara ndërmjet Sofjes dhe Shkupit zyrtar. Reagimet për këtë rast ishin të ashpra, qoftë nga autoritet bullgare por edhe nga ato të Maqedonisë së Veriut.
Reagim të shpejtë pas këtij akti vandal kishte bërë Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, e cila shkruante se “tradita shekullore nuk guxon të rrezikohet përmes aktiviteteve që nënçmojnë ose fyejnë popuj, shtete, në veçanti fqinjë tanë. E dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në Karnevalin e Vevçanit, akt që jo vetëm se e prishë renomenë e Karnevalit, por dëmton edhe imazhin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Ambasadori bullgar në Shkup, Angel Angellov ka dërguar notë të ashpër verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut pas djegies së flamurit bullgar , ndërsa instruksionet i kishte marrë nga shefja e tij, Ministrja e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva. “Pas informacionit për djegien e flamurit bullgar në fshatin Vevçani në Republikën e Maqedonisë së Veriut, unë i kërkova ambasadorit bullgar në Shkup që t’i shprehte Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mospajtimin tonë të fuqishëm me këtë akt vandalizmi. Ambasadori Angelov tashmë i ka dërguar një demarsh të ashpër Ministrisë së Punëve të Jashtme të RVM-së” shkroi Zahareva në Facebook.

Edhe pse policia kishte paralajmëruar se ky karnaval sivjet nuk guxon të mbahet për shkak të masave kundër virusit COVID 19, i njëjti u mbajt pa e çarë kokën për praninë e shtuar të forcave policore. Persona të maskuar me vetiniciativë marshuan në mes të fshatit dhe pasi përfunduan manifestimin me djegien tradicionale të maskave e dogjën edhe flamurin bullgar.

Ministria e Brendshme thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë publike kanë marrë masa për zbardhjen e rastit. Thonë se policia ka intervenuar për shkak të mosrespektimit të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit respektivisht ndalimin e grupimit të më shumë se katër personave. Për këtë arsye një person u ndalua, por menjëherë u lirua, ndërsa për djegien e flamurit bullgar askush nuk është ndëshkuar.

Ndryshe sa duket ky karnaval si një manifestim i rëndomtë tradicional, vazhdimisht është burim i urrejtjes, fyerjeve dhe manipulimeve politike. Incidentet që ka shkaktuar ky karnaval në të kaluarën janë të shumta. Fyerjet ndaj popullit shqiptar, djegia e flamurit shqiptar, fyerja ndaj myslimanëve, fyerje ndaj grekëve, fyerje ndaj figurave politike dhe grupeve tjera etnike janë disa nga skandalet që e kanë përcjellë këtë manifestim gjithmonë. Edhe pse duhet të jetë vetëm një manifestim “kulturor” ai vazhdimisht politizohet nga grupe të caktuara, por çudia më e madhe është se në këtë karnaval kurrë nuk janë përqeshur politikanët serb dhe nuk është djegur flamuri serb. Dyshimet janë shumë të forta për këtë dukuri, se prapa këtij aktiviteti qëndrojnë shërbime të huaja të cilat, çdoherë kur duan të ndezin zjarr e shfrytëzojnë këtë karnaval.

Vevçani njihet si ndër fshatrat më të thellë maqedonas dhe të fundit në kufirin e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe që nga koha e themelimit të federatës Jugosllave, ky fshat ka pasur status të veçantë. Investimet e atëhershme jugosllave në përforcimin e banorëve të këtij fshati kanë qenë shumë të mëdha, ndërsa këta banorë kanë pasur ndikim të madh edhe në qytetin e Strugës, Ohrit dhe Dibrës. Në një farë mënyre, banorë të këtij fshati me përkrahjen direkte të Beogradit zyrtar kanë pasur ndikim që të ushtrojnë dhunë dhe çfarëdo forme të kontrollit ndaj banorëve të këtyre anëve. Me pavarësimin e Maqedonisë nga ish-Jugosllavia, guximi i tyre ishte aq i madh sa me përkrahjen e shërbimeve në Beograd shpallën republikë të veten, kushtetutën e tyre, monedhën e tyre, pasaportat e tyre… Në një farë forme ata kërkonin që të mbajnë statusin e liderit dhe të jenë “bombë e montuar” në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por që fatmirësisht kjo nismë e tyre u shua me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Gjithkund në botë ka karnavale dhe ata fatmirësisht janë atraksion turistik, por tek ne ky karnaval në vend se të bëhet një pikë turistike, është bërë një pikë e zezë e nxitjes së përçarjeve dhe urrejtjeve. Ndikimi politik nëpërmjet Karnevalit, në të cilin ata thirren se është shumë shekullor duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Gjuha e urrejtjes në këtë vend dënohet ashpër, prandaj edhe organizatorët e këtij manifestimi bashkë me ata që shprehin urrejtje, fyerje dhe nxisin trazira duhet të dënohen në mënyrë sa më të ashpër nga organet përgjegjëse. Këtij karnavali të provokimeve, që nuk ka asgjë kulturore duhet t’i thuhet stop!

Të fundit