19/04/2024
8.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Erozioni në rrugën drejt Banjiçes së Tetovës, rreziku çdo ditë e më i madh

Një grup aktivistësh të ekologjisë dhe artistësh vendosën figura nga personazhi i animuar i njohur nga seria La Linea me qëllim që t’i paralajmërojnë qytetarët për erozionin e rrezikshëm të vendit dhe dëmtimin e rrugës nga Tetova drejt vendit Banjiçe, e njëherit edhe ta alarmojnë komunën. Erozioni zgjatë tashmë disa vite, ndërkaq sipas aktivistëve, rreziku qëndron në atë që po përhapet gjithnjë e më shumë dhe po e shkatërron rrugën.

Ruiga drejt vendit Banjiçe nga ana e Komunës së Tetovës u rikonstruua pasi që ishte shkatërruar nga moti i lig në gusht të vitit 2015. Edhe pse u ndërtuan mure rezistuese, një pjesë e tyre me kalimin e viteve janë dëmtuar dhe janë paraqitur erozione në tokë, të cilat ranë në korsinë e rrugës, por edhe shembje nga rruga teposhtë shtratit të lumit Shkumbin.

Disa herë kryetarja e Komunës Teuta Arifi informoi se për shkak të gjendjes së këtillë shembjet e dheut dhe drunjve mënjanohen sa të pastrohet rruga, por edhe se kërkon zgjidhje afatgjate për mënjanimin e problemit.

Në Shkurt të vitit të kaluar shembjet e dheut ishin më të mëdha, kështu që automjetet nuk mund të kalonin. Komuna përgjatë kësaj rruge ndërtoi edhe rrugicë këmbësorësh, e cila shfrytëzohet shumë pak për shkak të frikës së banorëve nga erozionet e reja.

Lokaliteti Banjiçe ndodhet dy kilometra larg qytetit dhe ka burime me ujë mineral për të cilin qytetarët konsiderojnë se është i mjekueshëm. ab/

Të fundit