28/03/2024
9.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ekskursionet dhe mbajtja e “maturës” janë të lejuara, shkollat e mesme të Tetovës ende të pavendosura

Qeveria lejoi ekskursionet e nxënësve, por a do të ketë kohë këtë vit për nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt? A do të ketë festa të maturës këtë vit dhe si do të organizohen ato? Ndonëse për momentin një pjesë e mirë e pedagogëve janë në grevë, pra nuk ka orë mësimore, këto çështje janë aktuale në këtë kohë kur po afrohet fundi i vitit shkollor. Në këtë drejtim, për këto çështje Portalb.mk bisedoi me drejtorët e shkollave të mesme të Tetovës.

Për të verifikuar se a janë të lejuara organizimet e festave si ajo e maturës, kontaktuam Qeverinë, por nga atje na dërguan te Ministria e Shëndetësisë, dhe nga Ministria te Komisioni për Sëmundje Infektive. Nga kjo e fundit, kryetari i këtij komisioni Aleksandar Petliçkovski tha se ato mund të organizohen në ambient të hapur, ndërkaq për ambientet e mbyllura do të na njoftojë së shpejti.

“Meqenëse nuk ka kufizime për tubime apo ekskursione, mendoj se festat e maturës mund të organizohen në ambient të hapur. Dua të verifikoj si është me certifikatat, sepse për momentin janë të detyrueshme për pjesët e mbyllura të lokaeve. Sapo të konsultohem për këtë, do ju njoftoj”, deklaroi Petliçkovski për Portalb.mk.

Nuk dihet nëse do të ketë ekskursione apo maturë në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”
Drejtoresha Teuta Lalla tha janë në kohë greve dhe nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim

“Në programin vjetor i kemi paraparë, por u jemi përmbajtur rregullave të Ministrisë. Diçka konkrete nuk ka, presim të mbarojë greva dhe pastaj do jemi në konsultim edhe me Komunën edhe me Ministrinë e Arsimit”, tha Lalla.

Ndërkaq as për festën e maturës nuk ka diçka konkrete.

Në Gjimnazin “7 Marsi” ka kërkesa për ekskursion por nuk dihet ende a do realizohen
Drejtoresha Miqireme Rizai tha se kjo nuk varret prej shkollës, pasi nuk mund t’i realizojnë pa marrë pëlqim prej byrosë për zhvillim të arsimit.

“Kanë dëgjuar profesorët se ka organizuar ndonjë shkollë dhe ato erdhën me kërkesë se duam të shkojmë në ekskursion, ata kanë bërë kërkesë dhe un kam bërë kërkesë në byro. Mirëpo ka procedurë, pa mos i bërë ato procedura nuk mund ta realizojmë ekskursionin edhe pse e kemi në plan-program. Domethënë duhet ta ftojmë edhe njëherë këshillin e shkollës, të prindërve, ta hapim konkursin- kush do ta fitojë, minimumi duhet dy javë procedura. Mirëpo krejt këto pa marrë pëlqim prej byrosë nuk mund të bëjmë asnjë hap tjetër. Qeveria e ka lejuar, mirëpo nëse byroja jep pëlqim negativ nuk mund ta realizojmë ekskursionin”, tha Rizai.

Në lidhje me festën e maturës, ajo tha se është mirë të mos organizohet pasi ka shumë harxhime, por nëse nxënësit e marrin përsipër si viteve të tjera ta organizojnë vetë, Rizai tha se nuk do të ndërhyjë aty, pasi ajo varret prej nxënësve.

Në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtenj”, maturantët në vend të maturës kërkojnë ekskursion jashtë shtetit
Binaz Pajaziti, drejtori i kësaj shkolle tha se me heqjen e masave prej anës së qeverisë janë të lirë për të organizuar ekskursione, por përsëri ka procedura që duhet të ndiqen.

“Ne i kemi konsultuar nxënësit, normal se ka procedurë që duhet të bëhet, atë fillimisht e vendosin prindërit mandej nxënësit, kërkesat e nxënësve shqyrtohen në mbledhjet e klasave mandej këshilli i prindërve, i shkollës dhe bëhen procedurat që duhet të bëhet. Meqë nxënësit kanë kërkesë për tu realizuar, tash jemi në fazën punë greve dhe nuk kemi mundësi, kur do kthehen nxënësit do i bëjmë konsultimet si i kemi bërë çdo herë”, tha Pajaziti.

Ndërkaq për sa i përket maturës, ai tha se janë në dilemë pasi maturantët e shkollës së tyre kërkojnë të mos bëjnë maturë me që nuk ishin në ekskursion vitin e kaluar për shkak të pandemisë, kërkojnë këtë vit të realizojnë ekskursion pas përfundimit të procesit mësimor. Jashtë shtetit me shumë gjasë në Shqipëri.

Shkolla e mesme profesionale “Goce Stojçevski” ende nuk ka marrë pëlqim zyrtar nga Ministria e Arsimit
Drejtoresha Sevdije Mustafai tha se duhet të ketë leje të posaçme, vendim nëpërmjet ministrisë ku ata do i lejojnë që t’i realizojnë ekskursionet që i kanë paraparë në plan-programin për sivjet.

“Pa e pasur atë dokumentin në shkollë ne nuk mund të bëjmë organizimin e ekskursioneve. Ne e kemi në plan, tani për tani nuk mund të realizohet asnjë për shkak se ende nuk kemi pëlqim zyrtarisht prej ministrisë. Të gjitha këto kanë të bëjnë me të njëjtën gjë, nëse lejohen ekskursionet unë mendoj se do lejohen edhe organizimi i maturave. Tash për tash nuk u kemi përmendur nxënësve asgjë pasi nuk ka diçka zyrtare. Jemi konsultuar me byronë, jemi konsultuar me krejt ato zyrtarët deri sa nuk e kemi dokumentin zyrtarisht në shkollë, ne nuk mund të realizojmë asnjë prej tyre”, tha Mustafai.

Në shkollën e mesme ekonomike “8 Shtatori” para se të hiqen masat dorëzuan kërkesë në Byronë për Zhvillimin e Arsimit, por u refuzua
Drejtoresha Mirjeta Ilazi tha se para një muaji këshilli i prindërve bëri kërkesë deri te ajo, për të bërë shëtitje. Ajo kërkesën e procesoi dhe e dërgoi në byronë për zhvillim të arsimit, por kjo e fundit ja ktheu negative.

“Këto ditë ka pasur lëshim të masave. Në letrën zyrtare që na sollën shkruante se lejohen ekskursionet por prej atë ditë e këndej nuk është se e kam procesuar të shkoj të kërkoj për shkak se edhe greva na ka pezulluar dhe nuk është se di informata të sakta. Për momentin nuk di. Na ka penguar greva pasi nxënësit nuk i kemi këtu, ata kur janë edhe ngrenë iniciativa dhe kërkojnë”, tha Ilazi

Ndërkaq për sa i përket organizimit të maturës, Ilazi tha se nxënësit e bëjnë vetë në mënyrë private dhe shkolla nuk ka kompetenca, siç tha nuk është në program të shkollës matura përkundër ekskursioneve.

Ndryshe, në seancën e kaluar të qeverisë u hoq ndalesa për organizimin e ekskursioneve dhe mësimdhënies në natyrë.

Të fundit