20/04/2024
3.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Është përgatitur Protokoll për procesin zgjedhor – e obligueshme maska mbrojtëse, distanca fizike dhe dezinfektimi

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse përgatiti protokoll për procesin gjithëpërfshirës zgjedhor për aktivitetet parazgjedhore e deri në ditën e votimit. E obligueshme do të jetë bartja e maskës mbrojtëse, mbajtja e distancës fizike, dezinfektimi i shpeshtë i duarve dhe ajrosja e hapësirave.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pret që të gjitha subjektet politike t’i respektojnë dispozitat e Protokollit.

“Ky protokoll ishte mbështetur njëzëri nga të gjithë anëtarët e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe ai duhet të realizohet plotësisht, pa përjashtime që të mbrohet shëndeti i qytetarëve. Të gjithë liderët e partive politike në takimin e liderëve kishin thënë se shëndeti i qytetarëve është në vend të parë dhe për këtë pres se të gjitha partitë, anëtarët e tyre dhe pjesëmarrësit në procesin zgjedhor do ta respektojnë këtë Protokoll. Protokolli del nga rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje të qytetarëve nga Kovid-19 të cilat në këtë moment janë në fuqi dhe do të mbeten në fuqi edhe në periudhën e ardhshme”, tha Filipçe në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Protokolli, siç tha Filipçe, është bërë me kërkesë të presidentit të shtetit, si rezultat i përfundimeve nga takimi i fundit i liderëve. Në Protokollin nuk është bërë e ditur se kur do të mbahen zgjedhjet, kjo është diçka për të cilën do të merren vesh liderët në takimin te presidenti.

Në mënyrë shtesë, Protokolli parasheh masa dhe kufizime të cilat në mënyrë precize e rregullojnë mënyrën e fushatës, aktivitetet partiake dhe tubimet. Përbëhet nga katër pjesë në të cilat janë përfshirë aktivitetet parazgjedhore, zbatimi i fushatës, mbajtja e takimeve partiake dhe ditës së zgjedhjeve.

Në ditën e zgjedhjeve, të gjithë anëtarët e bordeve zgjedhore dhe vëzhguesit duhet të bartin pajisje mbrojtëse, të ulen në hapësira me dritare të hapura ose shpesh ta ajrosin hapësirën. Në secilin vendvotim duhet të ketë edhe mjete për dezinfektim, ndërsa votuesit të jenë në distancë prej dy metrave dhe para se të hyjnë në votim t’i dezinfektojnë duart. Maskën duhet ta heqin shkurt vetëm për identifikim, ndërsa pas votimit përsëri duhet të dezinfektojnë duart.

“Në hapësirë asnjëherë nuk do të ketë numër më të madh të votuesve se sa ka kuti të votimit. Nëse ekziston mundësia, për çka duhet të konsultohet KSHZ-ja, rekomandohet rritje e kohës së votimit për dy orë që të shmangen turmat më të mëdha”, theksoi Filipçe.

Në periudhën para zgjedhjeve rekomandohet që të gjitha aktivitetet të realizohen me respektimin e distancës fizike prej një e gjysmë deri në dy metër, bartja e obligueshme e maskës mbrojtëse në gojë dhe hundë dhe larje e obligueshme e shpeshtë e duarve.

Gjatë mbajtjes së tubimeve, rekomandim është që të respektohen të gjitha këto masa, të mbahet llogari për numrin e pjesëmarrësve dhe të shfrytëzohen pajisje që të shmanget koncentrimi më i madh i njerëzve në një vend. Fushata “derë më derë” të realizohet me pajisje mbrojtëse dhe distancë fizike dhe të mos hyet në amvisëri, por vetëm afër derës ose oborrit.

Aktivitetet partiake të realizohen në vend të hapur nëse ka mundësi për këtë, ndërsa në hapësira të mbyllura të respektohen rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje dhe qëndrohet më së shumti dy orë pas çka duhet të bëhet ajrosje. Tendat mobile për material reklamues të mos kenë më shumë se dy aktivistë në një tendë, ndërsa transporti i partive të realizohet me mjetet për transport publik me maksimum 50 për qind të kapacitet të përgjysmuar. Gjatë kësaj, e obligueshme është bartja e maskës mbrojtëse, ndërsa transportuesit duhet të sigurojnë mjete për dezinfektim.

Protokolli do t’i dorëzohet presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski dhe kryeministrit, Oliver Spasovski.

Sa i përket gjendjes me virusin, Filipçe konfirmoi se numri i të sëmurëve është ulur dukshëm, epidemia është nën kontroll dhe se të gjithë faktorët janë përmirësuar dukshëm në krahasim me fillimin.

“Tani jemi në fazën kur shohim efektet e mira të masave të forta kufizuese. Jemi në javët e fundit të kohëzgjatjes së zakonshme të epidemive të frymëmarrjes, një fazë në të cilën shkollat ​​dhe kopshtet nuk funksionojnë dhe kemi kufij të mbyllur – faktorë që kontribuojnë në një periudhë të qetë, por duhet të jemi të vetëdijshëm që virusi nuk do të zhduket për një kohë të gjatë. Të tilla janë parashikimet, fotografia do të ndryshojë vetëm pasi të bëhet vaksinimi dhe të arrihet periudha e imunitetit kolektiv”,tha Filipce.

Të fundit