18/04/2024
5.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ekspertët: Ndërtesat e paligjshme të legalizuara në vitin 2011, janë në zonën gri të sigurisë

Të gjitha ndërtesat e paligjshme, të legalizuara pas miratimit të ligjit në vitin 2011, janë në zonën gri të sigurisë thonë ekspertët. Sipas tyre, në rast të një tërmeti eventual, përveç këtyre objekteve, të ekspozuara ndaj rrezikut janë edhe ndërtimet shtesë dhe mbindërtimet.

“Ndërtesat legalizohen me shumë pak dokumentacion. Ndoshta kjo është mirë për autoritetet, por për ne ndërtuesit dhe ekspertët që punojmë në këtë fushë nuk mjafton. Pasi të legalizoni objektin, nuk keni asnjë dokumentacion teknik të projektit”, deklaroi Vllatko Sheshov, drejtor i Institutit Sizmologjik.

Profesoresha e fakultetit të ndërtimit, Elena Dumova në emisionin 360 gradë në Alsat thekson se sipas ligjit të ri për legalizim, objektet lëshohen në treg për shitblerje, por nuk ka aspak informacione për sigurinë e tyre.

“Ajo që për fat të keq u miratua në vendin tonë, është vetëm një raport gjeodezik që konstaton vetëm përmasat e objekteve dhe prandaj them se është legalizim ekonomik. Ato objekte janë lëshuar në treg për tu tjetërsuar, për t’u blerë, ndërsa nuk keni kurrfarë informacioni për sigurinë e tyre… Injorimi i ndërtimeve pa leje është një rrezik shtesë”, tha Elena Dumova Jovanovska, profesoreshë e inxhinierisë sizmike, fakulteti I ndërtimit.

Një ndër komunat më të prekura nga fenomeni i shtesave në ndërtesa është ajo e Karposhit.

“Ndërtesat në Karposh 1 dhe Karposh 2 të cilat janë ndërtuar para ose pas tërmetit të vitit 1963, janë në rrezik…tani nëse do të binte kjo tarracë, të tjerat poshtë do të binin si biskota. Deri te e fundit poshtë, nga fuqia kur do të godasë, do t’i rrënojë të gjitha”, theksoi Stevço Jakimovski, Kryetar i Karposhit.

Debati për sigurinë e objekteve u aktualizua pas tërmetit të madh në Turqi, ku si pasojë humbën jetën shumë njerëz, ndërsa pati edhe dëme të mëdha materiale.

Të fundit