20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ende pa marrëveshje në mes pushtetit dhe opozitës

Parlamenti i Maqedonisë të martën me 57 vota pro, miratoi nevojën për Ligjin për Prokurorinë Publike në kudër të së cilit pritet të zgjidhet edhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike, shkruan REL, transmeton Koha.mk

Deputetët e partisë maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE edhe pse ishin të pranishëm në sallë, nuk votuan.

Dallimet mes pushtetit dhe opozitës vazhdojnë të jenë të thella sa i përket ligjit në fjalë, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale dhe vazhdimit të rasteve për të cilat ka ngritur hetime Specialja.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska, ka akuzuar opozitën se çështjet që i ka ngritur Prokuroria Speciale Publike, nuk dëshiron të mbyllen me efikasitet.

“Shpresoj që të gjithë ju (deputetët) do të mblidhni forcat për të shtypur butonin e gjelbërt dhe kjo do të thotë vazhdim për rastet që ka ngritur hetime Prokuroria Speciale Publike, për çështje për të cilat ka indicje se janë kryer krime nga pushteti i kaluar, por gjithashtu kemi edhe situatë në të cilën është hapur rast serioz, siç është rasti “Reket”, i cili gjithashtu duhet që të ketë procedurë serioze për mbarimin e procesit gjyqësor. Duhet që të kemi drejtësi efikase për të gjithë, pavarësisht se cilës garniturë i përkasim”, ka theksuar Deskovska.

Por, opozita maqedonase VMRO DPMNE, ka bërë të ditur se do të jetë e gatshme të mbështesë Ligjin për Prokurori vetëm nëse krijohet mundësi që përmes një debati cilësor në Parlament.

Opozita maqedonase, përmes deputetit të kësaj partie, Antonio Milloshovski, ka kërkuar që ministrja e Drejtësisë Renata Deskosvka, të japë dorëheqje pasi në kohën që ajo drejton dikasterin e Drejtësisë ka ndodhur skandali më I lartë që ka të bëjë me korrupsionin në nivele të larta, i njohur si “Reket”.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë thotë se rasti “Reket” ka thelluar edhe më shumë dallimet mes pushtetit dhe opozitës për arritjen e një ujdie rreth miratimit të Ligjit për Prokurorinë Themelore Publike, ligj ky që duhet të përfshijë dhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale.

“Tani kur afera “Zhvatja” e degradoi autoritetin e Prokurorisë Speciale Publike , në një far forme edhe bisedime në këtë drejtim janë bërë të pa baza për shkak se pushteti ka rrënuar qëndrimet që kishte më parë , pra ideja që të ketë një trup i cili do të hetojë korrupsionin në nivele të larta tanimë bëhet i pakuptimtë për shkak se institucioni që ishte themeluar për ketë qellim duket se është i përfshirë në aferë korruptive.

Mendoj se do të duhet një motiv nga faktori ndërkombëtar që këto bisedime (mes pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurorinë Themelore) të kthehen në një nivel serioz dhe palët të jenë më të përkushtuara në gjetjen e një zgjidhjeje.

Tani për tani, duket qartë se nuk ka vullnet për gjetjen e nje zgjidhjeje për Ligjin për Prokurori Publike as nga pushteti e as nga opozita”, thotë Neziri.

Ekspertët e çështjeve juridike thonë se Maqedonia e Veriut si shtet po humbet shansin e fundit për të realizuar reforma thelbësore në sistemin gjyqësor, me këtë t’i demonstrojë dhe faktorit ndërkombëtarë se është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta duke hapur perspektivat e integrimit në familjen evropiane.

“Problemi qëndron në faktin se Maqedonia e Veriut ka lëshuar nga duart shansin që të realizojë reforma të thella në sistemin gjyqësor”, thotë Zvonko Davitkoviq, avokat.

Ndryshe në bazë të projekt-ligjit që rregullon punën e Prokurorisë Publike të propozuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për të cilin janë të nevojshëm dy të tretat e votave, parashihet integrimi i Prokurorisë Speciale në Prokurorinë e re e cila do të quhet Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë.

Për opozitën maqedonase VMRO DPMNE-në, mbetet i papranueshëm transferimi i prokurorëve nga Prokuroria Speciale në Prokurorinë e re Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion të lartë, ndërkohë që si pengesë për arritjen e një marrëveshjeje me pushtetin, paraqiten edhe hetimet e hapura pas 30 qershorit të vitit 2017.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ministres së Drejtësisë ka bërë të ditur se në qoftë se nuk arrihet të sigurohen dy të tretat e votave për të kaluar Ligi për Prokurorinë Publike Speciale që duhet të përfshijë dhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale, atëherë zgjidhja e Prokurorisë Speciale do të kërkohet përmes ndryshimeve në Ligjin për Këshillin e Prokurorëve për të cilin ligj për të marrë vizë nevojitet votimi i shumicës së thjeshtë.(

Të fundit