28/03/2024
14.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Filloi me punë zyra “Një pikë për shërbime” në Tetovë

Zyra “Një pikë për shërbime” e Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, zyrtarisht ka filluar me punë në Qendrën tregtare të qytetit në Tetovë.

Ministri Damjan Mançevski e ka vizituar zyrën dhe ka informuar se në fillim qytetarët do të mund të aktivizojnë identifikimin e tyre elektronik me çka do të mund të realizojnë 136 shërbime që për momentin ofrohen përmes portalit kombëtar për shërbime elektronike: uslugi.gov.mk.

“Të punësuarit tanë këtu do t’u japin informacione dhe kahe qytetarëve se si më lehtë të realizojnë shërbimet përmes portalit, por edhe do të ofrojnë informacione për 716 shërbime të shënuara në katalogun për shërbime që janë pjesë e portalit. Këtu do të mund të marrin informacione integrale për një numër të madh të shërbimeve që i ofrojnë një numër i caktuar i institucioneve. Qytetarët nuk duhet të shkojnë nëpër sportele të ndryshme, por këtu ku nuk ka sportele dhe në mënyrë të re ofrohen shërbimet e qytetarëve. Ideja është të mos ketë pritje, më lehtë të gjenden dhe përsëri do të apeloj t’i shfrytëzojnë më shumë shërbimet e portalit kombëtar të shërbimeve elektronike”, ka deklaruar Mançevski.

Ai tha se në kohën e krizës shëndetësore, mënyra elektronike e komunikimit jep një mundësi për siguri të qytetarëve.

Ka shtuar se me kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi ka biseduar që një pjesë e shërbimeve të komunës të ofrohen përmes portalit elektronik. Të gjitha internet klubet e ministrisë tanimë po shndërrohen në qendra të këtilla. Për një muaj pritet hapja në Ohër, ndërsa pason Kumanova.

Deri në fund të vitit të ardhshëm do të duhet të gjitha qytetet të hapin zyra “Një pikë për shërbime”. as/fab

Të fundit