18/04/2024
8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ekspertët: Vetingu në MPB i domosdoshëm të jetë gjithëpërfshirës

Ekspertët thonë se vetingu është i patjetërsueshëm që institucionet të rikthejnë besimin e qytetarëve dhe për të shmangur rastet e tilla, si rasti i fundit “Haraçi”. Vetingu u diskutua edhe në sesionin e 6 të Konventës Nacionale për Integrim në Bashkimin Evropian.

“Ne kemi një sistem të avancuar gjyqësor, po ashtu kemi legjislacion dhe dokumente të shumta të cilat e rregullojnë këtë sferë, por për fat të keq akoma institucionet tona nuk kanë gatishmërinë që ta fitojnë besimin e qytetarëve. Pra, vetingu është proces i kontrollimit, me të cilin do të mbrohet integriteti i individit, e si rezultat i kësaj të vijmë deri tek integriteti i institucioneve”, tha profesori universitar, Mileva Gjurovska.

MPB është institucioni i parë që ka nisur procesin e vetingut. Fillimisht po kontrollohen të punësuarit në sistemin e sigurisë, por ende nuk dihet se kur i njëjti do të përfundojë në tërësi. Nga ky institucion kërkojnë që vetingu të përfshijë edhe institucionet e tjera.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka shkuar më larg në përgatitjet e procesit të vetingut, apo kontrollit të integritetit të individit dhe institucioneve. Por, sigurisht se ka edhe shumë çështje të cilat duhet të definohen se kush, si, dhe pse duhet të përfshihet në veting. Mendimi i ekspertëve dhe i MPB-së ka qenë se vetingu mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse i njëjti realizohet tek të gjitha institucionet e vendit”, tha sekretarja në MPB, Magdalena Nestorovska.

Përvoja sllovake tregon se kohëzgjatja e procesit varion varësisht prej karakterit të vetingut dhe peshës së informacionit. Në Sllovaki ka zgjatur nga 3 deri në 9 muaj.
“Ne kemi filluar me të gjitha institucionet të cilat kanë qasje deri tek informacionet e klasifikuara, pra kemi kryer veting tek ushtarët, tek policët, tek pjesëtarët e Armatës të cilët i kemi dërguar në misione të paqes, si kontigjent i NATO-s, pastaj gjykatësve dhe pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha ekspertja sllovake për vetingun, Andrea Jaleqova.

Konventa Kombëtare punon njëkohësisht edhe në tre kapituj të tjerë, kapitulli 11 për bujqësi dhe zhvillim rural, kapitulli 19 që ka të bëjë me politikat sociale dhe punësimin dhe kapitulli 23 ai i sistemit gjyqësor, i cili është cilësuar edhe si kapitulli më i rëndësishëm për vendin tonë.

Të fundit