20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Filloi marshi memorial në kujtim të të vdekurve në aksidentin e komunikacionit në Llaskarcë

Qindra persona sot në mëngjes rreth orës 6 e filluan marshin memorial nga fshati Llaskarcë, ku para një viti u shkaktua aksidenti në të cilin humbën jetën 16, ndërsa ishin lënduar 35 persona.

Para fillimit të marshit ishin lëshuar tullumbace të letrës me qirinj me çka u nderuan të vdekurit.

Iniciativën për marshin qytetar e ngritën një grup i alpinistëve dhe u mbështet nga Komuna e Gostivarit. Sipas asaj që është paraparë, marshuta është e gjatë 55 kilometra.

“Krahas përkujtimit për viktimat e tragjedisë, me këtë marsh dëshirojmë të dërgojmë porosi deri te institucionet adekuate shtetërore që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për siguri më të madhe në komunikacionin rrugor dhe dërgojmë apel deri te institucionet kompetente që deri në fund ta zbardhin këtë rast dhe të dihen shkaqet të cilat shkaktuan tragjedinë”, porositi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari nga vendi ku filloi marshi.

Marshi është paraparë që të përfundojë në sheshin e qytetit në Gostivar në orët e pasdites.

Më 13 shkurt të vitit 2019, në orët e pasdites në një aksident trafiku në autostradën Shkup-Tetovë, nga rruga doli autobusi i kompanisë “Durmo Turs” i cili transportonte udhëtarë në linjën e rregullt nga Shkupi drejtë Gostivarit.

Në këtë aksident jetët i humbën: Boban Avramovski, Tërpana Janevska, Dejan Ristoski, Onur Sadiku, Esat Emruli, Ajdin Ismaili, Rametulla Abduraimi, Valdete Hamiti, Arse Arsoski, Erza Osmani, Jovica Tërpevski, Besim Fetai, Bejza Uzeiri, Zoran Davidovski dhe Pavle Kostoski.

Po zhvillohet proces gjyqësor, në të cilin për aksidentin janë të dyshuar shtatë persona, prej të cilëve gjashtë persona për “vepra të rënda kundër sigurisë dhe njerëzve në pronë dhe komunikacion”, ndërsa i shtati është i akuzuar për “punë të pandershme në shërbim”.

Të fundit